Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ditën e dytë të vizitës së tij në Serbi, do të qëndrojë sot në Preshevë dhe do të takohet me kryetarin e kësaj komune dhe komunitetin shqiptar të Luginës. Vizita e tij në Preshevë është vlerësuar si historike dhe sot kreu i qeverisë do të shpallet qytetar nderi i Komunës së Preshevës. Entuziazmi i autoriteteve vendase duket që është i madh, pasi në hyrje të komunës, dallohen qartë billbordet me mbishkrimin: “Mirë se vjen kryeministër”.
Megjithatë, mediet serbe e kanë quajtur provokim vendimin e Ramës për të vizituar Luginën e Preshevës. Sipas këtyre të fundit, Rama nuk do të organizojë ndonjë tubim, por bëhet fjalë vetëm për një takim t shkurtër me udhëheqësit poliktikë vendas. Sipas informacione, ka një numër të lartë të forcave speciale serbe dhe të xhandarmërisë, ku çdo person që hyn kontrollohet. Sipas mediave kosovare, thuhet se mbi 500 policë janë të angazhuar për mbarëvajtjen e vizitës së Ramës në këtë trevë, ku për 102 vjet, asnjë kryeministër apo president shqiptar nuk e ka vizituar zyrtarisht.
Ndërkohë tensioni në prag të vizitës së Ramës në Preshevë është shfaqur që në orët e para të mëngjesit. Autobusi i delegacionit të gazetarëve shqiptarë që kanë udhëtuar me Ramën për vizitën në Serbi, është ndaluar nga policia serbe në dalje të Nishit. Pas ndalimit për më pak se një orë, grupi i gazetarëve është lejuar të udhëtojë drejt Preshevës dhe sipas policisë serbe, gjithçka është bërë për të lejuar që gazetarët të udhëtojnë me delegacionin zyrtar që shoqëron Ramën për arsye sigurie.
Preshevë, hiqen flamujt anët rrugës
Në një aksion të ndërmarrë në orët e para të mëngjesit janë hequr të gjithë flamujt shqiptarë, të vendosur në shtyllat e rrugëve kryesore të Preshevës.
Qytetarë të Preshevës njoftojnë se flamujt janë hequr mëngjesin e së martës nga persona pa uniformë të cilët shoqëroheshin nga policia. Një ditë më parë u shoqëruan në polici qytetarët që po dekoronin me flamuj kuq e zi rrugët e Preshevës me rastin e vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili mbërrin në orën 11:00.