Rama Shqiptaret nuk kane rene kurre ne kurthin e nacionalizmit primitiv

Rama: Shqiptaret nuk kane rene kurre ne kurthin e nacionalizmit primitiv

Shqiptarët nuk kanë menduar kurrë diçka që i takon tjetrit dhe nuk kanë rënë kurrë në kurthin e nacionalizmit. Kjo ishte deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama, para shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Shqiptarët nuk kanë menduar kurrë diçka që i takon tjetrit, shqiptarët nuk kanë rënë kurrë në kurthin e nacionalizmit që e bën njeriun por edhe një vend, të verbër për të hapur luftëra jo për lirinë e vet, por për të mos e lënë të lirë tjetrin. Shqiptarët kanë ditur intensivisht të dallojnë rrugën qorre të nacionalizmit primitiv nga rruga e patriotizmit evropian. Nëse sot shqiptarët janë të gatshëm të shkojnë më tutje, kjo vjen si rezultat i të qenit njerëz të besës, me aleatët tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri.

Rama deklaroi se shqiptarët kanë të drejtë që shpesh herë të jenë të padurueshëm, për vetë historinë që kanë kaluar, por rruga që kanë bërë deri tani duhet t’i bëjë ata krenarë për atë që kanë arritur.

“Kemi të drejtë që shpesh herë të jemi të padurueshëm , që të kërkojmë sa hap e mbyll sytë gjithçka që në ka munguar. Kemi të drejtë në Kosovë të jemi të padurueshëm që gjithçka të ecë vaj.  Kemi të drejtë këtu të jemi të padurueshëm, se takova me kënaqësi disa të moshuar që iu iku jeta në këtë Luginë dhe zor se panë një ditë të mbarë përveç lindjes së fëmijëve. Ktheni kohën e shikoni si ishin shqiptarët në vitet ‘90, e askush nuk mund ta imagjinonte se sa shumë gjëra të mëdha do të bëheshin dhe besoj se më të dëgjuar, e më të respektuar se sot, nuk kemi qenë asnjëherë.

Kryeministri u shpreh se rruga jonë është para, dhe është e drejtë, e nëse sot kemi të drejtën të shohim nga kemi ardhur, e jo mirë ku duhet të shkojmë, atëherë duke lexuar historia që na solli këtu, që të bëjmë historinë për të shkuar aty ku duhet.

"Ne i respektojmë minoritetet, të njëjtën gjë kërkojmë nga të tjerët"

Kryeministri Edi Rama deklaroi se shqiptarët anëmbanë duhet të ndihen krenarë që i respektojnë minoritetet, dhe se pakicat duhet të jenë jo faktor ndarjeje por burim bashkimi.
 
“Shqiptarët sot hasin vështirësi që nuk i hasin në vende të tjera ku jetojnë për hir të së vërtetës. Në Shqipëri dhe Kosovë, dhe dy shtete që janë garante të paqes e stabilitetit e ecurisë demokratike të rajonit, mund të jemi krenarë për mënyrën se si i respektojmë minoritetet, bazuar jo në letra por në fakte”.

Kryeministri deklaroi se në Shqipëri dhe Kosovë ka modele të admirueshme të bashkëjetesës dhe respetimit të lirive e të drejtave të minoriteteve. Ndaj sipas tij “me këtë krenari, duke u nisur nga vetja, kemi të drejtë të kërkojmë të njëjtën gjë edhe nga të tjerët”.

“Sot në Shqipëri ka një minoritet grek që nuk ndien as një dallim e jo më pastaj diskriminim në raport me qytetarët me kombësi shqiptare. Ka një minoritet maqedonas, që nuk ndien dallim e diskriminim në raport me popullsinë me kombësi shqiptare, por që pas ndarjes së re territoriale, do ketë bashkinë e vet. Se nuk janë numrat që duhet të përcaktojnë sjelljet ndaj njëri-tjetrit, ne duhet të jemi krenarë se atë që duam për veten tonë nuk ia mohojmë tjetrit, dhe atë që i japim tjetrit, nuk duhet të na i mohojnë ne”, tha Rama.

Betejë për një “Evropë të Madhe”, jo “Shqipëri të Madhe”

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se beteja e përbashkët e shteteve të rajonit të Ballkanit, nuk është “Shqipëria e Madhe” por është një “Evropë e Madhe” që ka vend për shqiptarët, dhe që duhet t’i përfshijë të gjithë ata:

“Beteje të përbashkët për një “Evropë të Madhe” që ka vend për shqiptarët e që duhet t’i përfshijë të gjithë shqiptarët.  Kush dëshiron këtë njësoj si ne, nuk duhet të lejojë që kushtet e vështira e sjelljet diskriminuese t’i shtyjnë në drejtime të tjera. Si qytete të Evropës, bashkërisht ne jemi në të drejtën e zotit dhe të vendit që të mbrojmë me forcë lirinë e të drejtën e çdokujt që jeton në këto troje, për të mos u ndier i diskriminuar ndaj tjetrit”, tha Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama