Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, u nderua sot me Medalje Nderi nga kryeministri Edi Rama, në një ceremoni që u zhvillua në selinë qendrore të Qeverisë, ku morën pjesë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe personalitete të larta të politikës, artit dhe kulturës në vend. Kreu i qeverisë e cilësoi sopranon shqiptare si divën e skenave botërore dhe një ambasadore të shkëlqyer të vendit tonë. Kryeministri Rama vlerësoi lart vlerat artistike dhe kontributin e sopranos Ermonela Jaho, në ngritjen e imazhit të Shqipërisë në piedestalet e artit botëror.
“Arti nuk ka atdhe por atistët kanë. Jam krenar që Ermonela Jaho e cila i takon gjithë botës dhe që atdhe ka Shqipërinë, është këtu me ne për të na dhënë kurajo dhe besim që edhe Shqipëria do të jetë një ditë përkrah Francës, Austrisë, Britanisë së Madhe, njësoj siç është në axhendën e këngëtares së madhe. Politikanët dhe ambasadorët kanë punë me shumë rëndësi për të bërë, por të mos harrojmë që ambasadorët tanë nuk janë vetëm ata që nëpër botë paraqiten me kostumin e diplomatit. Zëri i Ermonelës është zëri shqiptar që përcillet si rreze drite në artin botëror, ndaj dhe Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën do të na e kishte zili çdo vend në botë”, tha Kryeministri Rama.
Nderimi që iu bë sot sopranos së madhe nga kreu i Ekzekutivit, mund të konsiderohet ndër më të lartët, pasi medalja që iu akordua asaj, rezervohet ekskluzivisht për krerë shtetesh.
E emocionuar dhe nën lotë gëzimi, Ermonela Jaho, tha se shqiptarët e kanë vështirë të bashkëpunojnë bashkë, por në momentin që gjejnë çelësin e zemrës bëjnë mrekullira.
“Kjo ishte një surprizë që nuk gjej dot fjalët për ta përshkruar. Ndjehem shumë e nderuar. Nuk ka emocion më të madh se sa kur rrethohesh me dashuri dhe vlerësim. Vlerësimi është çelësi i suksesit në çdo ndërmarrje. E kemi shumë të vështirë të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por në momentin që gjejmë çelësin e zemrës, ne shqiptarët bëjmë mrekullira. Faleminderit, pa ju nuk do të mund ta kisha bërë këtë gjë”, tha Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.