Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot vizitën në Serbi, si një vizitë që e ka përmbushur qëllimin e saj. I pyetur nga gazetarët në lidhje me prononcimet e kryeministrit Vuçiç për deklaratën mbi Kosovën, ai tha se ndien keqardhje kur sheh njerëz që e kanë të pamundur të shohin diçka të dukshme:
Për deklaratat e të tjerëve ndiej keqardhje kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë, e që e kanë të pamundur të hapin sytë për të parë me realitet gjithçka që është e dukshme në sy të të gjithëve.
“Ne shkuam në Beograd me dorën e shtruar të miqësisë dhe pse rruga për t’u bërë miq të vërtetë është më e gjatë se sa dy ditë vizite. Ne do të angazhohemi intensivisht në këtë proces bashkëpunimi. Vizita ishte e rëndësishme dhe ne do ta komunikojmë me vetëdije këtë se kjo është një kohë paqeje për Ballkanin. Do të punojmë intensivisht për të bërë të mundur që gjeneratat e tjera të mos trashëgojnë traumat e luftërave dhe dasive disa vjeçare në Ballkan, kryesisht me shqiptarëve dhe serbëve”, tha kryeministri Rama.
Më tej Rama ka treguar emocionet që ka përjetuar gjatë vizitës dhe pritjes nga shqiptarët në Luginën e Preshevës, ndërsa ka përsëritur se sot më shumë se kurrë duhet të punohet që shqiptarët etnikë atje të gëzojnë të njëjtat të drejta që gëzojnë edhe serbët në veri të Kosovës.
“Dua të shpreh një mirënjohje të sinqertë për Preshevën. E kam të pamundur të tregoj me fjalë e të shpjegoj atë qe ndjej kur m’u dha titulli qytetar nderi në një territor shqiptarësh... Siguroj të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë se nuk do të rresht dhe rreshtim përpjekjet tona që ata të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe liri që gëzojnë serbët në Kosovë. Është modeli se si ne si shqiptarë duhet të jemi para të tjerëve. Nuk duam aspak me shumë nga ajo që duan të tjerët nga ne”, tha Rama në konferencën me median.
Kthimin në Shqipëri përmes Kosovës dhe dalja në rrugë e mijëra shqiptarëve për ta përshëndetur, Rama e ka cilësuar një ngjarje të paharrueshme.
“Një falënderim krejt i posaçëm me përulësi për të gjithë shqiptarët e Kosovës që na e bënë kthimin nga Serbia në Shqipëri përmes Kosovës një ngjarje të paharrueshme, duke dalë buzë rrugëve të çdo zone të banuar për të na përshëndetur. Duke na bërë të ndjehemi mrekullisht mirë dhe të kthehemi me zemrën mal. Faleminderit të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen, të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe atyre që nga jashtë Shqipërisë, ku jetojnë e punojnë në emigracion nuk i kursyen fjalët për të na dhënë mbështetje dhe për të na bërë të ndjehemi mrekullisht mirë. Unë personalisht nuk ndjehem në lartësinë e jashtëzakonshme të fjalëve të mira në adresë time dhe jam i lumtur të ndjehem në lartësinë e pritshmërisë së njerëzve tanë.
E kam shumë të nevojshme të reflektoj, por një gjë jua them të gjithëve me siguri, sot falë kësaj mbështetje ndjehem më i vogël se dje dhe e shoh përgjegjësinë si një mal ende më të lartë se dje. Padyshim do të bëj gjithçka që më takon për të qenë në lartësinë e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme. Faleminderit dhe të gjithë gazetarëve dhe sipërmarrësve që shoqëruan delegacionin tonë në këtë udhëtim. Jam këtu përpara jush me bindjen se sado të flas nuk do arrij ta përshkruaj emocionin dhe ndjenjën e frikshme të përgjegjësisë në raport me gjithë këtë mbështetje dhe inkurajim entuziast”, deklaroi kryeministri.
Nga ana tjetër, Rama nuk ka kursyer kritikat edhe për mediat serbe, të cilët prej ditësh janë përfshirë nga një valë histerizmi dhe fyerjesh ndaj kryeministrit dhe shqiptarëve në përgjithësi.
