Rama Si u negociua per armet kimike

Rama: Si u negociua per armet kimike

Kryeministri rrëfen bisedimet me SHBA, spekulimet për ndihmën 12 miliardë USD, rolin e LSI dhe opozitës.
Rama: Anëtarësimi në BE, 12 miliardë dollarët, spekulime dhe fantazi.
“Pas tërheqjes së Danimarkës dhe Norvegjisë, vetmia në këtë operacion e bëri atë të pamundur”

Kryeministri Rama tha dje se pas terheqjes se shteteve si Danimarka dhe Norvegjia nga operacioni i shkaterrimit te armeve kimike te Sirise, e nxori Shqiperine nga ky operacion.


Pse edhe Shqipëria ndërkohë që ne i dimë të gjitha dobësitë që ka ky vend?


Siç e thashë edhe në fjalën time qysh në momentin e parë kur unë thashë se po, ne jemi gati ta konsiderojmë, u bë e qartë se konsiderojmë pjesëmarrjen pa përfshirjen tonë me asgjë tjetër përveçse me një pikë mbështetje në Mesdhe.

Kur thuhet që e konsiderojmë pozitivisht këtë gjë, natyrisht që ka disa parakushte që duhen plotësuar derisa të pranohet, apo jo?

Patjetër.


Dhe pikërisht për këto po flasim, momentet e negociatave që ju keni pasur me aleatët kanë qenë negocime vetëm teknike? Vetëm për operacionin?

 


Më lejoni t’ju them që nuk ka qenë Shqipëria e vetmja që ka pranuar ta konsiderojë, por ka pasur edhe vende të tjera. Dhe sigurisht që konsiderata në parim, apo konsiderata fillestare, është gjithmonë në parim, dhe këtu bëhet fjalë për një operacion shumë të komplikuar humanitar dhe ushtarak, që ka një sërë elementesh të tjera që fillojnë dhe trajtohen njëri pas tjetrit, ku gjithsekush fillon dhe sheh më qartë të gjitha pjesët e operacionit. Dhe në këtë kuptim u bënë diskutime dhe u ndërtua një proces ku krahas me gjithë elementet teknike, sigurisht na binte barra, mua në radhe të parë më binte barra të trajtoja dhe aspektin tjetër, aspektin që kishte të bënte pikërisht me domosdoshmërinë që ky operacion të ishte sa më i koordinuar mes forcave apo fuqive të mëdha, jo thjesht në kuptimin e përfshirjes së drejtpërdrejtë në të, por në kuptimin e ndërtimit të një plani ku aktorët e ndryshëm do të kishin role të ndryshme dhe ku ajo që filloi të bëhej shqetësim me tërheqjen e disa vendeve të tjera ishte vetmia e Shqipërisë. Vetmia e Shqipërisë si një problem që pastaj u kthye në një problem të madh edhe psikologjik, por që në radhë të parë është i lidhur me faktin që Shqipëria e ka një imazh jo fatlum si një vend i varfër dhe si një vend i ndotur, dhe lidhja e këtij operacioni vetëm me Shqipërinë krijonte përfundimin që ky operacion të bëhej në Shqipëri, së Shqipëria është e varfër dhe e ndotur. Nga ana tjetër, sillte detyrimisht një kosto negative për imazhin vendit. Dhe ky ishte shqetësimi im qysh në fillim, ose jo qysh në fillim, por qysh kur filluan të tërhiqen të tjerët, që pastaj u pa qartë kur me të dalë lajmi në mediat ndërkombëtare, shpërtheu një lumë i atillë, aspak i kënaqshëm, për mos të thënë më shumë në raport me Shqipërinë dhe që përsëri cenoi imazhin e saj.


Qëndrimi juaj është modifikuar në vazhdim në lidhje me këtë çështje, pra në momentin që ndiet që të tjerë aktorë dhe të tjerë anëtarë u larguan dhe Shqipëria po mbetej e vetme dhe ka pasur këmbëngulje nga ana amerikane që ju gjithsesi të thoshit po?

 


Jo, nuk do thosha që qëndrimi është modifikuar në vazhdim. Do thosha që qëndrimi im është formuar vijimësisht në një proces diskutimesh, ku dua ta theksoj për hir të të gjithë së vërtetës që nga ana e aleatëve tanë të mëdhenj strategjikë nuk ka pasur asnjë lloj presioni përveçse një mirëkuptim gjithmonë e më të plotë për vështirësinë në të cilën ishte vënë Shqipëria në kushtet kur gjithë plani operacional po ndërtohej në mungesë të një sërë elementesh që do ta kishin bërë atë shumë më të lehtë. Në qoftë se Shqipëria do të ishte bashkë me Danimarkën dhe Norvegjinë apo bashkë me…, mos përmendim emra shtetesh, po i sjell thjesht si shembuj, pra bashkë me një apo dy vende të tjera të kontinentit tonë, askush nuk do të mund të thoshte më se ky është një operacion për vende të varfra dhe vende të ndotura. Mirëpo kjo vetmi kishte një kosto që në fillim, ishte një kosto në imazhin e Shqipërisë, si një vend që duhet të promovojë në fakt bukuritë e veta, peizazhin e vet, potencialet e veta turistike, dhe pastaj u kthye edhe në një peshë gjithmonë e më të rëndë psikologjike, që rëndoi mbi të gjithë.


Është folur për, le të themi, amerikanët do të lobonin fort që në dhjetor të merrej statusi i vendit kandidat dhe brenda katër vitesh Shqipëria të bëhej anëtare e Bashkimi Europian.


Sigurisht që janë bërë shumë spekulime, janë spekulime që ishin përpara se sa kjo histori të mbyllej, janë spekulime që vazhduan pasi kjo histori u mbyll, por që në to nuk ka asgjë të vërtetë.

 

Nuk është diskutuar në lidhje me këtë?


Shtetet e Bashkuara nuk mund ta fusin Shqipërinë në Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara kanë qenë, janë dhe do të jenë avokatët e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Edhe sponsor në një lloj kuptimi…


Quajeni si të doni, unë i quaj avokatë, ju i quani sponsor, por mbështetës, le ta themi shqip, të Shqipërisë edhe në procesin e integrimit europian, proces që Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur vijimësisht dhe proces në të cilin Shtetet e Bashkuara kanë qenë vijimësisht në harmoni me Bashkimin Europian në raport me Shqipërinë.


Është folur gjithashtu që (dhe këto janë gjëra të publikuara) për një “miniplan Marshall” 12 miliardë dollarësh që do t’i vinte Shqipërisë nëse thoshte po.


Ky është një vend që ka probleme me lojërat e fatit, ne e dimë këtë gjë. Këtu luhet shumë bixhoz, blihen shumë bileta lotarie dhe ëndërrohet shumë një bingo, por në këtë rast dhe në këto raste në marrëdhëniet mes shteteve dhe në proceset e zhvillimit të një vendi nuk ka bingo, kështu që kjo është e gjitha një fantazi.


Jeni akuzuar nga opozita që i gjithë ky aksion është marrë personalisht nga ju për përfitime personale politike dhe madje është folur edhe për një letër të Presidentit Obama drejtuar juve, ku premtimi është që do keni takim vitin e ardhshëm nëse do të ishte po.


Jam akuzuar për shumë gjëra, kjo është më e lehta, kështu që besoj se nuk ia vlen të ndalojmë gjatë në këtë, por mund t’ju them që duhet… pafytyrësi shumë e spikatur që të flasësh për mashtrime apo përfitime vetjake në një proces si ky, ku Shtetet e Bashkuara ishin të përfshira tërësisht deri në nivelin e tyre më të lartë.


Po më thoni që nuk ndahen këto gjëra me median në momentin kur është duke u përgatitur një plan operacional, por, nga ana tjetër, është Presidenti i vendit i cili deklaroi që nuk kishte dijeni në lidhje me këtë çështje. Ishte gjithashtu kryetari i opozitës i cili deklaroi që nuk ishte në dijeni me këtë çështje. U fol që duhej të ishte mbledhur Këshilli i Sigurimit për të konsultuar dhe për të sqaruar në lidhje me këtë operacion. Asnjë nga këto nuk është bërë?


Ju kuptoj shumë mirë dhe më lejoni t’ju korrigjoj. Kryetari i opozitës ka qenë në dijeni për këtë çështje dhe gënjen. Ndërkohë që…

 

Ka qenë në dijeni i kontaktuar nga ju?


Përsa i përket pjesës tjetër, ajo është një pjesë që me siguri e kishte radhën menjëherë sapo qeveria dhe unë si Kryeministër të kishim në dorë një projekt, jo një bisedë e cila është zhvilluar intensivisht pikërisht për të ardhur te projekti. Dhe në momentin kur të kishim në dorë projektin, pa asnjë dyshim do të zhvillonim të gjitha kontaktet e këtij niveli.
Ju kërkuat që të ofronit vetëm tokë, një bazë të mbyllur, ku do të ishin specialistët e huaj që do të merreshin me demontimin. Dhe kjo u pranua. Ju kërkuat që mbetjet të vinin e, si pasojë, i gjithë demilitarizimi i të gjitha këtyre lëndëve kimike të mos rrinin në Shqipëri, por të varroseshin diku tjetër. Edhe kjo u pranua. Ju kërkuat që misioni mos të largohej nga Shqipëria pasi të mbaronte ky proces, por të pastrohej edhe Shqipëria me këtë rast, pra 31 “hotspote” që ju i përmendët në fjalimin tuaj, ku lëndët kimike janë që nga koha e komunizmit dhe deri të këtyre 20 viteve. Dhe kjo gjithashtu u pranua. Pra, ato kushte, për një Shqipëri më të pastër dhe më të fortë, u pranuan. Unë nuk po kuptoj pse-në e “jo”-së përfundimtare, përveç atyre që rrinin poshtë dritares.
Nuk është kështu. Nuk u plotësua ky kuadër me kornizën e domosdoshme. Vetmia në këtë operacion e bëri atë të pamundur. Procesi mori më shumë se çfarë duhej të merrte. Ne kemi qenë të qartë që në fillim për çfarë kemi kërkuar. Nuk kemi hyrë në proces, hajde çfarë do të fitojmë. Kemi hyrë me vetëdijen se na takon të kontribuojmë, por dhe me bindjen që të kontribuojmë, duhet të vendosemi në kushte të tilla, sepse e kemi të qartë çfarë vështirësish kemi. Duke qenë se ndërkohë kemi pasur një skuadër që shënonte çdo pretendim, se ky është një operacion në të cilin nuk jemi të armatosur me ekspertizë të atillë që të na japë garancitë e menjëhershme dhe u pa çfarë ishte ekspertiza që tmerroi dynjanë. Çdo gjë që dëgjohej prej përfaqësuesve të ambientalistëve dhe pastaj me radhë përfaqësuesve të atyre që mendonin që ky operacion ishte i rrezikshëm, mbahej shënim dhe menjëherë i raportohej si problem palës tjetër, në një grup të përbashkët ekspertësh që trajtonin çdo problem që ngrinin njerëzit në protestë. Pjesa tjetër kishte të bënte me mua, jo ajo që thoshin ekspertët. Ajo që mendonte dhe ndiente populli shqiptar. Këtu nuk bëhej fjalë për një reformë brenda vendit. Këtu bëhej fjalë për një sipërmarrje, të cilën Shqipëria, duke u përfshirë, rrezikon të poshtërohet për shkak të imazhit që ka dhe për shkak të keqtrajtimit për shkak të këtij imazhi që ka në mediat ndërkombëtarë. Angazhimi im është që ky është një oportunitet që Shqipëria të dalë kryelartë, jo të humbasë. Të fitojë brenda vetes dhe jashtë saj. Është diskutuar me partnerët tanë dhe ata kanë qenë mirëkuptues për këtë çështje në çdo diskutim.


Vetmia, siç duket, mbetet problemi, ndërkohë operacioni ende nuk është i mbyllur dhe është ende i padefinuar. Supozojmë një rast të dytë hipotetik, ku vetmia bie. Si e parashikoni?


