Rama bashkebisedim me qytetaret per taksat Po administrojme nje shtepi te zhytur ne borxhe

Rama bashkebisedim me qytetaret per taksat: Po administrojme nje shtepi te zhytur ne borxhe

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me qytetarët ku ka zbardhur paketën fiskale dhe ndikimin e sistemit të ri fiskal. Rama ka shpjeguar se masat e ndërmarra kanë qenë të kushtëzuar prej borxheve të mbartura nga qeveria e mëparshme.

“Ne kemi marrë përsipër të administrojmë një shtëpi që na e kanë lënë të zhytur në borxhe, në borxhe ndaj të gjithëve atyre që qeveria ka marrë shërbime. Çfarë duhet të bëjë një familje kur i ka ardhur borxhi i litarit në fyt dhe kur rrezikon të humbasë shtëpinë e vet?!”,-tha Rama.

Ai sqaroi se pretendimet e opozitës se vendi do të zhytet në një krizë të thella financiare me sistemin e ri fiskal janë të pavërteta.

“Një frikë nga një apokalips që na pret se, nafta do shkojë në stratosferë, do rriten çmimet e bukës, dhe në fund fare do bëhet i papërballueshëm çmimi i jetesës dhe Shqipëria do bjerë në humnerë. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të mjegulluar pamjet e publikut për një sërë ndryshimesh rrënjësore, në kulturën e qeverisjes, në qasjen ndaj qeverise dhe ekonomisë dhe financave, ekonomisë familjare dhe ekonomisë kombëtare, në kurajën e qeverisë, për ta parë në sy realitetin që na e kanë lënë ata që deri dje e zhytën Shqipërinë në borxhe, në papunësi, në varfëri, e vërteta është tërësisht ndryshe. E vërteta është se ne, në respekt të plotë të mandatit që kemi marrë të 1 milionë shqiptarëve, në respekt të vlerave dhe parimeve që mëshirojnë forcat e aleancës qeverisëse, kemi marrë përsipër ti japim fund një tradite gënjeshtrash të ëmbla për popullin dhe të formulojmë një kulturë të re për popullin, qytetarët, për çdo njeri që kontribuon me taksat e veta në buxhetin e këtij populli, duke parapëlqyer ilaçin sado të hidhur të të vërtetës përkundër mjaltit të gënjeshtrës”, theksoi kreu i ekzekutivit.

Ai sqaroi se janë të pavërteta deklarimet se me rritjen 10 lekë të çmimit të karburantit do të shtrenjtohet jetesa në vend. Sipas kryeministrit, qeverisje kaluar e rriti disa fish çmimin ndërsa qeveria e aktuale nuk do të lejojë që kjo rritje të japë asnjë impakt në çmime, përkundrazi do të sjellë impakt, sipas tij në pastërtinë e mjedisit. “Pretendimet për naftën. Tërësisht e pavërtetë që rritja prej 10 lekësh që ne i bëjmë taksës së qarkullimit, do të sjellë rritje të çmimeve të ushqimeve, rritje të përgjithshme, mbytëse të çmimit të jetesës është e pavërtetë, dhe kush flet. Flasin ata që kur e morën në dorë administrimin e kësaj shtëpie e kishin çmimin e naftës 600 lekë dhe kur e lanë shtëpinë në rrëmujë e prag djegies, e lanë çmimin e naftës 1 800 lekë.

 

Imagjinoni, nga 600 në 1 800 lekë. Pra dhe përsëri në këtë aspekt nuk mund të themi se u përmbys Shqipëria, për 10 lekë që shtohen jo vetëm që nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë për çmimet, por përkundrazi, këto shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve, për një mjedis më të pastër sepse kjo është një taksë e vendosur qysh në krye të herës dhe një taksë që nga vendet normale i shërben ndotjes së mjedisit, uljes së trafikut në qytete dhe shëndetit publik dhe nuk shkon si barrë në xhepat e atyre që nuk marrin makinën për të bërë xhiro në bulevard apo në distanca të shkurtra brenda qytetit. Por, shkon në xhepat e atyre që kanë një mundësi të kenë një makinë dhe është botërisht e njohur që është një taksë që dekurajon lëvizjen me makinë në qytet dhe kjo në të mirë të shëndetit publik, që të lëvizin më shumë në këmbë apo mjete të tjera, dhe këtë e bën gjithë bota dhe mos e bëkemi dot ne. Do shtohen financimet për të rritur përmasën e gjelbër për të zgjeruar mushkëritë e vendit tonë dhe njëkohësisht për të përmirësuar shërbimet shëndetësore”, tha Rama.

Më tej ai e cilësoi si turp deklaratat se do të rritet çmimi i bukës. “E pavërtetë historia e çmimit të bukës, turp i madh. Ndërkohë që të gjithë këtë propagandë të shfrenuar kundër këtij transformimi të shfrenuar e prodhon frika nga projekti, ky është projekt fitues, ky është program fitues. Vetëm 3% e furrave të bukës punojnë me naftë dhe ju siguroj dhe për ato nuk do të ndodhë. Si do të ndodhë kjo? Ju siguroj që dhe çmimet në tregun ndërkombëtar, ne nuk jemi si ata që nga 600 në 1 800 të çojmë çmimin e naftës. Ne nuk jemi si ata që dhe motin e keq ia faturojnë kundërshtarit. Pra dhe kur çmimi i naftës vijon me 3 pikë, jeta vazhdon kudo se po të ishin të vërteta këto do ishte zhbërë planeti. Është një taksë si burim për të ardhurat e buxhetit të shtetit që do shërbejë e ndikojë drejtpërdrejt për kushtet e mjedisit e dhe sistemin shëndetësor”, tha Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama