Daniel Spahiu, i mbijetuari që ra në ujërat e lumit Erzen, ka treguar disa fragmente të çasteve të fundit me Erjon Alizotin. Ai duket se ende nuk e ka marrë veten nga trauma që ka pësuar dhe thotë se nuk është në gjendje që të kujtojë më saktësi se çfarë ka ndodhur. Në momentin që dëgjon disa pyetje, sytë i mbushen me lot, teksa i përmend emrin e shokut të fëmijërisë. “Nuk dua të flas! Nuk dua të flas!”, janë fjalët që Spahiu përmend shpesh. I riu dje është dërguar në vendin ku dy të rinjtë ranë në rrjedhën e lumit Erzen. Ai ka treguar me detaje për policinë të gjithë itinerarin e ekskursionit, mënyrën se si u shkëput nga turma së bashku më Alizotin dhe rrëshqitjen në Erzen. Pretendon se nuk e ka parë shokun e fëmijërisë të bjerë në lumë, duke theksuar se ai vetë është shpëtuar nga grupi me të cilin shoqërohej. Motra e Spahiut, thotë se Danieli është shumë i tronditur. Pavarësisht kësaj, i riu sforcohet për të treguar disa momente të ngjarjes tragjike. Ai ende nuk di të thotë nëse shoku i tij është gjallë apo është mbytur në rrjedhën e fuqishme të basenit të Erzenit.
Si ndodhi ngjarja Daniel?
Nuk di të them se si ndodhi ngjarja. Ne u afruam te lumi për të bërë disa fotografi dhe për të larë duart. Aty na rrëshqiti këmba, pasi shtrati i lumit ishte me myshk. Uji ishte i rrëmbyeshëm dhe na mori me vete.
Kush ra i pari në lumë?
Nuk arrita ta kuptoj se kush ra i pari, unë apo Erjoni. Prej asaj që kam kaluar nuk jam në gjendje që të kujtoj shumë gjëra. Jam shumë i traumatizuar.
Ti si shpëtove?
Rrjedha na mori për disa metra dhe ata personat që ishin pjesë e grupit tonë, më hodhën një litar. U kapa pas tij dhe dola në breg.
Po Erjoni…
Nuk e pashë për asnjë moment. Nuk di se çfarë të them…, nuk jam në gjendje që të flas. Ju duhet ta kuptoni situatën time.
Beson se është gjallë?
Nuk e di… Jam shumë i tronditur. Erjoni ishte shoku im i fëmijërisë. Kemi 13 vjet që shoqërohemi bashkë.
I ke takuar prindërit e Erjonit?
Po. Dje (pardje) dhe sot (dje) kam qenë te shtëpia e tij. Nuk di se çfarë të them. Babai i Erjonit ka qenë në Erzen, për të ndjekur kërkimet.
Je thërritur në polici?
Po. Unë e kam dhënë dëshminë time për aq gjëra sa mbaj mend. Nuk kam shumë kohë që u ktheva. Sot (dje), isha sërish atje ku u rrëzuam. Tregova disa nga momentet që më kujtohen. Unë kam nevojë që të qetësohem.
Deklarata
Familja e Alizotit: Nuk na tha se do të shkonte në ekskursion
Prej tri ditësh palombarët dhe forcat ushtarake kanë vijuar kërkimet në lumin Erzen për të zhdukurin Erjon Alizoti, i cili dyshohet se ka rrëshqitur në lumë, pranë vendit të quajtur Skuranes, 30 metra poshtë shpellës së Pëllumbasit. Ndërkaq, familjarët e të zhdukurit nuk duan që të flasin për atë që ka ndodhur. Babai i 18-vjeçarit ndjek nga afër kërkimet, ndërsa nëna ndodhet në gjendje shoku. “Jemi të tronditur. Nuk jemi në gjendje që të flasim. Duhet të na kuptoni”, janë disa nga fjalët që familjarët e të zhdukurit thonë. Ndonëse të gjithë janë veshur me të zeza, në zemrat e tyre ka pak shpresë, prej faktit që trupi ende nuk është gjendur. “Ndoshta është gjallë. Shpresa vdes e fundit. Ne po e kërkojmë”, janë ato pak fjalë që të afërmit e Alizotit thonë. Ndërkaq, ata janë duke kërkuar një vajzë me emrin Fajtona. Ajo është personi i fundit që e ka parë Erjonin. “Të gjithë po kërkojmë një vajzë me emrin Fatjona, por nuk po e gjejmë. Ajo e ka parë e fundit. Ne nuk e dinim që Erjoni do të shkonte në ekskursion. Ai nuk na tha gjë”, e mbyllin rrëfimin familjarët e të zhdukurit.
Policia
Procedohet “punonjësi” që mblidhte taksa te shpella e Pëllumbasit
Komuna Bërzhitë ka denoncuar dje në polici shtetasin Behar Duqi, ish-punonjësin e kësaj njësie administrative. Duqi është kallëzuar për mashtrim dhe mbledhje të të ardhurave abuzive, pasi dyshohet se u merrte nga 50-100 lekë, të gjithë personave që vizitonin shpellën e Pëllumbasit, në kanionet e Erzenit, në emër të komunës. Ilia Gërdupi thotë se një person i panjohur ka kërkuar në mënyrë sistematike para për këdo që vizitonte shpellën. “Taksambledhësi” nuk ishte prezantuar me emër te vizitorët, por thjesht si punonjësi i komunës. Duqi u ka thënë se paratë derdhen në arkë, të cilat shërbejnë për investime publike. I dyshuari për mashtrim, u zbulua vetëm pas ngjarjes tragjike, ku Erjon Alizoti ra në ujërat e lumit Erzen së bashku me Daniel Spahiun. Kreu i komunës, Genci Drita, tha se komuna nuk ka mbledhur para për të vizituar shpellën e Pëllumbasit. Gërdupi ka pretenduar të kundërtën. Në bazë të kësaj përplasjeje është bërë i mundur identifikimi i personit që mblidhte paratë e vizitorëve të shpellës.