Qeveria lëshon 500 hektarë tokë me çmimin 1 euro në Spitallë të Durrësit, në funksion të prodhuesve, industrialëve apo dhe magazinimit të mallrave dhe shërbimeve në vend. Vendimi është marrë dje gjatë mbledhjes së qeverisë, ku përkrah përcaktimit të veprimtarisë që duhet të kryhet në këtë tokë, është përcaktuar dhe afati i këtyre veprimtarive, i cili do të jetë për 35 vite. “Shpalljen e zonës ekonomike, me statusin ‘Zonë e lirë’, të territorit me sipërfaqe 500 (pesëqind) ha, pjesë e zonës kadastrale nr. 8517, në Spitallë, Durrës, në përbërje të së cilës janë parcelat me numër pasurie, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi. Periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet. Zona jepet me çmimin simbolik 1 euro.
Lloji i veprimtarisë që do të zhvillohet në këtë zonë është: prodhuese, industriale dhe agropërpunim; tregtare dhe magazinim mallrash, si dhe shërbime”, thuhet në VKM. Më herët kjo tokë i është dhënë Ministrisë së Arsimit, për ngritjen e një kampusi universitar për Universitetin “Aleksandër Moisiu”, vendim i cili shfuqizohet. “Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 213, datë 16.3.2011, ‘Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të pronës, tokë bujqësore, të ndodhur në ish-ndërmarrjen bujqësore, Spitallë, Durrës, nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për universitetin ‘Aleksandër Moisiu’, Durrës, për ndërtimin e një kampusi të ri universitar’, dhe nr. 246, datë 12.4.2012, ‘Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien e statusit të zhvilluesit të një territori të zonës ekonomike Spitallë, Durrës, dhe miratimin e bonusit për shoqërinë’, shfuqizohen”, thuhet në VKM. Një praktikë e tillë u pat ndjekur dhe nga qeveria “Berisha”, por që më parë socialistët në opozitë e patën kontestuar një formulë të tillë.