Rama per Rai 1 Legalizimi i marijuanes jo diskutim per ne

Rama per 'Rai 1': Legalizimi i marijuanes, jo diskutim per ne

Kryeministri Edi Rama deklaron se Shqipëria nuk ka asnjë plan të afërt për të legalizuar marijuanën në vend, por madje kërkon më shumë bashkëpunim nga vendet europiane në çështjet e krimit të organizuar. Këtë qëndrim, kreu i qeverisë e mbajti gjatë një interviste të dhënë në emisionin e njohur italian “Porta a Porta” të gazetarit Bruno Vespa të transmetuar në kanalin televiziv “Rai 1”. Vërshimi i drogës shqiptare në Itali, përmes kanalit të Otrantos, ka qenë temë kryesore e emisionit të transmetuar mbrëmjen e së hënës dhe ku është intervistuar Kryeministri Rama dhe po kështu ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. I pyetur për mundësinë e liberalizimit të marijuanës, Rama theksoi se diskutimi i kësaj çështjeje në Shqipëri është ende shumë herët, në një kohë kur për këtë çështje ka ende diskutime në vende të zhvilluara. Sipas tij, ajo që ka prioritet në këtë moment në Shqipëri është lufta e pakompromis kundër krimit dhe trafiqeve.

 

“Legalizimi i marijuanës është një diskutim të cilin do të preferoja të mos e bëja. Pastaj nuk i takon Shqipërisë të shkojë më tutje, të marrë një vendim të tillë, kur çështja e legalizimit të marijuanës mbetet ende një temë e hapur në vende më të zhvilluara se ne në BE. Për momentin jemi të përqendruar tërësisht në një luftë me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj trafiku”, u përgjigj ai për gazetarin italian nga ambientet e Kryeministrisë. Por Rama nuk harroi të theksojë se çështja e trafiqeve detare kërkon vullnetin e të gjitha vendeve të Mesdheut dhe veçanërisht Italisë, si një nga vendet destinacion të lëndëve narkotike. Rama theksoi se Shqipëria kërkon nga Italia një bashkëpunim më të afërt të policive dhe strukturave të rendit publik, por dhe të atyre sociale për të luftuar krimin e organizuar.

 

“Ju e dini se ka shumë punë për të bërë në nivelin europian për Mesdheun nga Europa, pasi vijnë shumë emigrantë nga të gjitha anët dhe siguria e deteve është e lidhur me një fakt shumë të thjeshtë; duhet të shkojmë përtej atyre gjërave që jemi mësuar të bëjmë, pasi Europa e gjitha ecën me hap të ngadaltë, problemet rriten me shpejtësi”, theksoi Kryeministri, duke ngritur shqetësimin e nevojës së rritur për një bashkëpunim më të fortë. Nga ana tjetër, i pyetur për çështjen e Lazaratit, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi se në këtë komunë, ku kultivohet në mënyrë masive marijuana, kërkohet një plan më afatgjatë sesa një ndërhyrje e policisë së shtetit.

 

Ai theksoi se kjo komunë duhet të shpëtohet dhe jo luftohet. “Lazarati nuk duhet luftuar, por shpëtuar. Një operacion policor nuk mjafton, pasi problemi duhet menduar edhe për të nesërmen. Është e rëndësishme gjetja e mjeteve të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror”, deklaroi Tahiri për emisionin popullor italian. Një intervistë për emisionin dha dhe kryetari i Komunës Lazarat. Rritja e eksportit të drogës nga Shqipëria drejt brigjeve italiane është bërë një problem i mprehtë për vendin fqinj dhe ndaj media ka një fokus të veçantë në këtë çështje.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama