Dje lotët i mbajti. Sepse Klaudio Ranieri i derdhi ato që ishin për t'u derdhur kur i dha dorën e fundit bastit që fitoi kundër të gjithë atyre që e quanin trajner të dështuar.
"Është fantastike që këta njerëz kanë qenë kaq të pabesueshëm. Faleminderit të gjithëve që keni qenë pas nesh gjatë gjithë sezonit". Trajneri roman e nis me një falënderim për tifozët fjalën e tij të parë pas kurorëzimit kampion. "Isha shumë, por shumë i përqendruar që të isha i qetë, por pa dyshim që jam shumë i lumtur. Mendoj se ishte një moment i mrekullueshëm për mua. Të ngrija trofeun e kampionit të Premier Ligës ishte diçka speciale për mua, sepse kam fituar shumë kupa në Spanjë dhe Itali, por të jesh kampion në Angli është diçka fantastike", vijon 64-vjeçari.
"Në karrierën time kam besuar gjithnjë se herët a vonë do ta fitoj një titull, por nuk mendova që në fillim se do ta bëja këtu. Megjithatë, i thashë vetes përse jo? Ky është një sezon i çmendur ku ekipet e mëdha nuk ishin të qëndrueshme gjatë një sezoni ku ne ishim të tillë. Në fillim është e rëndë- sishme që të kesh një pronar të mirë dhe unë këtu takova njerëz fantastikë. Kur erdha fillimisht, mendova se gjeta një skuadër shumë të mirë, të gjithë të bashkuar, shokë dhe u përpoqa të ndërtoj mentalitetin italian, solid dhe të fortë. Në fillim nuk funksionoi shumë mirë, por më pas ishte fantastik.
Objektivi i parë ishte të qëndronim në Premier Ligë për disa sezone dhe më pas të bënim hapa përpara për të fituar titullin. Por të gjithë e dimë se ky është një sezon i çuditshëm dhe ne i thyem pritshmëritë. Tani duhet të përqendrohemi te sezoni i ardhshëm, bazat i kemi të shëndosha. Hakmarrje? Jo, thjesht po e shijoj. Në ditar do të shkruaj: 'i mrekullueshëm'".
Përgatiti: ANDROKLI DRALO