Në anën tjetër shkruhet:
"Linda dhe Edi Rama dëshirojnë të ndajnë me ju momentet e gëzuara të lidhjes së tyre në martesë... Të dielën, 24 tetor, prej orës 16:00 deri në 18:00 te Xibraku..." Kjo është pamja e ftesës së dasmës së Edi Ramës dhe Linda Bashës, e cila, siç dallohet edhe nga teksti i ftesës, e ka marrë mbiemrin Rama. Ftesat e para janë shpërndarë dje tek miqtë e kryetarit 46-vjeçar të opozitës.
Ftesa ka një histori interesante. Kanë qenë pikërisht ftesat ato që kanë "dekonspiruar" planin e martesës VIP në media para se Rama ta shpallte atë publikisht. Lajmi, të cilin e kanë ditur shumë pak njerëz, i ka shpëtuar "kontrollit", pikërisht kur është dërguar teksti i kësaj ftese, orët e mbrëmjes para se Rama të shpallte në një konferencë shtypi martesën e tij.
Gjithsesi, tashmë gjithçka është gati për një ceremoni finale. Siç u shpreh vetë z. Rama në një intervistë për "Shekulli"-n, ditën e bërjes publike të martesës, ceremonia e së dielës nuk do të ketë "asgjë të pazakonshme, thjesht një mundësi për ta ndarë këtë moment kaq të veçantë njerëzor me miq e dashamirës që dëshirojnë të trokasin një gotë me ne".
Bashkëshortja e ardhshme e kreut të PS-së është 46 vjeç. Veç faktit që të dy kanë kaluar nga një divorc, ata kanë të përbashkët edhe moshën. Ajo dhe Edi Rama kanë vetëm disa muaj diferencë moshe njëri me tjetrin. Rama ka lindur në korrik 1964, kurse zonja e ardhshme Rama ka lindur në 30 dhjetor 1964.
Bashkëshortja e ardhshme e kreut të PS-së ka lindur në një familje tradicionale tiranase. Prindërit e saj quhen Sulejman dhe Haxhire Basha. Ajo ka një vëlla dhe një motër. Lindita Basha është nënë e një vajze lindur nga martesa e parë, Rea Xhillari, e datëlindjes 18 shkurt 1990. Rea është sot studente për Arkitekturë. Linda nuk ka pasur aktivitet politik dhe fusha e interesit të saj publik ka qenë e mbetet shoqëria civile shqiptare. Ajo është zgjedhur edhe anëtare prej disa vitesh në bordin e Fondacionit SOROS për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri, të cilin e drejton prej dy vjetësh.