Kryeministri Edi Rama konteston ashpër deklaratën e patriarkut të Kishës Ortodokse serbe, Irenej, duke i cilësuar si jo të dëshirueshme për një vend si Shqipëria, e cila njihet për harmoninë fetare. Në takimin e organizuar në Kryeministri me kryepeshkopin Janullatos, si dhe me patriarkun Ekumenik Bartolemeu dhe drejtuesit e kishave të tjera ortodokse, ku i pranishëm ishte dhe ai serb, Irinej, Kryeministri Rama ka shprehur rezervat e tij për zhvendosjen politike që mori ceremonia e shenjtërimit të katedrales ortodokse “Ngjalla e Krishtit”. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm tre ministrat Erjon Veliaj, Mirela Kumbaro dhe Lindita Nikolla. “Abuzove me mikpritjen tonë dhe u mundova të minosh diçka të shenjtë si harmonia fetare për të cilën jemi krenar, diçka që as fqinjët tanë nuk e kanë. Ndihemi të fyer që një ditë feste e përdorët për politikë të kaluar kohe”, mësohet se i është drejtuar Rama, patriarkut serb. Sipas burimeve, mësohet se kleriku Irinej nuk ka reaguar gjatë deklaratës së lëshuar nga Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri, sipas “Top Channel”, ka theksuar se komunitetin ortodoks, si çdo komunitet tjetër fetar, nuk e bashkon etnia, por besimi në Zotin pa kufij, ndaj dhe nuk duhet as ta ndajnë kufijtë etnikë e as, aq më pak, ta përfshijnë në debate të së shkuarës për kufijtë etnikë, vetë njerëzit e fesë. Për më tepër, ka thënë Kryeministri, askush që vjen në Shqipëri si përfaqësues i një feje, nuk duhet të harrojë se ky është vendi ku bashkëjetojnë në harmoni komunitete të ndryshme fetare dhe ky vend multifetar duhet respektuar nga çdo vizitor, siç respekton çdo vizitor. “Fakti që autoritetet më të larta të shtetit ishin mbledhur të dielën, për të respektuar komunitetin ortodoks dhe kremtuar bashkë me të katedralen e re, ishte shprehja tradicionale e respektit që ka ky vend për çdo fe, e çdo komunitet fetar, mësohet të ketë thënë Rama. Dhe, – vijoi Rama, – Shqipëria është vendi më i gabuar për deklarata, si ato të patriarkut serb. Pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, ky debat thjesht nuk ekziston më dhe deklaratat në fjalë thjesht nuk respektuan as vendin, as komunitetin ortodoks shqiptar e, padyshim, as komunitetet e tjera, duke e cenuar fatkeqësisht gëzimin për ngjarjen madhështore. Ndërsa, sipas burimeve pranë Kryeministrisë, mësohet se Rama, si pasojë e këtyre qëndrimeve të klerikut serb Irinej, nuk ka preferuar që të jetë i pranishëm në drekën që u shtrua në hotel “Sheraton”, pas ceremonisë kishtare, e organizuar nga Kisha Ortodokse.
Kosova
Në një intervistë për “Top Channel”, patriarku serb Irinej u shpreh se “ne me shqiptarët kemi jetuar në shekuj. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme midis dy popujve tanë. Ajo që po ndodh në këto kohëra midis nesh, pra shkëputja e Kosovës dhe krijimi i një shteti të pavarur nga Serbia, ne na rëndon shumë. Kosova dhe Metohija për ne serbët është pjesa më e shenjtë, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore. Rezidenca e patriarkanës serbe faktikisht është në Pejë dhe i bie që rezidenca e patriarkanës serbe të jetë në një shtet tjetër dhe jo në Serbi. Këtë ne nuk mund ta pranojmë dhe ta kuptojmë. Ne jemi të gatshëm që të gjejmë një zgjidhje të drejtë, që të dyja palët të jenë të kënaqura. Nëse ne kemi jetuar me shekuj bashkë, pse të mos vazhdojmë të jetojmë përsëri bashkë”. Kleriku serb ka folur edhe për çështjen e të larguarve nga Kosova. “E para do të ishte që t’u krijohet mundësia të gjithë atyre të larguarve të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të gjendet mënyra që të jetohet përsëri qetë në Kosovë. Ata kanë jetuar momente të vështira, shtëpitë e tyre janë djegur, pronat janë përvetësuar nga banorët shqiptarë dhe nuk u lejohet atyre që të kthehen në shtëpitë e tyre. Tani kemi marr vesh që edhe shumë nga varret tona po humbasin apo po dëmtohen. Me përjashtim të disa vendeve që u ruajtën nga KFOR-i, pjesa tjetër janë shkatërruar dhe djegur. Serbët asnjëherë nuk kanë qenë armiqësorë në raport me shqiptarët. Më 1912-n, kur Kosova u çlirua nga Turqia, asnjë shqiptar nuk është përzënë nga Kosova dhe Metohija”, shtoi Irenej.
Deklarata e Irinej
Në një intervistë për “Top Channel”, patriarku serb Irinej, u shpreh se “ne me shqiptarët kemi jetuar në shekuj. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme midis dy popujve tanë. Ajo që po ndodh në këto kohëra midis nesh, pra shkëputja e Kosovës dhe krijimi i një shteti të pavarur nga Serbia, ne na rëndon shumë. Kosova dhe Metohija për ne serbët është pjesa më e shenjtë, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore. Rezidenca e patriarkanës serbe faktikisht është në Pejë dhe i bie që rezidenca e patriarkanës serbe të jetë në një shtet tjetër dhe jo në Serbi. Këtë ne nuk mund ta pranojmë dhe ta kuptojmë. Ne jemi të gatshëm që të gjejmë një zgjidhje të drejtë, që të dyja palët të jenë të kënaqura. Nëse ne kemi jetuar me shekuj bashkë, pse të mos vazhdojmë të jetojmë përsëri bashkë”.
Berisha: Peshkopi serb, armiku i madh i shqiptarëve dhe nun i Ramës
Për deklaratat e lëshuara nga patriarku serb ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një reagim në “Facebook”, ish-kryeministri e dënon deklaratën e Irinejt, duke u shprehur se ai i ka duart me gjakun e shqiptarëve. “Të dashur miq, duke vlerësuar si historike në jetën shpirtërore të kombit tonë shenjtërimin e katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’, natyrisht dënoj si deklaratën e Irinej, këtij armiku të egër të shqiptarëve që nuk duhej të ftohej kurrsesi në Tiranë, ashtu edhe aktet provokuese të ulëta të suitës së huliganëve serbë që e shoqëronin atë. Por këto akte nuk duhet të zbehin apo të përbaltin rëndësinë historike që ka për kishën tonë ortodokse autoqefale shenjtërimi i katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’. Ultranacionalisti Irinej, që i ka duart dhe shpirtin e lyer me gjak shqiptarësh, i cili kurrsesi nuk duhej ftuar, me deklaratat e tij dhe huliganët që e shoqëronin me aktet e tyre, dëshmuan se kanë ardhur me qëllim pikërisht ta shndërrojnë këtë akt të madhërueshëm hyjnor në një akt sherri të turpshëm”, shkruan Berisha.
Ish-kreu i PD-së më pas e dënon qëndrimin e klerikut serb, por në të njëjtën kohë e lidh praninë e tij në Tiranë, me vizitën e pritshme të Ramës në Serbi. “Duke dënuar me ashpërsi deklaratën e kryepeshkopit Irinej, ftesën e tij në këtë ngjarje të shenjtë për shqiptarët, si dhe rrugaçërinë e suitës së tij, shpreh dhe një herë urimin tim më të përzemërt për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë për këtë ngjarje të madhe në historinë shpirtërore të kombit tonë. Mesa duket, Edi Rama ka zgjedhur kryepeshkopin Irinej si nun të vizitës së tij në Beograd, pesë herë të shtyrë deri tani nga pala serbe. Unë ftoj miqtë e mi të mos ngatërrojnë aktet primitive të Kryepeshkopit Irinej dhe huliganëve që e shoqëronin me aktin e madhërishëm e hyjnor të shenjtërimit të katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, një akt historik për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Berisha.