Kombëtarja shqiptare e futbollit pritet të kthehet pasditen e së enjtes në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një mesazh në profilin e tij në rrjetin social "Facebook", duke vlerësuar paraqitjen e ekipit në finalet e Europianit.
Në një njëjtën kohë Rama thotë se Kombëtarja do të prekë tokën shqiptare nesër rreth orës 17:00 dhe kërkon një mbështetje për t'i pritur ata si heronj në shenjë falënderimi.
"Sapo u mbyll kapitulli më fantastik i futbollit shqiptar dhe pas një eliminimi për arsye të golaverazhit, misioni kuqezi në EURO2016 kthehet nesër në atdhe rreth orës 17.00. Le t'u dhurojmë heronjve tanë një festë të paharrueshme mikpritjeje, në shenjë mirënjohje e respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për fanellën dhe imazhin e Shqipërisë",-shkruan kreu i qeverisë.
Kombëtarja mori lajmin e keq të eliminimit nga "Euro 2016" sot pasdite, pas barazimit 3-3 mes Hungarisë dhe Portugalisë.
Ky rezultat nuk favorizon kuqezinjtë, falë golavorazhit me skuadrat e tjera në grupe.