Rama ne Elbasan inspekton landfildin dhe industrine e peshkut

Landfilli ElbasanitTIRANË, 16 Nëntor/ATSH/ - Kryeministri Edi Rama inspektoi paraditen e së hënës landfildin e Elbasanit, nga ku deklaroi se trajtimi modern i mbetjeve në landfildin e Elbasanit do të shndërrohet në një model që do të shtrihet në të gjithë vendin. "Ja premtuam Elbasanit këtë dhe po ja bëjmë brenda mandatit dhe jo vetëm u zgjidh një problem, por faktikisht u kalua në një fazë komplet tjetër që s'e ka asnjë qytet tjetër", deklaroi Rama gjatë inspektimit.

Ndryshe nga landfilde të tjera, të cilat do t'i kushtonin bashkisë të paktën dy milionë euro, për mbetjen apo depozitimin e plehrave në Elbasan nuk do të paguhet asgjë. "Ne jemi në përgatitje për ta përtërirë këtë eksperiencë edhe në disa zona të tjera, me shpresën e madhe që në një masë shumë të konsiderueshme ky problem do të zgjidhet me themel një herë e mirë dhe Shqipëria nga një vend i mbytur nga plehrat nga të katërta anët, jo vetëm për shkak të mungesës së pikave të depozitimit, por edhe për shkak të helmeve që ato prodhojnë, të shndërrohet në një vend normal në këtë aspekt, siç e meriton faktikisht", shtoi kreu i qeverisë.

Impianti i certifikuar sipas standardeve të Bashkimit Europian, përveç përpunimit të plehrave do të jetë në gjendje të prodhojë elektricitet. Kjo u konfirmua sot nga Kryeministri Edi Rama Rama gjatë inspektimit.

Po sot, Kryeministri zhvilloi një takim në Elbasan me investitorë spanjollë dhe italianë të angazhuar dhe të interesuar në sektorin e peshkimit. Gjatë vizitës që bëri sot në një fabrikë, Kryeministri u njoh nga sipërmarrësi me planin e investimit, ku u tha se produktet "Rozafa" prej shumë kohësh janë të njohura në tregun rajonal dhe europian. Me përfundimin edhe të dy fazave të tjera të investimit, sipërmarrësi planifikon punësimin nga 300 aktualisht në rreth 1300 punonjës.

"Industri që do të rilindë plotësisht, duke i rikthyer Shqipërisë prezencën dhe forcën në tregjet ndërkombëtare përmes prodhimeve tërësisht të vetat," u shpreh Kryeministri.

Qeveria, siguroi Kryeministri, do të mbështesë çdo përpjekjeje dhe nismë të tillë për ta zhvilluar këtë industri në Shqipëri. Një përpjekje e tillë është edhe ngritja e merkatove të peshkut në vend, ku i pari treg pritet të ngrihet në Durrës.

"Ne jemi shumë të inkurajuar që hapi që ne hodhëm me naftën ka filluar të japë rezultat dhe në radhë të parë ka dhënë si rezultat motivimin e gjithë njerëzve të sektorit dhe pastaj nxitjen për të parë shumë më larg sesa deri dje, kur faktikisht ishim në kushtet e një beteje të përditshme për mbijetesë. Unë jam absolutisht i bindur që është rruga e duhur dhe është koha që edhe në Shqipëri të kemi merkatot e peshkut, ashtu siç janë në të gjithë botën. Në fund të fundit janë instrumente për t'i dhënë vlerë reale këtij malli kaq të çmueshëm, që ne e kemi me shumicë, prandaj dhe nuk e kemi vlerësuar asnjëherë sa duhet. Kështu që edhe në këtë aspekt do ta mbështesim fuqimisht çuarjen përpara të këtij programi dhe në portin e peshkimit në Durrës do të jetë merkato e parë," garantoi Kryeministri./b.k//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama