Trajneri i Flamurtarit, Zekerija Ramadani, vazhdon të besojë te surpriza në transfertën ndaj Kukësit. Në një prononcim për "Panorama Sport" ai është shprehur: "Për ndeshjen me Kukësin duhet të besojmë te surpriza, pasi në futboll kanë ndodhur shumë të tilla. Mundësitë tona në fakt për të kaluar në finale realisht janë të vogla, por do të tentojmë që të bëjmë më të mirën, pse jo maksimumin për të përmbysur rezultatin. Kundërshtari ka rezultatin në favorin e vet, por ne shkojmë për të dhënë maksimumin tonë dhe të shikojmë se çfarë mund të bëjmë, pse jo, e përsëris, të bëjmë surprizën dhe ta përmbysim rezultatin e takimit të parë", ka thënë Ramadani.
Këshilla - Përpara një ndeshjeje të tillë, motivimi është gjëja kryesore për futbollistët dhe trajneri i vlonjatëve duket se e ka gjetur mënyrën për ta bërë një gjë të tillë. "Lojtarëve të mi u kam kërkuar që të shohin ndeshjet e kaluara si bëhen surprizat.
U kam thënë t'i shikojnë këto takime jo vetëm në planin taktik, por edhe në atë moral. Kemi raste konkrete, Interi 3-0 me Juven, apo Reali i Madridit 2-0. Normal që ne nuk jemi as Interi dhe as Juventusi, por le t'i shikojnë lojtarët e mi se si luftojnë këto skuadra. Unë jam i bindur se me luftë, punë, dëshirë dhe motiv, gjithçka mund të arrihet", ka vazhduar trajneri.
Gjendja - Sa u takon lojtarëve, Ramadani ka thënë se gjendja psikologjike e tyre është mjaft e mirë. "Skuadra po kalon një moment të mirë në aspektin psikologjik. Fitorja me Laçin na ka dhënë shumë forcë dhe zemër për ndeshjet që kemi para, ashtu sikundër edhe për takimin me Kukësin.
Nga ana fizike, kemi dy dëmtime të vogla të Alvesh dhe Likës, por nuk janë shqetësuese dhe them se s'do të ndikojnë aspak, por ata do të jenë të gatshëm. Ne kemi kualitet dhe mund të bëjmë më të mirën tonë, të marrim rezultate pozitive dhe të bëjmë surprizën", ka mbyllur trajneri i Flamurtarit.