“Sot për herë të parë çështja e dhunës ndaj vajzave dhe grave adresohet si një problem jo vetëm i tyre. Për herë të parë kjo çështje shikohet në aspektin e detyrimit të burrave për t’u përfshirë në një beteje që nuk është beteja e viktimave të dhunës, por është beteja e të gjithë atyre, të cilët kanë detyrimin që të bëhen bashkë për ta penguar dhunën”. Kështu u shpreh sot kryeministri i vendit, Edi Rama, përgjatë fjalës së tij në konferencën “Aktivizim kundër dhunës ndaj gruas”, e cila po mbahet në ambientet e hotel "Tiranës”, këtu në kryeqytet.
Rama deklaroi se duhet një ndihmë e menjëhershme për viktimat e dhunës në familje dhe shprehu angazhimin e qeverisë për realizimin e shërbimit të ndihmës falas për viktimat e dhunës në familje.
“Kemi një barazi ndërmjet burrave dhe grave dhe kjo gjë po vazhdon në të gjitha nivelet e qeverisjes. Jo vetëm në institucionet shtetërore, por edhe në ato private. Unë jam shumë krenar që ne kemi sot një qeveri, e cila ka një pjesëmarrje shumë të lartë të grave në qeverisje, por kjo është vetëm maja e një ajsbergu, që sa më poshtë të shkosh, aq më shumë zbehet shkëlqimi. Ndaj dhe duhet të punojmë fort në këtë pikë”, -tha më tej kreu i qeverisë.
Rama theksoi se problemi nuk zgjidhet duke u mbledhur nëpër konferenca, por duke dëgjuar nga afër problemet e femrave të dhunuara dhe t’u jepet atyre një zgjidhje.
“Çdo formë dhune ndaj femrave apo vajzave, është një dhunim i të drejtave të njeriut. Ka shumë fusha në të cilat Shqipëria ka bërë progres, por vetëm në këtë fushë kemi regres. Dhuna ndaj grave nuk legjitimohet, por kjo na bën të gjithëve bashkëfajtorë. Betejën ndaj dhunës së grave duhet ta shtrijmë në krijimin e koalicioneve politike, ekonomike dhe shoqërore, të cilat janë tepër të nevojshme për këtë fenomen. Barazia gjinore nuk është një zemërgjerësi ndaj grave, por është motori i zhvillimit të shoqërisë. Aty ku ka ekonomi të fortë, ka barazi të fortë, aty ku ka zhvillim ekonomik dhe social, ka jo vetëm barazi gjinore të fortë, por ka dhe grua të fortë”, -përfundoi Rama.