Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët vjetor ngjarjesh kulturore. Kjo është nisma më e re e prezantuar nga kryeministri i ardhshëm, Edi Rama teksa ka marrë pjesë në festivalin e filmit, “Dokufest” që realizohet në Prizren.
Përmes një mesazhi në Facebook, të shoqëruar edhe me foto nga takimet që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovë Hashim Thaçi dhe ministrat kosovarë Enver Hoxhaj e Vlora Çitaku, Rama e vlerëson ‘Dokufest’ si një aktivitet kulturor me përmasa europiane i cili në vitet në vijim do të mbështetet edhe nga shteti shqiptar.
“Në Prizren me kryeministrin Thaçi me kolegë e miq, brenda kornizës së mrekullueshme të Dokufest, një aktivitet kulturor me përmasë europiane që vitin tjetër do mbështetet edhe nga qeveria e Shqipërisë. Një kalendar i përbashkët vjetor ngjarjesh kulturore do të jetë një nga risitë e mëdha të bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare”, shkruan Rama në Facebook.