Reshjet e shiut të rëna gjatë ditës së djeshme kanë bërë që lumi Vjosë të dalë sërish nga shtrati, duke zgjeruar hartën e zonave të përmbytura. Në qytetin e Fierit janë përmbytur disa fshatra. Për të parë nga afër situatën, kryeministri Rama ndodhet sot në Vlorë. Ai ka inspektuar argjinaturën e Selevecit dhe deklaroi se kjo situatë është një betejë me natyrën dhe me të shkuarën.
Pasi u njoh me problematikat, Kryeministri u shpreh se janë marrë të gjitha masat për normalizimin e situatës. “Është bërë një punë e madhe, por të gjithë e kanë të qartë se mbetet shumë për t’u bërë, sepse kjo është një beteje me dy fronte. Një nga problemet kryesore është çështja e motit që nuk e kemi në dorë ne dhe fronti tjetër është ai që kemi ne në dorë dhe ne po përballemi me të gjitha forcat për të përballuar situatën. Kjo gjendje që ne shohim sot ka ardhur si rezultat i keqqeverisjes së mëparshme, pasi në këtë zonë nuk është investuar për kanalizimet prej shumë vitesh. Ne do të vazhdojmë me të gjitha forcat të përballojmë situatën”, -u zotua Kryeministri.
Ndërkaq nga të dhënat mësohet se niveli i lumit Vjosë është rritur me 1.5 metra duke dalë nga shtrati dhe 3 familje në lagjen Fitore, janë sërish të përmbytura. Ndërkohë problem mbetet baza ushqimore për bagëtitë. Forcat e Ushtrisë do të nisin menjëherë shpërndarjen e ushqimeve për banorët dhe bagëtitë. Deri më tani nga burimet e ministrisë së Brendshme janë përmbytur rreth 17 mijë hektarë tokë, ku përfshihen tokë bujqësore dhe zona të banuara kanë qenë nën ujë. Rreth 5 mijë hektarë tokë, ku përfshihen vetëm shtëpi dhe zona të banuara, dhe ku janë përqendruar operacionet e ndihmës për banorët janë nën ujë. Ndërsa mbi 600 familje janë evakuuar nga banesat e tyre për shkak të përmbytjeve.