Rama ne Hong-Kong Energjia nafta e turizmi sektoret prioritare per investime

TIRANË, 28 Tetor /ATSH/ - Kryeministri Edi Rama gjatë një prononcimi për mediat nga Hong-Kongu, ku foli për qëllimin dhe rezultatet e vizitës në këtë vend, duke pasur parasysh zhvillimin e rëndësishëm politik dhe të bashkëpunimit rajonal, tha se investimi në Shqipëri është investim në një treg shumë më të gjerë sesa Shqipëria.

"Ne kemi dy vjet që po përpiqemi në mënyrë sistematike që të mbjellim farën e një ndryshimi të rëndësishëm në aspekt të investimeve të huaja direkte. Shenjat e para tanimë janë të qarta. Por ndërkohë puna vazhdon dhe ne shpresojmë shumë që edhe nga kjo pjesë e botës të ketë një interesim për Shqipërinë, por jo thjesht për Shqipërinë, por me mesazhin se kush investon në Shqipëri investon në një treg shumë më të madh sesa Shqipëria, duke pasur parasysh zhvillimin e rëndësishëm politik dhe të bashkëpunimit në rajonin tonë", theksoi Rama.

Kryeministri evidentoi dhe sektorët prioritarë të cilët përbëjnë dhe interesin më të lartë për investime. "Dihen sektorët ku ne jemi fokusuar për të stimuluar rritjen e mëtejshme dhe sektorët që faktikisht kanë edhe interesin më të madh përsa i përket investimeve, energjia, nafta dhe mineralet, turizmit, bujqësia, padyshim dhe manifaktura si një sektor me një rëndësi të posaçme në këtë fazë për Shqipërinë. Duke pasur parasysh edhe natyrën e rajonit dhe të investimeve të huaja në përgjithësi në rajonin tonë, besoj që ne kemi një fushë shumë interesante për të bërë investime", shtoi ai.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria, një vend tërheqës për investimet është fokusi i përpjekjeve të qeverisë. "Nuk është çështja sa jemi të gatshëm ne të përzgjedhim këtë apo atë vend, çështja është sa të gatshëm janë investitorët nga ky apo ai vend, për të synuar Shqipërinë dhe për të investuar në Shqipëri. Dhe kjo është përpjekja jonë", përfundoi Kryeministri në prononcimin e tij rreth qëllimit të vizitës në Hong-Kong./b.k//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama