Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp ka thënë se toleranca do të jetë zero ndaj krimit. Ai tha se do të vijohet aksioni për luftën ndaj atij të ashtuquajtur “krim ekonomik”. Kryeministri tha se do të luftojë këtë krim, i cili ka goditur xhepat e varfër të familjeve shqiptare. Rama tha se do të ndërmerret një reformë ligjore që do të përcaktojë kufijtë e qartë për pjesën legale të këtij aktiviteti. Ai shtoi se po punohet për një strategji dalje për atë që është i licencuar.
“Jemi të vendosur për një betejë pa kompromis. Do vazhdojmë të kontrollojmë në çdo kënd rruge të Republikës së Shqipërisë, për t’i dhënë fund këtij aktiviteti të zhvilluar në mënyrë ilegale. Paralelisht do të ecim përpara shumë shpejt me një reforme që do të përcaktojë kufij shumë të qartë edhe për pjesën legale të këtij aktiviteti. Ndërkohë, po punojmë për një strategji daljeje për ata që janë të licencuar dhe e ushtrojnë brenda kufijve të ligjit ekzistues. Ky nuk mund të jetë as legalisht aktivitet i së ardhmes se vendit. E ardhmja e vendit nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me bixhozin”, tha Rama.
“Ne jemi të vendosur dhe shumë të qartë për shtrirjen e këtij aktiviteti, për lidhjet që ky aktivitet ka pasur dhe vazhdon të luajë me politikën, për mbështetjen që ky aktivitet ka gjetur falë korruptimit të politikës dhe të gjithë zinxhirit të krimit ekonomik në policinë e shtetit. Përfshirja e politikës në këtë aktivitet, në fakt lë të kuptohet qartë kur je përballë masivitetit të këtij akti që ka lindur dhe është zhvilluar si një industri e krimit, në sytë e të gjithëve. Pa mbështetjen politike s’ka industri të krimit ekonomik”, u shpreh Rama
Kreu i ekzekutivit tha se do të kërkojë mbylljen e të gjithë uebsajteve online të basteve, ku jashtë kufijve shqiptarët humbin 500 deri në 700 milionë dollarë në vit, që sipas Ramës janë një shumë marramendëse për familjet shqiptare.
“Kemi marrë vendimin që përmes ministrisë së Inovacionit të kontrollojmë bllokimin e uebsajteve, ku derdhen të ardhurat e emigracionit jashtë kufijve. Shifra që qytetarët humbasin në aventurën e basteve online varion nga 500-700 milionë dollarë. Do të kërkojmë të gjitha kalimet e internetit dhr këto uebsajte do të mbyllen, s`do të ketë më baste online që vendosen për të vendosur fatin jashtë kufijve të Shqipërisë”, tha Rama.