Dhe ajo na duhet, të hapim një kapitull tjetër dhe të zhvillojmë një histori me “ta zëmë se”. Ne u përfshimë në këtë histori me dinjitetin më të madh, ne qëndruam në këtë proces me dinjitetin më të plotë, ne e mbyllëm këtë proces si vend dhe si popull me dinjitetin më të lartë. Iu siguroj që marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara sot nuk kanë pësuar asnjë fije cenimi për shkak të dinjitetit tonë të treguar në proces. Ne qëndruam deri në fund të procesit, ndryshe nga të tjerë që u larguan më parë, por ama neve na takonte që të kërkonim zgjidhje deri në fund, të ishim deri në fund ndihmesë e atyre partnerëve pa të cilët Shqipëria nuk do të ishte kjo që është në pikëpamje të lirive të veta, pa të cilët shqiptarët nuk do të kishin dy shtete të lira dhe të pavarura në mes të Europës. Kjo ishte ajo që bëmë dhe e bëmë me dinjitet të plotë.


Dhe “jo”-ja është përfundimtare?


Procesi ka përfunduar. Sigurisht, përpjekjet për të zhvilluar operacionin vazhdojnë. Ato vazhdojnë në drejtime të tjera dhe është normale që të ndodhë kështu. Ashtu sikundër është normale, në kushtet që këtu është shfaqur papritur një opozitë e vendosur në barrikadën e antiamerikanizmit, një opozitë që e konsideron mashtrim një operacion të tillë, një opozitë që publikon fotografi të viktimave të Asadit dhe iu vë titullin “Shqipëria e ka radhën”, një opozitë që ngatërron Asadin me Presidentin Obama, nuk ka asnjë kusht që mund të mendohet që të rikthehemi në pikën që ishim.
Nuk është çështja që këtu u dizinformua vetëm opinioni publik, por brenda radhëve të maxhorancës radhët u shthurën, në një farë kuptimi. Zoti Blushi foli publikisht dhe tha se e ka të pamundur të ngrinte dorën për të pranuar një operacion të tillë ku përfshihet Shqipëria. Po ashtu zoti Braçe ishte në këtë drejtim. Ministra të qeverisë suaj, si Nasip Naço apo Lefter Koka, ishin gjithashtu në kundërshtim me atë që ju po bënit. Për të shkuar më tej, kryetari i Parlamentit, zoti Ilir Meta, ditën e protestave nga salla e Parlamentit doli në sy të protestuesve dhe në një lloj kuptimi la të thuhej që edhe ai vete nuk është se ishte i bindur nga një operacion i tillë.


Kush ishte i bindur?! Unë isha i bindur?! Unë?! Po ju them se nëse do të isha i bindur plotësisht se ky operacion ishte një operacion ku Shqipëria duhej të përfshihej, të jeni i sigurt që unë do të dilja dhe do të thosha: Po, Shqipëria duhet të përfshihet. Dhe do të përballesha me çdo kundërshti. Më lejoni të them se ky nuk është një sekret tanimë, që edhe qëndrimin e kryetarit të Kuvendit do ta lexoni në sintoni të plotë me qëndrimin tim gjatë procesit, sepse me kryetarin e Parlamentit kemi qenë vijimësisht në kontakt. Kemi komunikuar vijimësisht për ecurinë e procesit. Edhe qëndrimi i tij publik, që ishte më i mundshëm për shkak të pozicionit të tij, sepse nuk ishte drejtpërdrejt i përfshirë në këto diskutime, ishte pikërisht për faktin se ishte në dijeni të procesit të diskutimit. Kryetari i Kuvendit e ka thënë shprehimisht atë që në fakt ka qenë e gjithë natyra e qëndrimit tonë. Shqipëria ka një përgjegjësi. Ne do të marrim përgjegjësinë tonë për aq sa mbajmë mbi supe. Dhe ka thënë që “nuk ka një vendim dhe qeveria do të dëgjojë zërin e qytetarëve”. Kemi qenë shumë dëgjues ndaj gjithë pretendimeve të ambientalistëve dhe të ekspertëve. Pra nuk kemi pasur kurrë një vendim për t’u angazhuar si qeveri. Jo vetëm në parim, por edhe për operacionin konkret. Ndërkohë që edhe brenda Grupit Parlamentar nuk kam mundur të them më shumë, por kam shpjeguar, ndoshta pak më shumë se për publikun, se nuk ka asnjë arsye për shqetësim, se nuk ka vendim dhe se nuk mund të jepet më shumë informacion.


