Kryeministri Edi Rama ka premtuar rindërtimin e stadiumit 'Flamurtari' në Vlorë. Kreu i qeverisë ishte prezent në ndeshjen mes Flamurtarit dhe Skënderbeut (0-2), takim në të cilin klubi korçar u shpall kampion i Shqipërisë për herë të gjashtë radhazi.
Në një prononcim për "TCH", Rama tha se pas "Arenës Kombëtare", radhën do ta ketë Vlora.
"Nuk jam një ndjekës i rregullt i kampionatit, vij shumë rrallë në stadium, kështu që nuk kam ndonjë gjë të veçantë për të thënë. Për sa na takon, ne do vijojmë të bëjmë çmos për të përmirësuar infrastrukturën sportive dhe kam besimin se pas Arenës Kombëtare radhën e ka kompleksi i Flamurtarit", deklaroi Rama.
Ndërsa shtoi se: "do bëjmë një kompleks modern ku do përfshihet stadiumi, pallati i sportit dhe mjediset për sportet e tjera".