Një ceremoni e posaçme do të zhvillohet të martën, më 24 qershor, në Lazarat, ku qeveria do të nderojë punën e kryer nga Policia e Shtetit për prishjen e dhjetëra parcelave të kanabis sativa dhe rikthimin e shtetit ligjor pas rreth 20 vitesh në këtë zonë të Jugut të Shqipërisë. “Kryeministri Rama do të marrë pjesë në ceremoninë kushtuar forcave policore të angazhuara në operacionin e Lazaratit”, bën të ditur qeveria në ditarin javor të saj.
Pra, në ditën kur Shqipëria do të jetë me sy dhe me veshë nga Strasburgu për vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për statusin, qeveria shqiptare do t’i kushtojë një ceremoni nderimi forcave të policisë shqiptare, të cilat ndërmorën operacionin më të suksesshëm në historinë e saj, të vendosjen së shtetit ligjor në “republikën e kanabisit” në Lazarat. Në këtë ceremoni pritet të jenë prezentë edhe përfaqësues të lartë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe një pjesë e ministrave të qeverisë “Rama”. Kryeministri pritet të mbajë një fjalim përshëndetës për operacionin e kryer në Lazarat. Ky aktivitet nderimi do të mbahet tek Akademia e Policisë në Tiranë.
Rama
Në mbylljen e operacionit pesëditor nga forcat speciale policore, Kryeministri Rama, nga selia e qeverisë, përshëndeti mbylljen e tij pa asnjë viktimë. “Pas pesë ditësh luftë me një hordhi kriminelësh të rritur në prehrin e politikës dhe të lidhur ngushtë me pushtetin e deridjeshëm, ajo republikë e turpit politik e shtetëror nuk ekziston më dhe Lazarati është thjesht një fshat i Shqipërisë si mijëra të tjerë. Pas pesë ditësh e netësh nën ankthin e madh të përballjes së parë reale të shtetit me kriminelët, në atë zonë të pushtuar për 20 vjet rresht nga krimi, qytetarët e ndershëm të Lazaratit dhe familjet e tyre nuk janë më pengjet e një martese të shpifur dhe të stërzgjatur të krimit me politikën”, do të deklaronte Rama në konferencën për shtyp.
Më tej, ai theksoi se tashmë Shqipëria shihet nga mbarë bota me një sy tjetër dhe kjo “falë atyre qindra njerëzve nën uniformën blu, që i kthyen Shqipërisë dinjitetin në sytë e botës, por edhe falë një populli të tërë, që gjatë gjithë këtyre ditëve i mbështeti duke i dhënë kurajë dhe duke i bërë të ndihen ata që në fakt janë njerëzit e policisë, njerëzit e popullit të tyre, mbrojtësit e popullit të tyre, zëdhënësit e aspiratës së popullit të tyre, për të vënë të gjithë, njësoj, përpara ligjit”. Kreu i ekzekutivit njëherësh nuk harroi të falënderonte me superlativa punën e policisë e veçanërisht të ministrit të Brendshëm. “Unë dua të shpreh këtu, bindjen time të rikonfirmuar, se sot ky vend ka një ministër të Brendshëm që prej kohësh i ka munguar dhe pa as më të voglin dyshim po udhëheq një transformim rrënjësor në Policinë e Shtetit dhe në marrëdhëniet mes Policisë së Shtetit dhe ligjit, mes Policisë së Shtetit dhe publikut, mes Policisë së Shtetit dhe vetë misionit të çdo polici të shtetit. Mirënjohje, falënderim dhe vlerësim superlativ sot, për ministrin e Brendshëm.
Dhe po njësoj për drejtorin e përgjithshëm të Policisë dhe për të gjithë drejtuesit e lartë të policisë, që u përfshinë në vetë të parë, pa kursim dhe pa asnjë lëkundje në këtë operacion, që për shumëkënd ishte i pamundur dhe të cilin, shumëkush tjetër e konsideronte test. Ky operacion, që ndan përfundimisht një kapitull të gjatë rrënimi dhe mjerimi të Policisë së Shtetit, nga kapitulli i ri, padyshim, i vështirë, por tanimë i hapur plotësisht, i rilindjes së Policisë së Shtetit, nuk kushtoi as edhe një pikë gjaku”, theksoi Rama.
Reagimi
“Raporti i DASH, krenar për Shqipërinë”
“Krenar për heqjen e Shqipërisë nga praglista e zezë e Departamentit të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore ku e lanë paraardhësit!”. Ky është komenti i Kryeministrit Edi Rama në lidhje me vlerësimin e bërë nga raporti vjetor i DASH-it për situatën e trafikimit të personave gjatë vitit 2013. “Edhe këtë herë përgëzime ministrit të Brendshëm, por një falënderim i posaçëm zv.ministres Elona Gjebrea për punën e shkëlqyer në këtë drejtim”, shkruan Rama në rrjetet sociale. Departamentit Amerikan i Shtetit (DASH) publikoi dy ditë më parë raportin vjetor për trafikimin e personave për 2013-n, ku konstatohet përparim për Shqipërinë, e cila, nga lista e vendeve në vëzhgim “Grupi 2” që ishte një vit më parë, tani renditet më lart.