“U ndjeva shumë krenar për mediat tona, dhe do doja që edhe mediat serbe t’i shihja të çliruara nga urrejtja ndaj shqiptarëve në ditën e sotme”, tha më tej ai.
Bashkëbisedimi me gazetarët:
Në darkën pas konferencës që patët për shtyp arritët të firmosnin një marrëveshje shumë të rëndësishme, për shkëmbimin e të rinjve, a mund ta quani të suksesshme këtë vizitë. Vuçiç ka thënë dje se nuk mund të gjuante me shkop duke lënë të kuptohej se po të kishte mundësi do ta bënte, si do të ktheheni në dhjetor në Beograd?
“Unë padyshim e konsideroj këtë një moment me rëndësi historike, dhe për mua vizita e ka përmbushur plotësisht qëllimin e saj për sa na takon. Për sa i përket deklaratave të palës tjetër, unë ndjej keqardhje për një fakt shumë të thjeshtë, se nuk ka si mos të vijë keq kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë, apo që e kanë të pamundur të hapin sytë për të parë një realitet që është në sytë e të gjithëve. Përtej kësaj unë besoj se nuk ka nevojë të shtojmë komente apo batuta, se shumë batuta do më vinin në mend për punën e shkopit se çfarë mund të bëjë me shkopin kolegu im. Por jam i bindur se e ka përdorur si metaforë dhe e tillë do mbetet për të mos hyrë në historira shkopinjsh".
A do shkoni në samitin që do të organizohet në Beograd?
"Nuk kam asnjë problem të shkoj, një orë e më parë uroj që serbët të mos më kenë problem të shkoj, nuk jam unë që ju krijoj probleme në raport me Kosovën. Janë ata që duhet ta zgjidhin problemin mes të shkuarës dhe të ardhmes".
Me deklaratat tuaja mbushët zemrat në Kosovë dhe në Preshevë. Nga deklaratat dolët fitimtar ndaj homologut Vuçiç. Por sa e ndihmon kjo të ardhmen, çfarë dokumentesh keni lënë ‘pending’ për të hapur një rrugë të re?
"Këtë bisedë duhet ta ulim pak në rrafshin e normalitetit. Darka ishte rezultat i insistimit nga ana jonë për të firmosur një marrëveshje me përmbajtje, donim një marrëveshje të rëndësishme. Dokumenti i inkurajuar nga kancelarja Merkel në lidhje me rininë. Element i munguar ai që iu siguron të rinjve njohjen reciproke të diplomave. Gjërat që qartësisht na ndajnë janë gjëra që s’na ndajnë neve me serbët por ndajnë serbët janë me njëri-tjetrin. E them edhe këtu sa më shpejt ta njohin Kosovën, që më shpejt do çlirohen nga një barrë e rëndë. Këtë barrë që është e habitshme që ia lënë të tjërëve. Lëvizja e lirë me kartë identiteti dhe njohja e diplomave janë dy hapa të jashtëzakonshëm përpara, nëse shohim vetëm dy ditë pas".
Keni pasur reagime nga ndërkombëtarët lidhur me këtë vizitë? Ju keni pasur një darkë me ministrin Hoxha dhe nuk ka qenë kryeministri Thaçi. Nëse mund të na zbuloni detaje nga kjo darkë?
"Kryeministri nuk është gjendur dje në Kosovë, ndërkohë që ndalesa jonë në Prizren ka qenë e lidhur me kënaqësinë e jashtëzakonshme që të jep Prizreni kur ke mundësi të ndalosh dhe të përfitosh nga kuzhina fantastike e Kosovës, edhe pse duhet të mbajmë dietë. S’ka asnjë arsye për të mos qenë të kënaqur nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Jemi në të njëjtën gjatësi vale me komunitetin ndërkombëtar. Koha do të tregojë që ka shënuar një pikë kthese të plotë për marrëdhëniet dypalëshe por dhe marrëdhëniet në rajon".
Jeni cilësuar si droni i dytë si ndjeheni për këtë?
"U bëmë familje dronash më duket, meqë e hodhi vëllai im të parin s’mund të rrija dhe unë pa hedhur të dytin".