Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, deklaron nga Holanda se Europa sa po vjen dhe po bëhet e paparashikueshme, ndaj gjasat e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, më shumë se me punën e qeverisë kanë të bëjnë me vetë dilemat e BE-së mbi të ardhmen e saj, ku po shtohen radhët euroskeptikëve. Në përfundim të një turi takimesh të një niveli të lartë në Holandën “kryeskeptike” për zgjerimin e BE-së, Rama tha se ka ardhur momenti që Shqipëria të marrë atë që i takon dhe që vlerësimi i 28 ministrave të Jashtëm të BE-së të bëhet mbi progres-raportin e Komisionit Europian. Rama pohoi se gjatë takimeve të nivelit të lartë që ai kishte zhvilluar në Hagë, kishte marrë mbështetje dhe vlerësim për reformat që qeveria nën drejtimin e tij kishte zhvilluar në këta nëntë muaj të parë në drejtimin e vendit. Ai zhvilloi një takim me Kryeministrin holandez, Mark Rutte, ku vëmendja u përqendrua te reformat dhe nismat e qeverisë, sidomos kundër korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar. Në takimin që Rama zhvilloi me ministrin e Jashtëm holandez, Frans Timmermans, u shprehën vlerësimet për punën dhe qeverisjen bindëse të këtyre muajve të qeverisë së re shqiptare. Nisur nga ndjeshmëria e madhe që kanë çështjet e zgjerimit të BE-së, te Parlamenti dhe Senati holandez, Rama zhvilloi një takim të përbashkët me kryetarët e këtyre dy dhomave përfaqësuese e ligjvënësve holandezë. Ai e mbylli vizitën e tij intensive në Hagë me një takim me studentë shqiptarë bursantë të Bashkimit Europian dhe mbajti një fjalë në Institutin Global të Drejtësisë në Hagë.
Skepticizmi
Pavarësisht se një vend tepër skeptik si Holanda vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare në kuadër të punës me reformat, Rama u shpreh nga Haga se duhet parë sesi do të shkojnë punët në datën 27 qershor kur pritet dhe vendimi për statusin kandidat të Shqipërisë. Sipas Kryeministrit shqiptar, Europa ka nisur të bëhet gjithmonë e më e paparashikueshme dhe se është e rëndësishme që vendimi për këtë status të jepet sipas frymës së progres-raportit që Komisioni Europian do të publikojë për Shqipërinë në datën 3 qershor. “Ne kemi bindjen që progres-raporti do të jetë baza e gjykimit të të gjitha vendeve anëtare. Duam të besojmë deri në fund se asnjë nga vendet anëtare nuk do t’i bishtnojë pikërisht atij angazhimi të marrë bashkërisht në dhjetor, se do të duhet një raport tjetër për të treguar se progresi i madh i vënë re në muajt e parë të qeverisjes është konsoliduar dhe kjo do të mjaftonte që vendet anëtare të shprehen. Të shohim, sepse Europa është gjithmonë e më pak e parashikueshme, dhe gjithmonë e më shumë e lidhur në rrugën e së ardhmes së vet me problemet e së sotmes”, theksoi Rama me skepticizëm të dukshëm. Sipas tij, Shqipëria po kërkon të marrë vetëm atë që i takon dhe jo më shumë. “Puna jonë përbën një bazë shumë solide për të folur hapur dhe për të kërkuar atë që na takon. Atë që na takon, që duhet ta kishim marrë që në dhjetor, ka më shumë arsye për ta marrë në qershor, dhe që shpresojmë se me fundin e zgjedhjeve europiane do të jetë më e lehtë për të mos e lënë pre të debateve dhe paragjykimeve të brendshme të disa vendeve anëtare, siç ndodhi në dhjetorin e kaluar”, theksoi ai.
Takimet
Rama pati një ditë të ngjeshur pune dje në Hagë, të cilën e nisi me takimin e ministrit të Jashtëm holandez, Timmermans. Sipas Kryeministrit në këtë takim, qeveria e tij është përgëzuar ngohtësisht për qeverisjen bindëse të këtyre muajve. Takimi i dytë dhe më i rëndësishëm ishte me kryeministrin holandez, Mark Rutte. “Folëm me Kryeministrin Rutte për progresin real të Shqipërisë e pse Europës i duhet Ballkani ashtu siç i duhet Europa Ballkanit”, deklaroi Rama në rrjetet sociale pas takimit. Ai nuk harroi të zhvillojë një takim me dy drejtueset e ligjvënësit të këtij vendi. Ai i mbylli takimet me një takim me studentë shqiptarë dhe mbajti një fjalë në Institutin Global të Drejtësisë në Hagë.
Anglia
Një tur lobues pritet të nisë së shpejti në Angli nga ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Ky vend ishte Skeptik në dhjetor për dhënien e statusit Shqipërisë dhe në zgjedhjet e fundit për Parlamentin e PE-së ka rritje të faktorit ekstremist
Francë
Më 11 qershor, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga dy ministrat, Ditmir Bushati dhe Klajda Gjosha do të nisen për një vizitë zyrtare në Paris, vend në të cilin po marrin rritje forcat ekstremiste kundër zgjerimit të BE-së
3 qershor
Raporti i Komisionit Europian mbi progresin e Shqipërisë pritet të dalë më 3 qershor. Më datën 4 qershor, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, do të zhvillojë vizitë zyrtare në Tiranë
27 qershor
Pas publikimit të raportit mbi progresin e Shqipërisë, ku do të dalë propozimi për dhënien ose jo të statusit kandidat, më datën 27 qershor ministrat e Jashtëm të BE-së do të japin vendimin përfundimtar