TIRANË, 10 Nëntor /ATSH/ - Kryeministri Edi Rama ishte sot në Lushnjë, ku inspektoi dy investime të rëndësishme, përfituese nga skemat mbështetëse të AZHBR-së. Gjatë këtij aktiviteti, Rama shpjegoi dhe programin e qeverisë së tij për zgjerim përmes një programi të ri mbështetës për bujqësinë.
Në fillim të vitit të ardhshëm bëhet efektiv Fondi i Garancisë prej 300 milionë euro, i vlefshëm për tre vitet në vazhdim, në dispozicion të fermerëve dhe sipërmarrësve agrobujqësorë. Ky fond është një program i përbashkët me BERZH, që do t'u mundësojë atyre financimin nga bankat e nivelit të dytë jo me kredi tregtare, por me kredi me kushte shumë të lehtësuara dhe me qeverinë përmes AZHBR-së si garant.
E pranishme në këtë inspektim ishte edhe drejtoresha e AZHBR-së Suela Popa, e cila tha se "për të dytin vit radhazi, qeveria është angazhuar për të mbështetur të gjithë sipërmarrësit në fushën e bujqësisë. Këtu kemi mundësuar ngritjen e një pike grumbullimi e përpunimi të produkteve bujqësore, duke mundësuar kështu krijimin e standardit dhe të konkurrueshmërisë së produkteve tona. Mbi të gjitha kemi mundësuar krijimin e tregut të shitjes së prodhimeve bujqësore të komunitetit përreth, duke punësuar jo vetëm direkt, por edhe indirekt komunitetin e zonës"./b.k//m.m/