Pavarësisht se keni shpjeguar pak më tepër, brenda Grupit për herë pamë që nuk i bindeshin një vullneti politik të caktuar. Ata paradeklaruan se çfarë do të ndodhte nëse ju do të thoshit po, duke iu vënë në një lloj pozite. Nga ana tjetër, ministra të qeverisë, përpara se ju të deklaronit se çfarë do bëhej me këtë proces, dolën dhe deklaruan se ishin kundër. Duke ju vënë kështu në një pozitë të vështirë.


Kur këto deklarata kanë ndodhur, vendimi im ishte marrë. Vendimin tim ua kam bërë me dije aleatëve një natë më parë. Këto pastaj ishin pjesë e asaj që ishte përfshirje emocionale, që mund të mos ishte. Unë nga ana ime nuk kam pasur asnjë shqetësim të kësaj natyre, sepse e përsëris, nëse do e kisha marrë një vendim për t’u angazhuar, atëherë do të flisja me Grupin, me Parlamentin, me qytetarët, sepse isha i bindur.


“Do të zhgënjehemi”, tha ambasadori Arvizu. Dhe në fakt çfarë ndodh kur zhgënjehen Shtetet e Bashkuara të Amerikës?


Unë di çfarë ndodh kur Shteteve të Bashkuara iu bëhet një karshillëk i atyre përmasave që i bëri opozita. Jo se mbajti një qëndrim të ndryshëm, por sepse qëndrimin e ndryshëm e mbajti me mungesën më të plotë të respektit për atë që Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë. Duke i pikturuar Shtetet e Bashkuara në sytë e publikut shqiptar, e përsëris, si një rrezik për jetën e qytetarëve shqiptarë, ndodh që të humbasësh shumë nga respekti i tyre. Ndërkohë që, pa asnjë dyshim, jam i bindur që qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka absolutisht të qartë që nga ana jonë bëmë gjithçka që na takonte për të qenë mbështetës në përpjekjen e tyre dhe mospërfshirja e Shqipërisë në këtë operacion është pamundësi, dhe jo mungesë e dëshirës apo e vullnetit për të qenë krah për krah me Shtetet e Bashkuara. Një pamundësi, për sa unë thashë edhe para publikut, dhe për sa folëm deri këtu, që është plotësisht e mirëkuptueshme nga ana e tyre, duke pasur parasysh edhe faktin që partnerët tanë ishin “ana tjetër e tryezës”, në qoftë se mund të themi kështu, dhe e kanë ndjekur të gjithë dinamikën e diskutimeve dhe e kanë pasur mundësinë ta mirëkuptojnë edhe qëndrimin tonë përfundimtar.


Edhe zoti Arvizu? Sepse nuk dukej kështu në intervistën me kolegun Balla. Foli për përpjekje, tri herë kishte folur atë ditë me ju në telefon. Dukej të paktën që zoti Arvizu ka këmbëngulur deri në fund që ju mos të thoni jo.


Pa dyshim që partnerët tanë donin që të krijohej kuadri i plotë i kërkuar prej nesh që të kishte një “po” nga ana jonë. Ata diskutonin me ne në kërkim të “po”-së. Edhe ne diskutonim me ata në kërkim të “po”-së. Kushtet për “po”-në nuk u krijuan, sepse nuk ishte se ne u vumë kushte atyre. Donim të krijoheshin kushtet që Shqipëria të përfshihej në këtë operacion shumë të vështirë për faktin që folëm, mos t’i kthehemi prapë. Edhe unë jam plotësisht i bindur që kemi mirëkuptimin e tyre më të plotë, pavarësisht se nuk mund të jenë të lumtur me faktin që gjithë përpjekjet nuk u kurorëzuan me rezultatin që u përpoqën të dyja palët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama