Prezenca e patriarkut serb në Tiranë gjatë shenjtërimit të Katedrales Ortodokse dhe deklaratat e tij se Kosova është tokë e shenjtë për Serbinë, nuk është kaluar pa kritika. Vlerësimi i ashpër ndaj Irinej ka ardhur nga vetë kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, gjatë një takimi që zhvilloi në kryeministri me patriarkët botërorë, ku të pranishëm ishin serbi Irinej, Janullatos, Patriarku Ekumenik Bartolomeu I, dhe primarët e kishave të tjera ortodokse.
Burime të besueshme bëjnë të ditur për televizionin A1 REPORT se Rama ka shprehur qëndrim të ashpër ndaj deklaratave të patriarkut serb për Kosovën, duke deklaruar se Tij Irinej shfrytëzoi një rast fetar për ta kthyer në një çështje politike. Burimet saktësojnë gjithashtu se Rama e ka vlerësuar si shpërfillje të besimit tonë fetar.
“Kolegu juaj”, është shprehur Rama duke treguar me gisht patriarkun serb, “ka abuzuar me mikpritjen tonë, duke e transformuar një festë fetare dhe provën e bashkëjetesë tonë fetare në një çështje politike. “Ne jemi revoltuar dhe na ka fyer”, është shprehur Rama.
E këtë qëndrim të ashpër kryeministri e ka shfaqur dhe me bojkotin e darkës zyrtare të ortodoksëve mbajtur të dielën në mbrëmje, menjëherë pas ceremonisë së shenjtërimit të Katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.