Rama sot ne Baku firmos 39 dokumentet e TAP

Rama sot ne Baku, firmos 39 dokumentet e TAP

Kryeministri Edi Rama pritet të marrë pjesë sot në ceremoninë speciale që do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërqeveritare për nisjen e punës së gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Rama do të jetë në krye të delegacionit shqiptar, i cili përbëhet dhe nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ai i Energjetikës, Damian Gjiknuri. Delegacioni shqiptar do të jetë përkrah delegacionit italian dhe atij grek, të cilët drejtohen përkatësisht nga Kryeministri Enriko Leta dhe Antonis Samaras. Në këtë ceremoni të rëndësishme pritet të nënshkruhen nga tre kryeministrat 39 dokumente të cilat vijnë pas finalizimit të vendimit për zhvillimin e fazës së dytë të përçimit të gazit drejt Europës nga fusha e Shah Deniz.

 

Tre vendet, Shqipëria, Greqia dhe Italia do të jenë përfituesit kryesorë të këtij projekti, i cili ka si qëllim përçimin e gazit në Europë. Kontrata e zhvillimit të gazit të Shah Denizit është nënshkruar më 4 qershor të vitit 1996. Palët e interesuara në këtë projekt janë kompanitë British Petrolium (BP) dhe Statoil me nga 25.5 për qind të aksioneve secila, NICO, Lukoil dhe SOCAR me 10 për qind dhe TPAO me 9 për qind. Rezervat në fushën e Shah Denizit janë të vlerësuara me 1.2 trilionë metër kubik gaz. Kostoja e fazës së dytë të zhvillimit të kësaj fushe është vlerësuar të kapë shifrën e 25 bilionë dollarëve.

Aksionerët planifikojnë të marrin nga kjo fushë volumin e parë të gazit në vitin 2018. Konsorciumi i gazit azer paralajmëroi zgjedhjen e tij për projektin TAP në fund të qershorit të këtij viti, si rruga për transportimin e këtij gazi drejt tregut europian. Gazi i cili do të prodhohet gjatë fazës së dytë të zhvillimit të fushës së Shah Denizit, do të jetë furnizimi kryesor për këtë projekt. Kapaciteti fillestar i gazsjellësit TAP llogaritet të jetë 10 bilionë metër kub për vit me shansin e rritjes së prurjeve deri në 20 bilionë metër kub gaz përsëri në një vit.

 

Ky projekt konsiderohet i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, pasi kalimi i tij përmes Shqipërisë do të sjellë një sërë përmirësimesh në infrastrukturë. Një nga përfitimet më të mëdha pritet të jetë jo vetëm gazifikimi i vendit, por dhe rritja e numrit të të punësuarve. Nga ana tjetër, në Shqipëri pritet të kalojë një degëzim i këtij gazsjellësi, që kalon kryesisht përmes Shqipërisë dhe në Kosovë, për t’i dhënë mundësi vendit fqinjë që të diversifikojë gjithashtu burimet natyrore të tij.

 

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve të sotme, tre kryeministrat, ai i Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë pritet të zhvillojnë takime me drejtuesit e Azerbajxhanit, të cilët kanë pasur rol të veçantë në përzgjedhjen e projektit TAP për të bërë të mundur transportin e gazit azer drejt tregjeve europiane. Gazsjellësi parashikon si pikë fundore të tij brigjet italiane, ku më pas, gazi mund të përçohet përmes formave të tjera në vendet e Europës dhe më tej.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama