Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati ligjor për kthimin e opozitës në Kuvend, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama udhëtoi drejt Brukselit për një seri takimesh me kryetarin e grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian, Manfred Weber.
Rama duket se do të ketë një përballje jo dhe aq të lehtë me zyrtarë të Parlamentit Evropian, institucion që deri më tani, demokratët e kanë kërkuar si garanci për t'u kthyer sërish vendet e tyre në Kuvend. Në muajin nëntor, Partia Popullore Evropiane shprehu shqetësimin e saj në lidhje me gjendjen politike në Shqipëri. PPE bëri një rezolutë në mbështetje të opozitës shqiptare, ku shprehej e alarmuar për shkarkimet masive nga puna, dhe kërkoi konsensus e gjithëpërfshirje për reformën në drejtësi.
PPE shprehu mbështetjen e plotë për aksionin politik të Partisë Demokratike, dhe i kërkoi Komisionit Evropian që të monitoroje nga afër zhvillimet shqetësuese në Shqipëri. Ndërkohë në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel, kryeministri do të takohet edhe me Presidentin e PE, Martin Schulz, ku pritet me interes qëndrimi që ky i fundit do të mbajë për bojkotin disa mujor të demokratëve. Kryeministri, Edi Rama, është i ftuar të martën në Samitin “Axhenda BE-Ballkani Perëndimor 2015-2020”, që organizohet nga “Miqtë e Evropës” në Bruksel. Vizita e kryeministrit në Bruksel vjen fill pas takimeve që patën patën disa deputetë opozitarë në Parlamentin Evropian. Deputetët thanë se kishin marrë garanci nga ky institucion, në mënyrë që qeveria t’i krijojë kushte opozitës për t’u rikthyer në Kuvend.