Rama me helikopter nga Shkodra ne Vlore Berisha premiere ne Top Story

Rama me helikopter nga Shkodra ne Vlore, Berisha premiere ne 'Top Story'
Dy kampet politike kanë hyrë në javën vendimtare të fushatës me një axhendë të tejmbushur. Në garën për të tërhequr edhe të lëkundurin e fundit, PS dhe PD janë duke planifikuar mitingjet përmbyllëse, pas një muaji të dominuar prej shesheve të mbushura plot, tawn-halleve, premtimeve e sloganeve partiake. E ndërsa Partia Demokratike do të ndjekë traditën me mitingun përmbyllës në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, socialistët po përgatisin një skenar të ri për të premten. Burimet nga PS konfirmuan dje se për ditën e fundit të fushatës kanë planifikuar dy mitingje paralele në Shkodër dhe në Vlorë.

Një zgjedhje simbolike kjo e PS, që përveç jugut të majtë, synon të zgjerojë avantazhin edhe në bastionin e së djathtës në veri. Mësohet se dy mitingjet janë planifikuar të mbahen në të njëjtën kohë, ndërsa stafi i PS po shikon mundësinë e zhvendosjes së Ramës nga veriu në jug. Burimet bëjnë me dije se ka mundësi që Rama të udhëtojë me helikopter për të qenë i pranishëm në të dyja mitingjet finale. Më tej mësohet se figurat kryesore të socialistëve do të ndahen mes Shkodrës e Vlorës, ku do të japin edhe mesazhet e fundit para ditës së votimit.

Mitingjet e Tiranës

Partia Demokratike e ka tashmë gati axhendën e së premtes për Tiranën. Mitingu i madh do të zhvillohet në orën 20:00 në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të ndiqet i njëjti skenar si deri më tani. Fillimisht, në podium do të ngjiten këngëtarët që kanë shoqëruar kryeministrin Berisha në këtë fushatë, ndërsa më pas eksponentët e lartë të Partisë Demokratike. Për shkak të skemës së zgjedhur, socialistët e kanë zhvendosur mitingun e Tiranës mbrëmjen e së enjtes. Socialistët do të ngjiten një natë para demokratëve në sheshin “Nënë Tereza” për të vazhduar më pas skenarin e tyre për ditën e premte. Nga ana tjetër, dy partitë e mëdha kanë nisur tashmë turin e mitingjeve përmbyllëse në qytetet e vendit, me 2-3 apo më shumë takime elektorale në një ditë.

Gara për ekranin

Shesh më shesh e ekran më ekran! Kjo është taktika e zgjedhur nga Berisha dhe Rama në këtë javë të ethshme drejt 23 qershorit. Me vajtjen tek “Zonë e Lirë” e Arjan Çanit dhe ‘Apartamenti 2XL’ në “Vizion Plus”, kryeministri Berisha i ka hapur rrugën një “revanshi” të ri në ekrane, pasi kishte munguar prej një viti në emisionet politike. Tashmë, strategjia e tij ka ndryshuar jo vetëm sa i përket pranisë televizive, por edhe përzgjedhjes së ekrane. Lajm është rikthimi i Berishës në Top-Story-n e Sokol Ballës, emision i bojkotuar prej kryeministrit prej vitesh.

Burimet bëjnë me dije se Berisha ka konfirmuar praninë e tij të enjten, ndërsa formati i zgjedhur prej tij është ai i tawn-hallit, i moderuar nga Balla. Ndërkaq, kryeministri i ka thënë “Po” edhe Artur Zhejit, ndërsa mbrëmjen e së premtes pritet që ai të jetë në TV Klan, me format dhe moderator ende të papërcaktuar. Rama në anën tjetër pritet që edhe kësaj jave të ndërthurë mitingjet elektorale me intervistat në studio. Ai dhe Berisha pritet të këmbejnë vendet në “Top-Story”, ndërsa Rama ka planifikuar një tjetër intervistë për “Opinionin” e Blendi Fevziut dhe lidhje të tjera direkte. Kjo është java e politikës! Shqiptarët duhet të jenë të përgatitur për të thithur shfaqjet e të gjitha formave para se të përballen të vetëm me kutinë e votimit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama