TIRANË, 12 Gusht/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për DITA nga Dhërmiu, ku po pushon me bashkëshorten dhe djalin Zaho, flet për ato që ai i quan "zhurmat e kësaj vere".
Çfarë po ndodh mes tij dhe Metës? Çfarë ka ndërmend të bëjë në shtator. Si i komenton zërat për qeverisje PS-PD? Pse i quan këto pushime më të zhurmshmet e jetës së tij? A do taksohen rrogat e ulëta? A do rriten taksat? A kanë dështuar sipas tij Dogana dhe Tatimet? Çfarë do ndodhë me krizën e RTSH-së. Pezmi me mediat dhe diçka për pilotin gjerman...
Më poshtë intervista e plotë botuar sot në DITA print:
-Megjithë ikjen me pushime të protagonistëve kryesorë, lajmet dhe problemet e aktualitetit politik ziejnë prapëseprapë në temperaturën e lartë të gushtit... Le ta nisim këtë bisedë nga lajmi më i fundit se qeveria juaj po përgatitet të vendosë taksa edhe për rrogat e ulëta nën 300 mijë lekë të vjetra. Donim t'ju pyesnim nëse pakënaqësia e shkaktuar nga ky lajm ka mbërritur deri këtu në Dhërmi, ku ju po kaloni pushimet tuaja më të heshtura?
-Këto pushime janë në fakt më të zhurmshmet për mua. Sepse Zaho ka tanimë zërin e vet në kuvendin e shtëpisë sonë. Por, falë tij, janë padyshim edhe pushimet më premtuese për nga cilësia e shlodhjes, e merituar besoj pas një viti politik pa asnjë ditë pushim. Sepse "bashkëbisedimet" me Zahon e sidomos, larjet tona në det me të dhe cicërrimat e tij, kanë një magji të veçantë që më ka bërë të pushoj së cicërruari në Twitter si në gushtet e shkuara. Jo vetëm kaq në të vërtetë, besoj se edhe njerëzit meritojnë të kenë pushimin e tyre në raport me fytyrën e me zërin tim apo jo?!
Sidoqoftë, unë marr çdo mëngjes dhe darkë përmbledhjen e lajmeve e të punëve të ditës. Aty shoh se vapa e madhe dhe nevoja për të ngacmuar vëmendjen e klientelës së shpërqëndruar prej pushimeve, ka ndikuar shumë në rritjen e mosvëmendjes karakteristike të medias ndaj të vërtetës dhe detyrës për t'i shërbyer me etikë profesionale publikut. Dhe ja, e vërteta në këtë rast është se jo, nuk ka asnjë përgatitje të qeverisë për të taksuar pagat e ulëta! Mostaksimi i pagës nga 300 mijë lekë të vjetra e poshtë është një zotim i mbajtur në kuadrin e alternativës sonë fituese të taksimit të ndershëm në vend të taksimit të sheshtë.
Kështu që ky i taksimit të pagave të ulëta ishte një alarm fals, me një referencë krejtësisht jozyrtare, siç ndodh hera - herës kur letra të rëndomta pune të kontabilistëve të ministrisë së Financave, "kontrabandohen" nëpër media si zbulime mbi politikat "hileqare" fiskale të qeverisë. Po nejse, "ka edhe më keq, ka edhe keq e mos më keq", siç thuhet se thoshin plakat dhe siç me siguri do të thoshin po t'i pyesja se si, fjala vjen, mundi të sajonte gazeta juaj tërë atë titull të madh gushti, me një helikopter gjerman që e ula unë përtokë ngaqë prishi qetësinë mbi jahtin tim në Dhërmi(?)! E hodhët ju atë gur në lumin e informacionit dhe u turrën vrik konkurentët tuaj në treg, për ta nxjerrë e rishitur pa marrë as mundimin më të vogël për të verifikuar nëse ishte e vërtetë apo ishte vetëm një gënjeshtër me helikë të zhurmshme për të tërhequr vëmendjen e konsumatorëve të lajmeve! Sa për jahtin, i vetmi jaht që kemi është komerdarja e Zahos ku ka vend vetëm për të, ndërkohë që ne bëjmë me radhë rolin e motorrit për ta shtyrë "jahtin" e tij në det...
-Faleminderit për këtë përgjigje me kundërpërgjigje, por a nuk mendoni se do të kishte qenë më mirë një sqarim i menjëhershëm i publikut lidhur me taksimin e pagave të ulëta? Apo është më e lehtë që në vend të bëni sa më mirë punën tuaj, të merreni me sa keq e bëjmë ne punën tonë?
-Publiku ynë, ndryshe nga çfarë beson shumica dërrmuese e njerëzve të medias e të politikës, nuk bën pjesë tek 100 të mençurit që zhyten në lumë për të nxjerrë gurin e radhës që hedh shejtanbudallai i radhës! Publiku ynë ka një shqisë shumë të zhvilluar politike. Ai i teston prej kohësh pulsin e jetës politike si edhe aktorët e saj, duke e relativizuar vijimësisht ndërmjetësimin e medias dhe duke i vlerësuar ngjarjet, faktet, qeverinë e opozitën, me një distancë dhe objektivitet shumë më të admirueshëm se sa ndërmjetësuesit mediatikë mes politikës e opinionit.
Ja për shembull, këta të fundit, që nga i pari deri tek i fundit në fakt, përfshirë edhe ju vetë, mendonin me zë të lartë se reforma e energjisë dhe dora e hekurt kundër vjedhësve të korrentit do t'i kushtonin qeverisë lëkurën në zgjedhjet vendore! Por, në të vërtetë, qeveria mori notën e vet më të lartë në vlerësimin publik pikërisht për atë reformë dhe për atë vijë të ashpër sjelljeje që ndoqi në zbatimin e masave të imponuara prej asaj reforme. Pa reformën e energjisë dhe masat që e jetësojnë atë, dhe po njësoj, pa reformat e tjera aq të kontestuara nga minoranca kujitëse, ne nuk do t'i kishim fituar aq thellë zgjedhjet e 21 qershorit të shkuar. Sa për të marrurit tim me punën tuaj, më mirë mos e zgjerojmë bisedën!
-Jo, s'mund të jem dakord, sepse më duket se sidoqoftë nuk iu përgjigjët drejtpërdrejt pyetjes zoti kryeministër. Folët për punën e medias, temë që dihet botërisht se e keni për zemër! Por pyetja ishte lidhur me punën sqaruese që qeveria mund të bënte për publikun në rastin konkret. Pra pa e lënë publikun në errësirën e një të pavërtete të radhës siç e quajtët ju lajmin e vendosjes së një takse të re për pagat e ulëta...
-Unë kam shumë respekt për publikun dhe opinionin e tij. Madje pretendoj se e respektoj publikun më shumë se sa e respektojnë pjesa dërrmuese e medias dhe e komentatorëve. Të cilët pozojnë kryelartë nëpër ekrane e nëpër faqe të shkruara, mbrojtësin e interesave të publikut po në fakt, prioritet kanë garën e tërheqjes së vëmendjes mbi veten me çdo çmim - qoftë ky çmim edhe gënjeshtra që bën lajm. Ashtu sikundër, padyshim, unë respektoj pa kushte qoftë të drejtën e komentatorëve për të thënë çfarë të duan, qoftë të drejtën e botuesve e të redaktorëve për t'u sjellë me publikun si të duan. Por askush ama nuk ma heq dot mua të drejtën që të kem opinionin tim për median e komentatorët, dhe ta shpreh këtë me zë të lartë kur e shoh të arsyeshme!
Më anë tjetër, unë nuk besoj se qeveria duhet të komentojë lajmet që jepni ju, apo të përgënjeshtrojë informacionet e rreme që prodhon përditë tezga e tregut mediatik. Jo vetëm sepse kjo do ta linte qeverinë pa asnjë punë tjetër, pasi janë të shumta lajmet dhe gënjeshtrat e shitura nga media si informacione apo zbulime të pavarura, po sepse qeveria nuk ka për detyrë të bëjë korrigjimin e punës suaj. E cila parimin e vet themelor - të shkelur themelisht çdo ditë prej shumicës dërrmuese të makinerive mediatike - ka konfirmimin ose jo të informacionit nga të paktën dy burime. Ju siguroj me përgjegjësi të plotë se në 99% të rasteve, për lajmet apo faktet që nxirren, merren apo sajohen, nga të ashtuquajturat burime brenda qeverisë, redaksitë apo komentatorët nuk e marrin hiç mundimin të kërkojnë qëndrimin zyrtar të qeverisë. Lëre më pastaj ta publikojnë edhe atë qëndrim, krahas "zbulimit" të tyre! Shkelja e këtij parimi kaq elementar të funksionimit të medias, riprodhon çdo ditë një barbari mediatike që s'ka asgjë të përbashkët me cilësinë e jetës demokratike që duhet të ushqejë liria e medias.
Por, tekefundit dhe shumë fatmirësisht, shqisa mjaft e zhvilluar politike e ndihmon publikun tonë ta ndajë, pa ndonjë mundim të madh, djathin e pakët nga sapuni i shumtë, të cilin shumëkënd në tregun e medias e gënjen mendja se arrin t'ia shesë publikut për djathë.
-Dakord zoti kryeministër, le të ndërrojmë temë atëherë, sepse nuk është e pamundur, po është thjesht e kotë, jo sot po prej vitesh, që të përpiqesh të bindësh Edi Ramën të mos merret me mediat!...
-Jo jo, mbase është thjesht e pamundur që ju të kuptoni se gjithkush që s'është ju, përfshirë edhe mua, dje kryetar i opozitës sot kryeministër i vendit, ka të drejtën të ketë një opinion lidhur me punën tuaj. Por, thënë kjo, lejomëni t'ju kujtoj se po bëhen dy vjet që as kryeministri i Shqipërisë dhe as ndonjë ministër, nuk kanë nxjerrë një gjysmë llafi për të sulmuar në publik ndonjë media apo ndonjë gazetar - kjo ndodhte rëndom deri dje apo ajo?! Gjithashtu, nuk del dot një media apo një gazetar i vetëm që të pretendojë, me faktin më të vogël, se presionet rutinë të qeverisë së shkuar mbi pronarët e mediave nuk kanë marrë fund plotësisht. Besoj se edhe kjo flet më shumë se fjalët apo jo?!
-Kjo mund të jetë e vërtetë, po mbase nga ana tjetër kanë të drejtë ata që thonë se ju jeni një usta i vjetër në joshjen e mediave... Apo edhe ata ia fusin kot?!
-Mbase do të kishin të drejtë po të nxirrnin pas 23 qershorit 2013, qoftë edhe një faturë të vetme reklamash qeveritare - nga ato që qeveria e shkuar i kishte kapicë -, për të lyer rrotën e montuar të makinerisë së saj propagandistike në ndonjë makineri mediatike private. Po as kjo nuk ka ndodhur. Prandaj vërtet le të ndërrojmë temë.
-Edhe diçka të fundit në këtë temë: Si ka mundësi që prej dy vjetësh Radiotelevizioni publik është lënë në degradim të plotë dhe si do të zgjidhet ngërçi i moszgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm?
-Për pjesën e parë të pyetjes do të duhej një përgjigje goxha e gjatë. Por këtu do të mjaftohem duke ju thënë se është qartësisht një gabim i yni që, nisur nga qëllimi i mirë për të gjetur konsensus me opozitën e painteresuar për të rilindur RTVSH-në, lejuam vijimin e një rrënimi të hatashëm pa bërë asgjë për ta rilindur Radio-Televizionin publik. Për pjesën e dytë të pyetjes suaj, besoj se nuk duhet dhe nuk do të vazhdojmë të gabojmë. Shqiptarët të cilët prej 25 vjetësh i paguajnë çdo muaj, bashkë me faturën e tyre të dritave, edhe një taksë kufomës shtetërore me emrin RTVSH, kanë të drejtën të kenë më në fund median e tyre publike. Do të bëjmë edhe një përpjekje të fundit me opozitën dhe pastaj do të shohim. Po them se nuk do të presim përtej shtatorit.
-Shtatori mesa duket paralajmëron shumë furtuna nga ato që ju keni për zemër zoti Kryeministër! Por përpara se sa të kalojmë tek furtuna e madhe e luftës kundër informalitetit apo ajo e shkundjes së shtetit përmes decentralizimit, të cilat ju keni deklaruar se do të nisin në shtator, lejomëni t'ju pyes nëse ju vetë i besoni zërat se do të ketë edhe një furtunë të parë brenda koalicionit? Më konkretisht një furtunë të mbjellë gjatë zgjedhjeve të qershorit për të cilat LSI nuk e ka fshehur nervozizmin ndaj PS...
-Ka jo pak njerëz sot në opozitë që e ëndërrojnë një furtunë të kësaj natyre. Por nuk mungojnë as njerëz brenda vetë koalicionit që e dëshirojnë diçka të tillë. Për arsye të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë përgjithësisht pakënaqësirat personale.
Nuk ka asgjë të panatyrshme sidoqoftë në këtë ëndërr të opozitarëve ose dëshirë të disa shokëve në partitë e ndryshme të koalicionit, përfshirë edhe PS apo LSI. Por ka një problem vështirësisht të kapërcyeshëm për ëndrrën a dëshirat e tyre. Ky është fakti se koalicioni ka funksionuar më së miri në funksion të reformave reale dhe ky është, në fund të fundit, elementi themelor që e bën të suksesshëm e të dobishëm për vendin koalicionin tonë. Çka do të thotë se furtuna e pritshme në këtë drejtim mund të ndodhë vetëm në gota të ndryshme.
-Në Pogradec nuk po betohet dot ende kryetari i ri i bashkisë zoti Kryeministër, apo vazhdon pazari i Roskovecit?
-Mirë e kujtuat për të mbështetur tezën e furtunës, s'kam ç'them, po besomëni, është tipikisht një furtunë krejt kalimtare në gotën e politikës lokale. E cila s'ka gjasë të ngrejë dallgë të vërteta as në liqenin e atij qyteti dhe jo më të influencojë kursin politik të shumicës që qeveris Shqipërinë!
-Troç muhabeti zoti Kryeministër, si janë marrëdhëniet mes PS e LSI dhe jush e zotit Meta?
-Troç muhabeti zoti kryeredaktor, unë nuk e di se çfarë mund të pritet më shumë nga një marrëdhënie partneriteti, e cila në zgjedhjet vendore riprodhoi mbështetjen e 1 milionë votave të zgjedhjeve politike të dy viteve më parë! E të mos harrojmë, rikonfirmuam kufirin historik të 1 milionë votave me pjesëmarrjen më të lartë në një palë zgjedhje vendore njëzet e pesë vitet e fundit, pas një periudhe të parë qeverisëse me aq shumë problem të rënda të trashëguara dhe reforma të munguara njëzet e kusur vite me radhë.
Ndërsa mes meje dhe bashkëkryetarit të koalicionit, marrëdhëniet reflektojnë të dyja anët e medaljes së bashkëjetesës në këtë koalicion. Nga njëra anë bindjen e përforcuar nga suksesi i zgjedhjeve vendore, se ky partneritet është strategjik jo vetëm për të dyja partitë tona po për Shqipërinë në radhë të parë; dhe nga ana tjetër, edhe shqetësimet reale të secilit prej nesh, për t'iu përgjigjur sa më mirë pritshmërisë së lartë të publikut ndaj qeverisë e shumicës sonë qeverisëse, të cilat kanë nevojë vijimësisht për nxitje të mëtejshme dhe korrigjime të vazhdueshme. Kush ëndërron apo dëshiron furtunë mes PS-së dhe LSI-së ose, konkretisht, mes meje e Ilir Metës, duke e bërë çdo qime tra me forcën e dëshpëruar të pakënaqësisë vetjake, kam përshtypjen se do të duhet të presë më shumë se një shtator.
-Mbase do të jetë kështu, po ndërkohë ndonjë media ka arritur deri në pikën që të paralajmërojë një përmbysje të madhe të konfiguracionit të sotëm politik, duke përcjellë informacionin e burimeve të rezervuara brenda kampit tuaj për një skenar të ri koalicioni të madh PS - PD! A e parafytyroni ju si të mundshme diçka të tillë?
-Ah po, të famshmet "burime të rezervuara" brenda kampit tonë të ndonjë medieje që, në fakt, bën rëndom korrierin e atyre që e ëndërrojnë apo dëshirojnë më kot furtunën. Ose, pse jo, edhe të ndokujt që hyn gjysmë padashje në vallen e thashethemeve të avullta të kësaj vape të madhe dhe teston, përmes ndonjë gazete, pulsin e llogores së gjatë të koalicionit. Nejse, të mos humbasi kohë me këto dokrra gushti dhe pse pushimet na e justifikojnë këtë lloj bashkëbisedimi!
Për mua personalisht skenari për një koalicion të madh PS - PD është po aq i mundur sa ç'do të ishte e mundur që Bollywood-i të xhironte versionin indian të Pretty Woman dhe, në vend të Julia Roberts të zgjidhte Lulin, ndërsa në vend të Richard Geere të merrte Kastriot Islamin. Madje edhe sikur për një moment të mendonim se, Luli dhe Kaçi, mund të jepnin dakordësinë për ta risjellë në ekran atë histori të beftë dashurie, është e pamendueshme qoftë edhe për një moment të vetëm, që PS dhe PD të qeverisnin bashkë në këtë periudhë të historisë sonë.
-Po si mund të përjashtohet në mënyrë kaq kategorikisht shpotitëse bashkëpunimi mes dy partive të mëdha të vendit?
-Absolutisht jo! Çka unë përjashtoj kategorikisht është bashkëqeverisja, jo bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës. Nëse do të kishte vullnet nga opozita, konkretisht nga Partia Demokratike, për të bashkëpunuar me qeverinë për çështje që janë përtej llogoreve të patjetërsueshme partiake, unë kam qenë e jam gjithmonë gati. Kam qenë gati kur isha në krye të opozitës, jam gati edhe sot që jam në krye të qeverisë. Sepse kam besuar dhe besoj që partitë nuk fitojnë më shumë vota duke hapur zjarr ndaj njëra - tjetrës për çështje që janë reciprokisht të rëndësishme përtej vijës së zjarrit mes tyre. Çështjet e shtetndërtimit në kushtet e Shqipërisë, janë bartur e kthyer në barrë penguese për vite të tëra pikërisht sepse partitë kanë kujtuar, fare gabimisht, se mund të nxirrnin përfitime duke fajësuar njëra-tjetrën për moszgjidhjen e tyre.
-Kështu thoshte edhe paraardhësi juaj, megjithëse me fjalë të tjera. Për shembull ai thoshte "çështjet e përbashkëta të integrimit", ju thoni "çështjet e mprehta të "shtetndërtimit", po asgjë s'ka ndryshuar përveç roleve! Dje ai i binte gozhdës ju patkoit, sot gozhdën e keni ju dhe patkoi i ka mbetur kryetarit të ri të PD-së...
-E vërtetë dhe e dini pse? Sepse nuk ka ndryshuar as Partia Demokratike dhe as lideri i saj. Vinin kushte dje, vënë kushte sot dhe dialog e bashkëpunim përtej vijës së zjarrit s'ka si të ketë! Ndërsa kryetari i ri i PD-së, ka qenë dhe mbetet zëdhënësi i bindur i të njëjtës filozofi të vjetër drejtuese në PD. Kjo sa për t'ju sqaruar juve, sepse mua, ndryshe nga Saliu që e hante shumë meraku për mbarëvajtjen e punëve në PS, nuk më ha aspak meraku se sa keq shkojnë punët në PD! E gjithë periudha pas ikjes pa largim të Saliut, ka treguar deri këtu se Partia Demokratike është e destinuar të rrënohet njësoj si Saliu - i cili më kujton atë shprehjen, "Jep shpirt po nuk heq dorë!"-, dhe të vetëneutralizohet plotësisht bashkë me të, duke krijuar një boshllëk gjithnjë e më të madh në kampin opozitar.
Nuk them dot se në drejtimin që po flasim, s'i kemi bërë edhe ne gabimet tona kur ishim në opozitë. I kemi bërë, po! Por ama kemi bërë edhe më shumë se sa një orvatje, për të dialoguar dhe kapërcyer vijën e zjarrit lidhur me çështjet e shtetndërtimit apo me probleme të nxehta që e kanë penguar Shqipërinë të lëvizë më shpejt. Jemi orvatur po ashtu më shumë se sa një herë edhe qyshse jemi në qeveri. Unë vetë i jam drejtuar zyrtarisht me letër kryetarit të ri për ta çelur një shteg bashkëpunimi në interesin reciprok të vendit. Mirëpo ka qenë PD-ja dje dhe është PD-ja sot, që çdo ide dialogu për reformat e shtetndërtimit (kujtoj fjala vjen "Territorialen" dhe "Drejtësinë") e kushtëzon me ekzigjencat e llogores së saj.
-A mos jeni shumë cinik me liderin e ri të PD që institucionalisht është në fund të fundit interlokutori juaj në marrëdhëniet mes qeverisë e opozitës?
-Kurrsesi s'jam cinik, jam thjesht realist. Dhe edhe njëherë, më duhet t'ju korrigjoj, Lulëzim Basha është kryetari i ri, ndërsa lideri i PD është ai që ka qenë qysh në ditën e themelimit të saj. I vjetri dhe i papërsëritshmi në llojin e vet, Sali Berisha! E të mos e kesh kuptuar se Saliu është i papërsëritshëm në llojin e tij dhe e papërsëritshme është rruga e sundimit të tij politik në PD, dhe ta drejtosh PD-në njësoj si Saliu duke qenë dikush krejt tjetër e jo ai vetë, do të thotë jo vetëm të mos kesh kuptuar punën që të kanë ngarkuar, po të mos kesh arritur akoma të kuptosh as ç'tu desh ajo punë!
-Le të rikthehemi tek ekonomia, zoti Kryeministër. Rënia e të ardhurave në dogana e tatime është kthyer në kalë beteje për opozitën. PD akuzon përditë se "çifti Rama-Meta dhe sejmenët tuaj kanë vjedhur deri tani 160 milionë dollarë nga doganat e tatimet"! Ku kanë vajtur paratë zoti Rama?
-Është humbje kohe të vraposh pas kuajve të betejave të opozitës, njëri më i hazdisur se tjetri në dukje po thjesht njëri më i ngordhur se tjetri në të vërtetë. Prandaj le të merremi me të vërtetën jo me kalin e ngordhur të betejës propagandistike të radhës së PD-së.
Eshtë e vërtetë, krahasuar me planin tonë ambicioz (jo me kohën kur qeverisnin ata, sepse s'ka asnjë krahasim), të ardhurat kanë qenë më të ulëta. Por analiza tejet profesionale që ne kemi kryer, edhe me ndihmën e FMN-së si dhe po ashtu, të ekspertizës së lartë profesionale të Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit, na tregon se djalli vërtet nuk është aq i zi sa duket! Nuk është vendi i duhur për të shtjelluar këtu të tërë analizën sigurisht. Por mund t'ju jap disa të dhëna shumë të përmbledhura, të cilat në kuadrin e një sërë aspektesh të zhvillimeve ekonomike e financiare të këtyre 20 muajve, do ta ndihmojnë lexuesin të kuptojë jo se sa shumë shpif opozita, kjo dihet, po se sa e paaftë është për të vrojtuar e kuptuar fenomenet.
Janë në fakt tre fenomene që e shpjegojnë devijimin me ulje të grafikut të planit të të ardhurave.
Së pari, rënia e çmimeve të naftës e të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, e cila vetëm deri në fund të majit e ka impaktuar negativisht planin tonë me rreth 35 milionë dollarë. Ky impakt ka vijuar edhe në muajt në vazhdim, por analiza e fenomeneve ndikuese është bërë mbi pesëmujorin e parë. Rënia e normave të interesit, e cila nënvizoj se për ekonominë është diçka pozitive, ka patur gjithashtu një impakt negativ mbi planin. Më tej akoma, ekonomia u rrit në tremujorin sipas parashikimeve (2.8%), por inflacioni ishte nën parashikimet, çka gjithashtu është pozitive për ekonominë, por edhe ky fakt ka impaktin e vet negativ mbi planin e të ardhurave. Të gjitha këto që rendita përbëjnë rreth 1/3-ën e shumës së "vjedhur".
Së dyti, janë dy elementë të tjerë që i shtohen radhës së të mëparshmëve. Nga njëra anë, modernizimi i sistemit të rimbursimit të TVSH-së sipas praktikës së mirë ndërkombëtare dhe praktikës së BE-së gjithashtu, ka një efekt të përkohshëm në rënien e të ardhurave. Ky ndryshim rrënjësor i praktikës së rimbursimit të TVSH-së, ka mbyllur rrugën e vjetër të realizimit të të ardhurave përmes mbajtjes arbitrare të TVSH-së nga shteti në dëm të kompanive. Nga ana tjetër, ne ndryshuam kohën e mbledhjes së taksës së qarkullimit, nga fundi i muajit në gjysmën e muajit tjetër, dhe edhe kjo ka dhënë një efekt zbritës të përkohshëm. Së bashku, këta dy elementë përbëjnë një shumë përafërsisht të barabartë me një 1/3-të tjetër të shumës së "vjedhur".
Një tjetër element me rëndësi që i shpjegon gjërat ndryshe nga si duken në pamjen e parë, është i lidhur me faktin që vërtetë ne importuam shumë më pak energji e naftë se sa çfarë kishim parashikuar dhe kjo ndikoi në rënien e të ardhurave nga doganat. Mirëpo, nga njëra anë mirëqeverisja e sektorit të prodhimit e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe nga ana tjetër rritja e pazakonshme e prodhimit të naftës së përpunuar në vend, janë po ashtu rezultate inkurajuese shumë pozitive për ekonominë. Ashtu sikundër, politikat tona për të nxitur modelin e ri ekonomik të mbështetur tek aktiviteti prodhues, ku spikat heqja e TVSH-së së importit të makinerive, është po ashtu një element që i shpjegon gjërat ndryshe nga sa duken në pamjen e parë. Lidhur me temën që po diskutojmë, kjo do të thotë përsëri se kemi marrë më pak të ardhura në buxhet nga importi i makinerive, po e kemi mbështetur shumë më tepër ekonominë përmes rritjes së konsiderueshme të volumit të këtij importi.
Së treti, rritja e qëllimshme e akcizës së duhanit për të dekurajuar konsumin e tij dëmtues për shëndetin, ka reflektuar ndjeshëm në rënie të ardhurash. Por e pranoj se në këtë fenomen të tretë kemi nevojë sidoqoftë të shkojmë përtej konstatimit "ngushëllues". Sepse përtej të vërtetës që nga njëra anë, kompanitë rendën të krijojnë një stok të konsiderueshëm përpara hyrjes në fuqi të akcizës, dhe nga ana tjetër ka një tendencë rritjeje të prodhimit informal vendas, çështja e duhanit mbetet ende e paadresuar si duhet. Kjo e fundit sigurisht nuk është pozitive dhe kemi marrë masat e para për të korrigjuar qasjen e shtetit në këtë drejtim.
E pra, siç mund ta shihni edhe vetë, edhe pse shumë shkurt, kjo pasqyrë analitike e situatës së të ardhurave tregon qartë një pamje shumë të ndryshme e komplekse në raport me shifrën e "vjedhur".
-Domethënë edhe kjo blozë e opozitës na qenka rozë e qeverisë, zoti Kryeministër?!
-Rozë nuk është më as flamuri i PS-së që ka marrë ngjyrën vjollcë të Rilindjes, e jo më realiteti i ekonomisë shqiptare apo, po të doni, edhe më konkretisht gjendja e doganave dhe e tatimeve të Shqipërisë; institucione që janë vënë në lëvizje në drejtimin e duhur vetëm prej njëzet muajsh, por që kanë një të kaluar aq të rëndë, me tabiate e vijë tradicionale sjelljeje aq për faqe të zezë, të cilat nuk është një llaf goje të fshihen e zëvendësohen me praktikën e mirë të sjelljes etike dhe profesionale!
Jo jo, asgjë s'është rozë, ka jashtëzakonisht shumë më shumë për të bërë që trupat e këtyre dy institucioneve kyç, të zhvishen përgjithnjë nga lëkura e vjetër e çetave të pushtetit dhe të kthehen në trupa profesionistësh europianë. Por padyshim, edhe falë ndryshimeve reale të misionit, qasjes e sjelljes së këtyre institucioneve, sot sipërmarrja ndjehet shumë më mirë se para 20 muajsh. E po ashtu edhe shteti ngjan shumë më shumë me shtetin se sa me Çetën Plakë të pushtetit që e rrënoi si s'ka më keq Shqipërinë deri në 23 qershor 2013.
-Mbase zoti Kryeministër, po pyetja e radhës është shumë e thjeshtë: Mirë ekonomia paska nxjerrë disa të mira nga rënia e të ardhurave, po arka e shtetit me se do mbushet dhe investimet publike me ç'para do rriten? Apo do rrisni përsëri taksat siç kërkon FMN-ja dhe siç nuk duan në asnjë mënyrë shqiptarët që i paguajnë ato?
-Pyetja e radhës është padyshim shumë e thjeshtë. Edhe përgjigja e radhës, të paktën me fjalë, është edhe ajo shumë e thjeshtë: Nëse duam më shumë para për arkën e shtetit, nuk duhet të rrisim taksat për shqiptarët që i paguajnë ato, po duhet të nxjerrim shkopin e ligjit për të shkundur thasët e atyre që nuk paguajnë fare dhe të atyre nuk paguajnë atë që u takon! Dhe do ta bëjmë këtë me vullnetin e hekurt të një qeverie që ka treguar se e ka seriozisht ndërtimin e shtetit modern shqiptar.
-Fjalë të bukura tingëllojnë, po ka njëzet e pesë vjet që kush paguan taksa, pra kush ekspozohet, e ha keq e më keq dhe kush shet e blen në terrin e informalitetit, jeton në një parajsë fiskale! Si kalohet nga fjalët në fakte zoti Kryeministër?
-E thashë edhe më parë, e lehtë ta thuash, shumë e lehtë, po aspak e lehtë ta bësh, tejet e vështirë. Një det i tërë në mes nga e thëna në të bërë, po i madh ishte deti në mes edhe për të ndalur hajdutërinë kolektive të energjisë; edhe për të zmbrapsur krimin e goditur lazaratërinë; edhe për zhdukjen e malit të borxheve të qeverisë ndaj kontraktorëve të shërbimeve publike; edhe për vënien në kontroll edhe për kontrollin e territorit; edhe për rrafshimin e piramidave "universitare"; edhe për thyerjen e tavanit të pensioneve e për çuarjen ku duhet të ndihmës ekonomike; edhe për të frenuar përshkallëzimin e skllavërisë së punës në të zezë; edhe për ndaljen e rrënimit cfilitës të shëndetësisë; edhe për ndryshimin radikal të hartës së administrimit të vendit; edhe për kthimin e dinjitetit të Shqipërisë në politikën e saj të jashtme e me radhë se ka edhe të tjera... Ne jemi të vendosur ta përshkojmë detin në mes të thënë e të bërës me çdo kosto edhe në drejtim të informalitetit në ekonomi. Padyshim përpjekje tejet e vështirë, ndoshta më e vështira e prandaj edhe nuk e nisëm më parë sepse donim të ishim të mirëpërgatitur dhe të mos zmbrapseshim pasi ta nisnim.
Tani ka ardhur momenti i duhur për t'u hedhur në fushën e minuar gjithandej të kësaj beteje historike për ekonominë e Shqipërisë dhe ekonominë e çdo familjeje shqiptare! Në shtator do t'u paraqesim një plan të qartë të qeverisë të gjithë atyre që jetojnë me biznes në këtë vend. Do të jemi krejtësisht transparentë me ta dhe do t'u kërkojmë të bëhen pjesë e kësaj përpjekjeje, e cila është thelbësisht e lidhur me fatin e Shqipërisë Europiane e me detyrimin që kemi ndaj gjeneratës tjetër. Por një gjë është e sigurtë: Nuk do të jetë thjesht e vetëm një betejë kundër të vegjëlve që nuk japin kupona për mallin që shesin! Po në radhë të parë do të jetë një përpjekje për të peshuar realisht barrën e detyrimit ndaj shtetit, të të mëdhenjve. Të cilët, duhet thënë shkoqur fare kjo e vërtetë, janë edhe zemra e sistemit të evazionit fiskal dhe të ekonomisë informale në Shqipëri. Eshtë koha që, ata të parët, të kuptojnë se formalizmi i plotë i tyre dhe fundi i lojës së dy bilanceve, është drejtimi i duhur për vetë të ardhmen e kompanive të tyre, në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Europë. Kam shumë besim se do të mirëkuptohemi, po edhe po nuk u mirëkuptuam, do të kuptohemi drejt me mjetet që ligji na jep të dy palëve.
-Burg, burg, burg përsëri zoti Rama?
-Përpara pak kohësh, legjenda e Bajernit, Uli Hoeness, u zbulua në shkelje të ligjit dhe shkoi me këmbët e tij në burg për evazion fiskal, pa pritur as vendimin e formës së prerë të gjykatës. Askush në Gjermani nuk foli për rikthim të diktaturës hitleriane apo për autoritarizëm putinian, dhe askush po ashtu nuk kërkoi amnisti për kampionin e madh. Thjesht opinioni publik duartrokiti faktin që Herr Hoeness nuk e zgjati më tej procesin gjyqësor që turpëronte atë vetë, Bajernin e Mynihut dhe kombin gjerman! Sepse të paguash taksat sipas shumës që të takon, është shprehja më e thjeshtë dhe kuptimplotë e dashurisë për vendin tënd. Gjermanët e jetojnë me dinjitetin më shembullor dashurinë e tyre për atdheun dhe prandaj Gjermania është ajo që është. E prandaj edhe ne duhet të kultivojmë bindjen se të jesh patriot do të thotë të kesh paguar taksat përpara se sa të këndosh himnin e flamurit!
-Do të doja të shkonim drejt përfundimit të bisedës me një temë të fundit të aktualitetit të shtatorit zoti Rama. Në shtator ju keni lajmëruar edhe nisjen e një fushate brenda Partisë Socialiste për zgjedhjet e reja dhe anëtarësimet në parti, ku i keni vënë partisë një objektiv tejet ambicioz: 150 mijë anëtarë për të festuar 25 vjetorin e lindjes së PS qershorin e ardhshëm. Çfarë do t'u thoshit disave të cilët komentuan se, shpallja e këtij objektivi ishte kundërpërgjigja juaj, flakë për flakë pas zgjedhjeve ndaj rritjes surprizuese të LSI-së, përkundër rënies së PS-së në raport me 2013-ën?
-Ju e dini besoj që unë nuk komentoj komentatorët, por nuk po i shmangem pyetjes. Mua nuk më ka surprizuar aspak rritja e LSI-së, ashtu sikundër nuk më ka ardhur aspak e papritur "rënia" e PS-së. Vendoseni në thonjëza fjalën "rënie", sepse rënia e PS në votat për këshillat bashkiakë ndodh në çdo palë zgjedhje vendore dhe ka një shpjegim të thjeshtë për të cilin kemi folur shpesh më parë. Prandaj pa u zgjatur me rishpjegimin e "rënies" joreale, theksoj se Partia Socialiste nuk e fokusoi fushatën tek votat për subjektin (s'e ka bërë këtë në asnjë palë zgjedhje vendore në fakt) po tek 61 kandidatët tanë dhe tek koalicioni padyshim. Sepse për ne, nuk pati kandidatë të ndarë po kandidatë të përbashkët dhe barra kryesore, për rezultatin e të propozuarve të LSI-së ose të PDIU-së, ishte e jona njësoj si për të propozuarit e PS-së. Prandaj edhe në kalendarin tim të takimeve në mbështetje të kandidatëve, nuk dallohet dot se cili kandidat vinte si propozim nga një parti apo një tjetër. Ndërkohë që votën për këshillat ne e pamë (edhe kjo jo për herë të parë po si gjithnjë në zgjedhjet vendore) shumë më tepër si votë të koalicionit, ku rëndësi parësore kishte të sigurohej shumica mbështetëse për fituesit e aleancës sonë. Ndërkohë LSI apo PDIU po edhe parti të tjera më të vogla, natyrshëm kanë një barrë më të vogël se PS-ja në funksion të kandidatëve dhe një mundësi më të madhe për t'i kushtuar më shumë kohë e punë elektorale votës për listat e këshilltarëve. Kështu që, këtu do të jemi, rritja LSI-së apo e PDIU-së (në rast se do të jetë në koalicion me ne në 2017-ën) do të shoqërohet edhe me rritjen e PS-së krahasuar me 2013-ën.
-Më falni për ndërhyrjen, po konsumi i qeverisjes ku hyn në llogarinë tuaj pak të çuditshme këtu?
-Për efektet e konsumit të qeverisjes së Aleancës për Shqipërinë Europiane, do të duhet të prisni zgjedhjet e tjera pas 2017-ës. Ne jemi ende në rritje dhe pikën e fillimit të zbritjes së natyrshme të pritshmërisë e të mbështetjes publike ndaj nesh, parashikoj se do të fillojmë ta perceptojmë pikërisht atëherë.
-Nejse, mbetet për t'u parë kjo, vazhdojmë me përgjigjen e plotë të pyetjes që ju bëra...
-Po, ne do të bëjmë zgjedhjet në parti dhe do t'i shoqërojmë me një fushatë moderne hapjeje të Partisë Socialiste e me një proces të ri modernizimi të partisë sonë. E cila detyrën për ndryshimin e për modernizimin e Shqipërisë e ka të lidhur pazgjidhshmërisht me domosdoshmërinë për të ndryshuar e modernizuar vazhdimisht vetveten. Objektivi për të pasur 150 mijë anëtarë të regjistruar në këtë parti të madhe të shqiptarëve, ka të bëjë me këtë domosdoshmëri e aspak me çka ju hamendësuat.
-Po ju vetë a do të zgjidheni më në fund si kryetar i PS-së apo, siç përsërit Ben Blushi, do të mbeteni kryetari i vetëm në botë pa mandat zgjedhësish në parti?
-Patjetër, Kongresi ynë Zgjedhor i janarit të vitit të ardhshëm, do të përcaktojë edhe modalitetet e zgjedhjes së kryetarit pas një periudhe dyvjeçare, ku unë e kam drejtuar Partinë Socialiste me mandatin e marrë nga populli në qershor të vitit 2013 për të qenë kryeministër i Shqipërisë. Por sqaroj edhe njëherë që, duke qenë se partitë që e zgjedhin kryetarin e tyre me sistemin, "Një anëtar Një votë", siç e zgjedh edhe PS-ja, nuk bëjnë zgjedhje të kryetarit kur partia fiton zgjedhjet dhe kryetari bëhet kryeministër, ne menduam se do të ishte e gabuar në raport me qytetarët e me detyrat e qeverisë së re që në vjeshtën e 2013-ës, ne të hynim në një fushatë zgjedhore tërësore në parti, përfshirë edhe kryetarin, kur qeveria jonë duhet të trajtonte me urgjencë problemet e rënda të një vendi në rrezik kolapsi financiar dhe energjitik. Megjithatë, përderisa ka një debat lidhur me interpretimin e bërë prej meje e prej shumicës dërrmuese të lidershipit të partisë, është rënë dakord që kjo çështje të adresohet plotësisht në janar. /m.m/