Ramazani si eshte shnderruar ne nje stine fitimesh per tregtaret

Ramazani, si eshte shnderruar ne nje stine fitimesh per tregtaret
Kur Ademir Husagic, shefi ekzekutiv i ushqimit dhe pijeve në hotelin “Moharch Dubai” në Dubai mbërriti në këtë vend 11 vjet të shkuara, Ramazani ishte një periudhë shumë e qetë për biznesin që ai përfaqësonte. Gjatë muajit të shenjtë të myslimanëve, që këtë vit nisi më 11 gusht, myslimanët e kufizojnë shumë të ngrënin, të pirin, konsumin e duhanit dhe marrëdhëniet seksuale gjatë orëve të ditës, në mënyrë që të kenë mundësi për t’u lutur më shumë dhe për të bërë vepra bamirësie (Ramazani besohet se ka qenë muaji në të cilin për herë të parë Kurani iu paraqit Profetit Muhamed nga Zoti).

 Husagic kujton se 11 vjet të shkuara, shumë tenda ishin ngritur përgjatë bregut të detit, tenda në të cilat njerëzit e pasur, por edhe ata më pak në gjendje të mirë ekonomike, mblidheshin për të konsumuar iftarin në perëndim të diellit. Por sot çdo gjë, edhe këto rituale, janë komercializuar shumë dhe Ramazani është shndërruar në një biznes të madh dhe fitimprurës për shumë industri. Në Dubai, hotelet me 5 yje ofrojnë ushqime dhe bufe me mish, zarzavate dhe ëmbëlsira çdo natë gjatë periudhës së Ramazanit. Në vend të organizimit të zakonshëm të mbrëmjeve të kërcimit, gjatë këtij muaji në hotele ngrihen tenda të veçanta për Ramazanin, që imitojnë majlet tradicionale ku mblidheshin beduinët. Çmimi minimal për ushqimin e një të ftuari është 270 dollarë, ndërkohë që të gjitha pijet e ofruara nuk janë pije alkoolike.

Ndërsa në tendat e zakonshme të ngritura buzë detit, çmimi për njeri është 27 dollarë, përfshi ushqimin dhe pijet. Nëpër supermarkete dhe dyqane të tjera më të vogla në të gjithë vendin reklamohen urime të ndryshme për blerësit, me rastin e muajit të shenjtë, si dhe ka oferta për ulje çmimesh dhe promocione nga më të ndryshmet. Hoteli “Marriot” i informon udhëtarët për çmimet e veçanta që ofron hoteli për besimtarët në degët e tij në Egjipt dhe kryesisht në vende të tjera myslimane. Ndërkaq, edhe biznese të tjera përfitojnë nga rasti për të bërë promocione ose ulje çmimesh, si në rastin e “Toyota”-s, që u ofron blerësve një çmim shumë të ulët për modelin e fundit, vetëm për 3 ditë.

 Gjatë Ramazanit, orët e punës janë të reduktuara në të gjithë botën myslimane, në mënyrë që njerëzit të kenë më shumë kohë t’i kushtohen shpirtit, meditimit dhe lutjeve. Edhe televizioni, në mënyrë që të joshë audiencën, transmeton programe dhe telenovela që lidhen me këtë periudhë të vitit. Në Egjipt, që është edhe tregu më i madh i Lindjes së Mesme dhe rajonit të Afrikës Veriore, shuma e harxhuar për reklamime të ndryshme në lidhje me Ramazanin ishte 146 milionë dollarë dhe çdo vit kjo përqindje shënon rritje të ndjeshme. Të gjitha këto shifra ofrohen nga Qendra Pan Arabe Kërkimore e Dubait.

Muaji i shenjtë i Ramazanit, në shumë aspekte, veçanërisht atë të biznesit, është i krahasueshëm me stinën e festave të fundvitit e veçanërisht të Krishtlindjeve në Perëndim dhe në vendet katolike. Madje periudha të tilla shpenzimesh të mëdha nga ana e konsumatorit shërbejnë për tregtarët edhe si rezerva për periudha të tjera të vitit, që sjellin më pak të ardhura. Për disa, fitimet e këtyre ditëve janë më të mëdha se ato të të gjithë vitit. Shpenzimet gjatë kësaj periudhe Ramazani vazhdojnë të jenë të mëdha, pavarësisht krizës së rëndë ekonomike që po përjetojnë shumë vende të botës, edhe ato myslimane.

Por në këtë rast bizneset e mëdha e kanë vrarë mendjen më shumë për të sjellë gjetje të reja marketingu dhe reklamimi, në mënyrë që të tërheqin vëmendjen e njerëzve për blerjet e kësaj periudhe. Kështu, në disa hotele të mëdha janë ulur ndjeshëm çmimet për darkat apo festat e ndryshme. Edhe në këtë rast, ata që në fakt shpenzojnë më shumë janë më të pasurit dhe mes tyre kompanitë e mëdha, që nuk para e ndiejnë krizën. Kështu, iftaret në disa prej kompanive më të mëdha të Dubait sponsorizohen për punonjësit nga vetë shefat e mëdhenj, si në rastin e degës së “Google”-it në këtë vend. Shumë biznese e shohin këtë muaj të shenjtë edhe si një mundësi për reklamimin e produkteve apo shërbimeve të tyre.

Disa kompani marrin shkas nga ky rast për të prezantuar në treg produkte të reja. Kjo, sepse vëmendja e të gjithëve është më e madhe. Një tjetër aspekt i muajit të Ramazanit është edhe kryerja e bamirësive gjatë ditëve të muajit dhe në këtë zakon përfshihen edhe kompanitë e mëdha dhe madje edhe qeveritë e vendeve myslimane. Në vendet e gjirit  ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për t’u kujtuar njerëzve se cilat janë vlerat dhe rëndësia e vërtetë e muajit të shenjtë, pra shpirti i vërtetë i Ramazanit. Në këtë kuadër shpërndahen ndihma te familjet apo shtresat në nevojë. Në fund të fundit, edhe vetë Kurani u përcjell besimtarëve mesazhin se Zoti është me ata që dinë të vetëpërmbahen.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama