Rama takon protestuesit ne Shkoder Do kompensoheni pastaj do prishen shtepite

Rama takon protestuesit ne Shkoder: Do kompensoheni, pastaj do prishen shtepite

Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta në prag të vizitës së tij në Shkodër. Në protestë janë hedhur sot banorët që iu prishën shtëpitë nga ndërtimi i parkingut të stadiumit “Loro Boriçi” në këtë qytet.

Me dhjetëra banorë, kanë dashur të protestojnë me pankarta në kohën që kryeministri Rama do të hynte në pallatin e sportit, por nuk janë lejuar nga policia. Mësohet se ka pasur edhe konflikt fizik mes banorëve dhe forcave të poliisë të ardhur rishtas nga Tirana, por edhe ato të FNSH-së në Shkodër.

Banorët ishin përgatitur që në orët e para të mëngjesit për këtë protestë, duke shfrytëzuar praninë e kreut të qeverisë në qytetin e tyre. Në vizitën e tij, Rama ka shpërndarë disa legalizime dhe tapi.

Rama: Do kompensoheni, pastaj do të prishen shtëpitë

Më pas kryeministri ka biseduar vetë me banoret protestues, duke i garantuar ata se nuk do ketë asnjë ndërhyrje para se te gjitha banesat te dëmshpërblehen.

Banorët u shprehen të revoltuar pasi nuk kundërshtojnë prishjen e shtëpive, por duan që shpronësimi të behet me çmimin real të tregut, pasi sipas tyre me një çmim kompensimi prej 8300 lekësh për metër katror nuk mund të blejnë një banesë tjetër.

“Stadiumin do ta bëjmë stadium për ndeshje ndërkombëtare dhe njësoj siç bëmë me stadiumin e Elbasanit, duhet të marrim nga UEFA gjithë parametrat, sepse përndryshe UEFA nuk lejon të bësh të ndeshje. Në bazë të atyre parametrave duhen krijuar hapësirat përkatëse, qoftë jashtë stadiumit, qoftë brenda stadiumit. Në momentin kur projekti përmbush parametrat, mbi bazën e tyre bëhen pastaj edhe shpronësimet. Nuk ka asnjë lloj tendence për të prishur kot, vetëm do të prishet çfarë duhet për të përmbushur parametrat e UEFA-s. Stadiumi nuk do të jetë me një krah të këputur. Ju duhet të jeni të qetë në një pikë, që procesi i shpronësimi do të fillojë dhe do të kryhet dhe pastaj do të bëhet prishja për ato pjesë që do të duhet të prishen për të krijuar hapësirat”, – u shpreh Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama