TIRANË, 27 Tetor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama, i cili ndohet për një vizitë tre ditore në Hong-Kong, duke folur në forumin "Hong-Kong and Albania Trade & Investment Forum", shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të mirëpritur investitorë nga Kina. Gjatë fjalës së tij para rreth 100 sipërmarrësve nga Hong-Kongu dhe Kina, të interesuar për të investuar në Shqipëri dhe për të rritur shkëmbimet me vendin tonë, Rama vuri në dukje potencialet e mëdha që ofron vendi ynë për investitorët.
"Aktiviteti i sotëm na ofron platformën për të diskutuar për investime aktuale dhe të ardhshme në vendin tonë, sepse qeveria jonë ka për qëllim të zgjerojë axhendën e investimeve të brendshme, duke u angazhuar në biznese dhe komunitetet e investimeve të Hong-Kongut dhe Kinës", tha kreu i Qeverisë.
Në vijim, ai shprehu angazhimin e qeverisë së tij për të riformësuar modelin e zhvillimit ekonomik, bazuar drejt burimeve të vërteta të zhvillimit, duke filluar nga nafta dhe mineralet, energjia, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria.
Rama informoi të pranishmit edhe për avantazhet që ofron tregu shqiptar për investitorët, duke iu referuar pozicionit gjeografik, sistemit fiskal, kostos së punës, por edhe klimës pozitive në rajon.
"Të investosh në Shqipëri nuk do të thotë thjesht të investosh në Shqipëri, por të investosh në një treg shumë më të gjerë dhe të kesh potenciale më të mëdha zgjerimi në një zonë që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor. Deri para pak vitesh ishte e pamundur ta imagjinoje këtë zonë si një treg të përbashkët, por sot ajo është në fakt një treg i përbashkët. Për sa i përket taksave dhe kostos së punës, ne jemi në një pozicion shumë të favorshëm, por veçanërisht kosto e punës tek ne deri tani është shumë e ulët", theksoi ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryeministri u tha të pranishmëve në këtë aktivitet se, Shqipëria është një vend ku ia vlen të vish jo vetëm për të investuar, por edhe për pushime.
"Qëllimi kryesor i yni është që ta bëjmë Shqipërinë shumë tërheqëse edhe për vizitorët nga Kina, për të krijuar një treg turistik për vizitorët nga Kina. Jam i sigurt që njerëzit që janë pjesë e kësaj industrie dhe që kanë investuar jashtë shtetit do e shikonin Shqipërinë si shumë tërheqëse nga kjo pikëpamje dhe investimet do ishin me shumë leverdi për vitet që do vijnë, sepse ato do të krijojnë padyshim mundësi shumë të rëndësishme për pushuesit nga Kina dhe Hong-Kongu."
Kryeministri Edi Rama do të takohet edhe me guvernatorin e Hong-Kongut, Leung Chun-Ying./b/k//m.m/