Futbollistëve, të cilët nuk japin maksi mumin në ndeshjen e sotme me Skënderbeun, do t'u prishet automatikisht kontrata. Ky është vendimi i administratorit të Klubit të Futbollit Flamurtari, Sinan Idrizi.
Në një prononcim për "Panorama Sport", Idrizi u shpreh i prerë në këtë drejtim, duke konfirmuar se nuk do të bëjë asnjë tolerim.
Një reagim i tillë i drejtuesit të vlonjatëve vjen menjëherë pas zërave që kanë qarkulluar gjatë ditës së djeshme që flisnin se lojtarë të veçantë të Flamurtarit mund të ndikonin në rezultatin e takimit. Por Idrizi e thotë me bindjen më të madhe se skuadrës së tij nuk i intereson aspak se cila skuadër do ta fitojë kampionatin, por kërkon trepikëshin nga ana e ekipit të tij.
"Do të kërkojmë vetëm fitoren në këtë ndeshje. Futemi në fushë për të marrë trepikëshin dhe duhet të bëjmë maksimumin.
Nuk më intereson kush do ta fitojë kampionatin. Unë kam një apel shumë të qartë për futbollistët e mi. Kush nuk jep maksimumin nesër (sot) në fushën e lojës, automatikisht nuk do të jetë lojtar i Flamurtarit.
Do t'i prishet kontrata. Ndaj, dua më të mirën nga të gjithë. Kush nuk luan, do të largohet", pohoi edhe një herë tjetër Idrizi, duke kërkuar kështu edhe vëmendjen e të gjithë futbollistëve të tij.
Apeli - Ndërkohë, Idrizi ka folur edhe për gjendjen ku ndodhet skuadra e tij, duke u kujtuar lojtarëve se sot duhet të luajnë vetëm ekipin që ata përfaqësojnë, jo për Partizanin apo Skënderbeun. "Jemi në dy pozicione krejt të kundërta me Skënderbeun. Ata janë për kampion, ne jemi në një situatë që nuk duhet të ishim. Flamurtari luan vetëm për vetëm për fanellën e tij dhe për asnjë tjetër.
Ky është mesazh i qartë dhe i pastër. Nëse për ndeshjet e tjera kam kërkuar nga lojtarët impenjimin e detyrës, këtë radhë do të kërkoj edhe impenjimin për t'u dhënë fund llafeve të kafeneve. Thirrja ime do të ishte për tifozët vlonjatë dhe për tifozët e "Facebook"-ut, që Vlora nuk harron, apo hakmerret. Ata që shkruajnë kështu janë djem të rinj dhe nuk e kanë idenë e historisë.
Në vitet 1920, kur bëhej lufta e Vlorës, patriotët që vinin këndonin një këngë: "Vlora, Vlora, bjeri moj të lumtë dora". Dhe ky që e këndonte ishte një patriot nga Korça. Pra, e them këtë që atmosfera të jetë sa më e qetë pasi Vlora nuk është fushë tabu për asnjë. Vlora është një fushë ku mund të luhet dhe të fitohet. Kështu që për mua policia duhet të bëjë minimumin e mundshëm", ka vazhduar administratori.
Kryeministri - Ndeshja mes Flamurtarit dhe Skënderbeut pritet që të ndiqet në Vlorë edhe nga kryeministri i vendit, Edi Rama. Administratori Idrizi u shpreh se prania e tij nuk duhet të politizojë ndeshjen, pasi ai do të jetë në stadium thjesht si deputet i Qarkut.
"Prania e kryeministrit për të parë ndeshjen në Vlorë mes Flamurtarit dhe Skënderbeut nuk do të thotë që të krijojmë një situatë të tipit komplot politik. Kryeministri është deputet i Vlorës dhe më ka konfirmuar se do të vijë në stadium për takimin e fundit të Flamurtarit.
Po ashtu, së bashku do të shikojmë në terren një pjesë të asaj që kemi në letër, pra vendin ku do të ndërtohet stadiumi i ri dhe paketa 'Vlora Sport'. Sigurisht nëse jemi ne fituesit, që mos të paragjykojmë, pasi nuk është hapur akoma procedura e privatizimit", ka përfunduar Idrizi në deklaratën e tij.
ERMAL SIKA