Rama Ti japim fund punes ne te zeze te hetohen kompanite per mashtrim

Rama: T'i japim fund punes ne te zeze, te hetohen kompanite per mashtrim

Kryeministri i vendit, Edi Rama, i ka bërë thirrje prokurorisë të hetojë kompanitë për mashtrime dhe mosderdhje të kontributeve financiare për pensionet e punonjësve. Gjatë një konference për mediat paraditen e sotme nga Kryeministria, Rama paralajmëroi se nga java e ardhshme do të nisin aksionet për t’i dhënë fund punës në të zezë. Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të mos pranojnë pazare me punëdhënësin e tyre për të ulur deklarimin e pagës, duke i garantuar mbështetjen maksimale.

“Është momenti për t’i bërë një thirrje të gjithë shqiptarëve. Mos pranoni të hyni në pazare me punëdhënësin tuaj për të ulur deklarimin e pagës reale sepse ulni pensioni tuaj. I falni pjesë të pensionit punëdhënësit tuaj. Operacioni që do të nisim javën e ardhshme do të jetë një operacion ku një nga elementët synon bashkëpunimin intensiv me çdo punëmarrës që do të denoncojë punëdhënësin që i kërkon të bëjë këtë pazar. Me çdo punëmarrës që do të kërkojë mbështetjen ton për të mos lejuar që ai të mbahet në të zezë. Askush nuk duhet të ketë frikë se nga denoncimi i punëdhënësit do i vijë fundi punës së tij sepse ne do i monitorojmë hap pas hapi dhe sipërmarrësit janë shumë të interesuar, dhe duhet të jenë shumë të interesuar të vendosen në binarët e ligjit në raport me punëmarrësit e tyre sepse përndryshe sanksionet janë shumë të forta. Rritja më e madhe e pensionit është pikërisht rezultat i rritjes më të madhe të kontributeve të përgjithshme dhe të kontributit të secilit", tha Rama.

Nga ana tjetër paralajmëroi punëdhënësit se do të kenë sanksione të ashpra nëse do të zbulohen këto mashtrime. Kryeministri zbuloi se janë 1600 institucione private dhe shtetërore që kanë mashtruar punonjësit duke iu mbajtur kontributet për pensionin dhe nga ana tjetër nuk kanë derdhur asnjë qindarkë në arkat e shtetit.

“Mashtrimet me sigurimet shoqërore kërcënonin rënien e shtetit”, tha Rama, duke e quajtur dhe krahasuar këtë gropë të njëjtë me sistemin piramidal të Sudes dhe Vefës në vitin 1997.

Megjithatë, kreu i qeverisë dha garancinë se këto detyrime do të paguhen dhe nuk do të kërcënohet pensioni i asnjë prej atyre që kanë rënë pre e kësaj skeme.

“Ky akt nuk kërcënon pensionin e këtyre njerëzve të mashtruar. Ky mashtrim kërcënon sistemin tonë të financimit të pensioneve. Do kthehen në vend të gjitha kontributet e njerëzve që janë mashtruar. Mashtrimet me sigurimet shoqërore kërcënonin rënien e shtetit. U janë marrë kontribute mijëra punonjësve të shtetit e privatit. Kontributet u janë marrë njerëzve por nuk janë derdhur në sigurime”, tha më tej Rama. Sipas tij skema e re e pensioneve i jep fund fenomenit ku ca paguajnë dhe të tjerë vjedhin.

“Kjo reformë u shty nga çdo qeveri. Kjo qeveri nuk do të tërhiqet nga asnjë front beteje. Duhet ti japim fund fenomenit ku ca paguajnë dhe ca vjedhin. Do tua kthejmë pushtetin qytetarëve me reforma”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama