Rama dhe Mediu akuza ndaj njeri-tjetrit

Rama dhe Mediu, akuza ndaj njeri-tjetrit

Përplasjet mes të majtëve dhe të djathtëve kanë vazhduar në seancën parlamentare, edhe pas largimit të një grupi deputetësh të mazhorancës. Debati ka vazhduar mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të republikanëve, Fatmir Mediu, në lidhje çështjen e pronave dhe atë të përndjekurve. Rama akuzoi PD-në se i ka rindarë të përndjekurit politik në klasa brenda klasës, duke bërë që një pjese t’i jepej kësti i dytë dhe pjesës tjetër zero. Ai tha se, këto veprime janë bërë nga mbeturinat më të shëmtuara të regjimit komunist. Kryeministri shtoi më tej se qeveria e tij ka dhënë fondin më të madh  për të përndjekurit dhe nuk u ka marrë kurrë votën.

“PD duhej të ishte prezent. 20 vjet i keni zvarritur nëpër gjyqe. Mediu bën sikur përfaqëson pronarët. S’kam parë të shkosh të takosh të përndjekurit. Keni rindarë të përndjekurit politik në klasa brenda klasës, duke bërë që një pjese t’i jepni këstin e dytë dhe pjesës tjetër zero. 2 027 dosje të verifikuara prej jush. Jeni mbeturinat më të shëmtuara të regjimit komunist. Do marrin të gjithë paratë. Jemi krenarë për dy arsye, se pavarësisht krizës ekonomike kemi dhënë fondin më të madh dhe ne nuk ju kemi marrë kurrë votën, duke ju thënë që ne jemi. Ka dy palë në Kuvend, njëra që vjen kurdo kur ka seancë për të debatuar dhe vendosur për Shqipërinë dhe një palë tjetër për të prishur çdo lloj mundësie për debat”, tha Rama.

Sipas Ramës, Mediu dhe të tjerë kolegë të tij kur kanë qenë me pushtet e kanë mbajtur përdorur shtetin deri në banalitete. Ai akuzoi Mediun se, ka mbrojtur nënkryetarin e komisionit te kthimit të pronave, që rezulton si pronari i parkut të Butrintit.

“E kuptoni çfarë ka mbajtur Shqipëria? Njerëz që e kanë përdorur shtetin deri në banalitete. E kanë përdorur tezën deri imagjinoni të dalë pronari i Koloseut të Romës. I kanë marrë votën 20 vjet rresht, duke bërë sikur e përfaqësojnë, e morën Kuvendin 1 orë për të mos thënë asgjë. E dimë që e kemi prejardhjen nga iliret, edhe më thellë nga pellazgët, por i vetmi që pretendon se rrjedh direkt nga familje ilire është nënkryetari komisionit të kthimit të pronave, pronari i parkut të Butrintit, i vetmi pronar në botë i një amfiteatri të trashëguar nga antikiteti, i vetmi që mund të provojë se rrjedh nga antikiteti, krah për krah me kryetarin e PR-së. E kuptoni se çfarë ka mbajtur Shqipëria në qafë 8 vjet rresht apo jo”,- tha Rama.

Ndërsa, Mediu iu kundërpërgjigj Ramës nëpërmjet fyerjeve. Ai përdori një thënie të Anshtajnit, duke thënë se dallimi mes gjeniut dhe budallait, është se budallai nuk ka limite, ndërsa gjeniu po. “Jam përpjekur që në pozicionin tim si deputet t’i përmbahem etikës. Anshtajni i madh ka thënë se dallimi mes gjeniut dhe budallai, është se budallai nuk ka limite ndërsa gjeniu po. Kryeministri të gjej veten. E rëndësishme që kur flet të bazohesh në fakte. Keni thënë që nuk jeni parti e pronarëve. Kam qenë kundër ligjit 7501. Ke filluar ta bësh ti Shaban Qosen”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama i ka kujtuar Mediut edhe njëherë se, katrahura që ish-qeverisja e djathtë la me çështjen e pronësisë është edhe një nga shkaktarët kryesorë të vrasjeve në vend. “Anshtajni është shumë i madh për t’u futur mes jush dhe meje. Unë di një shprehje tjetër, distanca mes ne të dyve. Përsa i përket temës e para është fantastike. Ju të gjithë merrni fjalën dhe pretendoni etikë dhe ankoheni se ju fyejnë. Unë ju sfidoj që të gjeni një fyerje në fjalët e mia qoftë ndaj jush apo opozitës në tërësi apo në të gjitha fjalët tona në gjithë këtë ballafaqim. Jeni fantastik, sepse që kur jeni ulur në opozitë vazhdoni të flisni sikur keni rënë nga qielli dhe problemet me të cilat e përballemi çdo ditë janë krijuar këto 6 muaj. Hipokrizia e madhe e përfaqësimit të atyre që vuajtën nën regjimin komunist”.

“Nuk e di me çfarë argumenti do mbroni faktin se keni prodhuar 8 ligje të gjitha në konflikt me njëra-tjetrën. 20 vjet kohë të humbur dhe për t’i dhënë garanci Strasburgut se, kemi një plan me pronën, na nxjerrin ato ligjet tuaj kur një ligj ta jep, tjetri ta merr, një ta njeh, tjetri ta mohon, tjetri ta kompenson. Jeni bërë anekdota e këtij vendi për të gjitha ato kthime dhe kompensime duke marrë haraç për çdo pronë që keni kthyer dhe jeni gazi më i madh i kësaj bote për të gjitha falsifikimet që keni bërë me pronat. Keni njohur prona sa në gjithë Ballkanin. Sa konflikte pronësie kanë përfunduar në vrasje për shkak të leshelisë që keni bërë ju. Mbi 8 mijë vrasje. Dhe vini i tregoni kësaj qeverie që në 6 muaj ka bërë më shumë se në 8 vjet. Ka akorduar buxhetin më të madh për ish-të përndjekurit. Ju i keni gënjyer përmes mësimeve të asaj partie që pretendoni se e rrëzuat ju. Jeni ju dëshmi e gjallë që në Shqipëri ka pasur regjim komunist”, theksoi Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama