Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta në prag të vizitës së tij në Shkodër. Në protestë janë hedhur sot banorët që iu prishën shtëpitë nga ndërtimi i parkingut të stadiumit “Loro Boriçi” në këtë qytet. Me dhjetëra banorë, kanë dashur të protestojnë me pankarta në kohën që kryeministri Rama do të hynte në pallatin e sportit, por nuk janë lejuar nga policia. Mësohet se ka pasur edhe konflikt fizik mes banorëve dhe forcave të poliisë të ardhur rishtas nga Tirana, por edhe ato të FNSH-së në Shkodër.
Banorët ishin përgatitur që në orët e para të mëngjesit për këtë protestë, duke shfrytëzuar praninë e kreut të qeverisë në qytetin e tyre. Në vizitën e tij, Rama ka shpërndarë disa legalizime dhe tapi. Siç dihet, stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër, është parashikuar t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë , ku në pjesën anësore të impiantit ndodhen disa shtëpi banimi, të çilat do të prishen për t’i dhënë jetë projektit të ri të qeverisë.