Punësimet në administratën publike të shkaktuara nga rotacionet politike gjatë këtyre viteve, fenomen i cili vijon të prodhojë përplasje të forta mes qeverisë dhe opozitës për politizim të administratës, janë monitoruar edhe nga ndërkombëtarët. Prej dhjetë vitesh reformat e zhvilluara në administratën shtetërore janë pasqyruar edhe në raportet e progresit të Komisionit Europian. Konkretisht, që prej vitit 2004 kur është publikuar i pari progres-raport prej Komisionit Europian deri tek ai më i fundit i tetorit 2013 problematikat endemike me administratën publike janë pjesë e raporteve. Të dhjetë raportet kanë një të përbashkët: administratë e politizuar.
Raportet
Duke iu referuar vëzhgimeve të ndërkombëtarëve, në asnjërin prej raporteve të Komisionit Europian nuk mungon konstatimi i emërimeve politike në kundërshtim me ligjin dhe meritokracinë.
Raporti i 2004-s: Ka raportime se një presion i madh ushtrohet në nivel lokal dhe qendror nga autoritetet politike, ndaj punonjësve të shtetit para dhe pas zgjedhjeve të tetorit 2003. E gjitha kjo ka pasur një efekt negativ në eficencën dhe stabilitetin e administratës publike.
Raporti i 2005-s: Në Shqipëri shërbimi civil vijon të pengohet në nevojën e ndarjes prej politikës dhe nivelit administrativ. Emërimet politike deri në nivelin e drejtorit në shumë ministri janë ende normë. Në veçanti, emërimet e sekretarëve të përgjithshëm mbeten politike duke kompromentuar rolin e tij në përkthimin e ideve në politika dhe menaxhim të drejtë të personelit. Ministrat janë përfshirë personalisht në drejtimin e ministrive duke mos lejuar lënien e detyrave në dorë të punonjësve permanentë të shtetit.
Raporti i 2006-s: Marrja në punë apo shkarkimet e personelit në disa raste kanë ndodhur pa u zbatuar Ligji i Nëpunësit Civil. Emërimet politike të punonjësve të shtetit mbetet një fenomen i përhapur duke ngushtuar rritjen profesionale të punonjësve të administratës në nivelet e larta.
Raporti i 2007-s: Emërimet politike që nga nivelet e larta dhe ato të mesme vijojnë shpesh pa i kushtuar vëmendjen e duhur ligjit për Shërbimin Civil. Firmosja e akteve administrative vijon duke përdorur zëvendësimet e përkohshme të cilat nuk janë emërime zyrtare.
Raporti i 2008-s: Në dhjetor 2007, qeveria ndërmori disa amendime të ligjit për vlerësimin e performancës të punonjësve të shtetit. Në janar 2008 hyri në zbatim sistemi i ri i vlerësimit për këta punonjës. Pavarësisht kësaj, largimi i personelit nga puna dhe qarkullimi i tyre pas presioneve politike ka vijuar. Emërimet kanë vazhduar sipas linjës politike partiake, në kundërshtim me ligjin për Shërbimin Civil.
Raporti i 2009-s: Lëvizjet e punonjësve të administratës publike të motivuara politikisht kanë vazhduar. Pjesa e vendeve të lira të plotësuara nga nëpunës me kontratë mbetet i lartë, në 20% në të gjitha vendet e lira. Praktikat e moszbatimit të ligjit për Nëpunësin Civil ka krijuar premisa të krijimit të një administrate të politizuar.
Raporti i 2010-s: Konstatohet se në përgjithësi janë vërejtur lëvizje dhe largime nga puna të punonjësve civilë vitet e fundit, pasi janë përdorur praktika me prapavijë politike në emërimet e tyre.
Raporti i 2011-s: Funksioni i shërbimit civil vazhdon të vuajë nga politizimi, në veçanti emërimet. Në aspektin institucional departamenti i administratës publike vuan nga mungesa e kryerjes së rolit të tij në ushtrimin e autoritetit. Ndërtimi i një administrate publike të pavarur, e lirë nga ndërhyrjet politike, mbetet diçka që duhet arritur.
Raporti i 2012-s: Në të shumtën e rasteve institucionet e qeverisë qendrore kanë dështuar në marrjen e aprovimit nga Departamenti i Administratës Publike për rekrutimet e punonjësve me kontrata të përkohshme, madje kanë kundërshtuar refuzimet e DAP-it. Shërbimi Civil vazhdon të vuajë nga mangësi që vijnë prej politizimet, mungesës së meritokracisë në rekrutim, promovimi dhe shkarkimet.
Raporti i 2013-s: Shënohet progres në reformën për administratën publike me miratimin e ligjit për shërbimin civil një prioritet kyç. Tani kërkohet zbatimi në baza të meritës. Departamenti i Administratës Publike duhet të forcohet. Përpjekje të mëtejshme duhen për ta depolitizuar administratën publike për të siguruar luftën ndaj korrupsionit, forcimin e emërimeve në bazë të meritës, promovimin dhe shkarkimin sikurse rritja në mënyrë eficente e stabilitetit financiar.