Kryeministri Edi Rama thotë se në kushtet kur Ballkani përballet me efektin e krizës ekonomike, “Shqipërisë i duhet të rishohë modelin ekonomik të saj”. Zoti Rama po merr pjesë në konferencën e BERZH-it në Londër
Qeveria e Shqipërisë beson te ristrukturimi i modelit ekonomik dhe tek afrimi i ligjshmërisë me praktikat europiane.
Kryeministri Edi Rama ftoi investitorët për t’u afruar në Ballkan, pasi siç theksoi “e shkuara nuk kthehet më”.
Zoti Rama po merr pjesë në Londër në forumin rajonal të nivelit të lartë për Investimet në Ballkanin Perëndimor që organizohet prej Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH.
“Kufijtë nuk duhet të na ndajnë, por përkundrazi, duhet të jemi të ndërgjegjshëm për krijimin e një tregu rajonal të përbashkët”-tha zoti Rama.
Kryeministri thotë se në kushtet kur Ballkani përballet me efektin e krizës ekonomike, “Shqipërisë i duhet të rishohë modelin ekonomik të saj”:
“Modelit të vjetër ekonomik i ka kaluar koha dhe problemet e shkuara jo vetëm nuk do të ndodhin më por se ne jemi duke u përpjekur në strukturimin e ligjeve të nevojshme për të mos e lejuar më ngjalljen e problematikave”.
Sipas kryeministrit Rama, qeveria në Tiranë është e angazhuar dhe e përkushtuar që punojë ritmikisht për ristrukturimin e ekonomisë.
Zoti Rama thotë se Shqipëria pse është siç thekson “ende shumë larg praktikave europiane”, nuk duhet t’i japë “më shumë jetë sistemit ekonomik aktual”.
Për kryeministrin, me shumë rëndësi është përgatitja e terrentit për investimet e huaja në Shqipëri, pasi gjykohet si një ndër hapat e parë për ndryshimin e profilit ekonomik të vendit.
“Duke u krahasuar me fqinjët, ne kemi mundësi të njëjta në fushën e energjisë, kemi pasuri natyrore, pasuri nëntokësore, naftë, ndaj duam zhvillojmë modele të përgjegjshme duke patur parasysh mjedisin”, tha ai, ndërsa vuri theksin në rëndësinë e mirëmenaxhimit të aseteve natyrore. Një tjetër hapi i qeverisë në funksion të ndërtimit të modelit të ri ekonomik, sipas kreu të qeverisë shqiptare, është edhe “plani për reformë të thellë fiskale”-th ai.
Kryeministri numëroi disa lëvizje që tha se i ka bërë qeveria e tij për rrugën e riformatimit të modelit ekonomik. Por, kryeministri Rama vërejti se qeveria do të bëjë gjithçka të mundshme për të zbatuar modelin e ri në atë që e vlerëson si “proces që fillon me zëvëndësimin e disa hallkave” dhe që ka nevojë gjithashtu për të garantuar qytetarët ndërsa shkohet drejt rritjes së nivelit ekonomik.
“Qeveria do të jetë partner me këdo që do të bëjë biznes në vendin tonë. Një aktor garant për mbarëvajtjen e bashkëpunimit biznes-qeveri është Këshilli Ekonomik Kombëtar, ku biznesi mund të denoncojë korrupsionin”-tha kryeministri. BERZH ka ndarë 1.2 miliardë euro në vitin 2013 për 80 projekte në Ballkanin Perëndimor, ndërsa forumi në Londër synon evidentimin e investimeve dhe mundësive për bizneset, duke veçuar energjetikën.
“Nuk duhet të ngadalësojmë. Duhet të jemi në gjendje të bëjmë rregullime me qëllim që biznesi të punojë. Projekti i 20 viteve të ardhshëm fillon sot, jo vetëm me biznesin, por në partneritet edhe me rajonin. Të gjithë bashkë mund të jemi shumë të fortë”-shtoi zoti Rama. Veç zotit Rama, në forum flasin dhe përgjigjen në pyetje të ndryshme edhe kryeministrat e Kosovës, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës dhe shteti maqedonas.