Tiranë 11 Nëntor /ATSH/ -Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të mërkurë një sipërmarrje fason, që operon prej një vitit në Tiranë.
Gjatë bisedës me administratorin e këtij biznesi, Kryeministri u shpreh se "qeveria do të jetë përkrah biznesit, duke nxitur me politika të reja zhvillimin e tij. Si, një prej masave më të rëndësishme lehtësuese në paketën e re fiskale, Kryeministri veçoi pagesën e skanimit në dogana, e cila do të bëhet nga shteti.
Ndërsa sipërmarrësi italian Fabio Attanassio, me një eksperiencë 15 vjeçare në këtë sektor u shpreh se ai parashikonte që brenda një periudhe 2 vjecare të arrinte në 3500 të punësuar. "Produkti ynë shkon në Kanada, Gjermani Amerikë dhe jemi të nderuar të prezantojmë Shqipërinë me markën Made in Albania," u shpreh ai.
Drejtues të sipërmarrjes u shprehën se bashkëpunimi me zyrat e punës, lehtësitë fiskale, në mënyrë të veçantë heqja e tvsh-së për makineritë e importit kanë qenë një shtysë e rëndësishme për suksesin e saj. "Brenda një viti jemi rritur, kemi filluar me 60 punonjës para një viti, sot jemi me 600. Qeveria na ka mbështetur. Zyrat e punës kanë qenë bashkërendëse në këtë drejtim dhe na kanë ndihmuar shumë duke na sjellë punonjës me eksperiencë. Kemi gjetur mbështetjen fiskale të qeverisë. Ky është një investim krejtësisht i ri. Përjashtimi nga TVSH për makineritë e importuara ka qenë një ndihmesë e madhe. Kemi gjetur terrenin e duhur për t'u zhvilluar."
Ai shtoi se "është rasti për t'u thënë atyre që vërtetë duan punë, që vërtetë duan të jetojnë me punë që të drejtohen tek zyrat e punës dhe të këmbëngulin, pasi ka mundësi nga ato me arsim të lartë dhe me specializime të veçanta, deri tek punët më të thjeshta. Me buxhetin e ri ne do të mbrojmë të gjithë manifakturën nga fatura e skanimit në dogana, të cilën do ta paguajë shteti për të vazhduar eksportet, për të vazhduar që manifaktura të rritet sepse ka një potencial shumë të madh".
"Shumë njerëz e marrin si një punë të një kategorie të ulët, por në fakt ajo që po shohim ne dhe që e kemi nxitur është krijimi i një cikli të mbyllur. Jo thjesht merr material porositësi, qep dhe ço, por fabrika të mirëfillta të manifakturës që fillojnë nga dizenjimi, deri tek shitja në vendet ku eksportohet", deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se do të mbështeten të gjithë ata që krijojnë sukses, nëpërmjet idesë, kurajës dhe vendosmërisë për të jetuar me punë të ndershme.
/b.k/ /a.g/