Prokurorët dhe gjyqtarët janë të gatshëm të paguajnë 100–300 mijë euro për t’u transferuar në një vend pune të rëndësishëm, si në Tiranë apo në qytete të tjera të mëdha. Përfundimet janë nxjerrë në raportin “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, i cili është prezantuar dje para drejtuesve të lartë të shtetit, përfaqësive diplomatike në vend, por dhe ekspertëve të fushës. Projekti i përgatitur nga ekspertët e nivelit të lartë ngre si shqetësim dhe pagesat korruptive që nisin nga policia gjyqësore, deri te prokurorët e gjyqtarët. Dokumenti prej 336 faqesh analizon dhe problematikat ligjore të sistemit të drejtësisë, mes të cilave mungesën e bashkëpunimit President-Kuvend, vonesat në përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese apo vonesat për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Raporti analitik
“Opinioni i gjerë publik beson dhe disa vëzhgues të afërt të sektorit pohojnë se, disa prokurorë dhe gjyqtarë paguajnë për t’u emëruar ose transferuar në vende pune të rëndësishme (fitimprurëse sipas logjikës së korrupsionit), si p.sh. në Tiranë apo qytete të tjera të rëndësishme. Duke qenë se shifrat që thuhet se paguhen për këto pozicione janë marramendëse (100 mijë deri 300 mijë euro për disa pozicione), është e natyrshme të besohet se këta funksionarë të drejtësisë do të korruptohen për t’i rimarrë (dhe mundësisht shumëfishuar) ato”, thuhet në raportin e ekspertëve të nivelit të lartë.
Sipas tyre, të dhënat jozyrtare që qarkullojnë në publik dhe janë konsistente në kohë, sugjerojnë se cikli i pagesave korruptive fillon që me policinë gjyqësore, prokurorët e më tej edhe me gjyqtarët. “Oficerë të korruptuar pranojnë pagesa për të shkatërruar provat në vendin e ngjarjes. Më tej prokurorë të korruptuar pranojnë pagesa për të mos e filluar një çështje ose për të mos ngritur akuzë (1000 deri në 2000 euro për çështje standarde). Vlen të veçohet perceptimi në lidhje me shifrat që duket se paguhen për të ndryshuar masën e sigurisë, nga paraburgim, në arrest shtëpie ose detyrim për paraqitje (60 mijë – 80 mijë euro)”, thuhet në dokument. Sipas konkluzioneve të ekspertëve të fushës, gjyqtarë të korruptuar zvarrisin caktimin e seancës së parë ose kushtëzojnë vendimin përfundimtar, ndonjëherë edhe zbardhjen e vendimit, në pritje të ryshfetit. Madje, thonë ekspertët, ka të dhëna se disa gjyqtarë bëjnë lojë të dyfishtë, duke përfituar ryshfete nga të dyja palët.
“Në çdo rast, palët në transaksionin korruptiv shmangin telefonatat. Pagesat bëhen me para në dorë. Shpesh përfitimet e paligjshme dërgohen jashtë vendit ose iu jepen të afërmve/familjarëve të gjyqtarit/prokurorit, ose personave të tretë të besuar”, thuhet më tej në raport. Në këtë dokument shtohet se, ndonëse pagesat me para në dorë janë forma e preferuar, përfitimet e paligjshme duken se marrin një mori formash të tjera, si p.sh. dhënia e mundësive për biznes, punësimi i të afërmve, falja, shitja fiktive ose shitja me çmime të favorshme e pasurive të patundshme, si parcela toke, apartamente në bregdet etj.
Një tjetër shqetësim i ekspertëve është ndikimi i politikës në gjyqësor. “Kuadri ligjor i sistemit gjyqësor garanton në një masë të konsiderueshme pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve, megjithatë në praktikë janë konstatuar probleme serioze të ndikueshmërisë politike dhe financiare të gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në dokument. Këto konkluzione janë nxjerrë në analizën e masave ligjore antikorrupsion që është një nga 7 shtyllat ku është fokusuar puna e ekspertëve. 6 shtyllat e tjera të reformës janë ndryshimet kushtetuese, gjyqësori, drejtësia penale, edukimi dhe arsimi juridik, profesionet e lira dhe financimi i sistemit.
Nga analiza kushtetuese dhe ligjore e institucioneve që kanë lidhje me drejtësinë ekspertët cilësojnë si problematike mungesën e bashkëpunimit institucional President–Kuvend i cili, sipas tyre, ka ndikuar jo vetëm në mosushtrimin si duhet të kompetencave kushtetuese nga Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe KLD-ja në lidhje me sistemin e drejtësisë, por edhe në lindjen e mosmarrëveshjeve të kompetencave ndërmjet këtyre organeve kushtetuese dhe në mosdhënien e pëlqimit të Kuvendit për dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatë Kushtetuese dhe të Gjykatë së Lartë. Analiza e sistemit të drejtësisë është vetëm hapi i parë i reformës në drejtësi. Ai do të pasohet nga hartimi i dokumentit strategjik dhe zgjidhjeve që ofrohen për tu përmbyllur me përgatitjen e paketave ligjore.
Raunig: Opozita duhet të jetë pjesë e reformës
Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Florian Raunig, i bëri apel opozitës të jetë pjesë e reformës në drejtësi. “Parimi i parë i procesit demokratik është përfshirja. Përfshirja është thelbësore për qëndrueshmërinë, për zbatimin e reformës në plan afatgjatë. Me keqardhje konstatoj se, në këtë fazë, jo të gjitha forcat politike kanë shfrytëzuar mundësinë për të marrë pjesë në këtë proces. Ato nuk duhet të përjashtojnë veten nga formësimi i të ardhmes së Shqipërisë”, deklaroi ambasadori i OSBE-së. Sipas Raunig ekspertët po shqyrtojnë ndryshime kushtetuese dhe legjislative shumë serioze e të rëndësishme në një kohë që lidershipi duhet të shohë përtej këtyre ndryshimeve dhe të hedhë sytë te zbatimi. “Zbatimi i ligjeve të reja ka rezultuar sfidë në të kaluarën, por është një sfidë që mund ta përballojmë së bashku tani që t'i paraprijmë një të ardhmeje më të mirë. Por kjo kërkon planifikim" tha ai
Kom. Venecias: Jo normale që Presidenti është kryetar i KLD-së
Raporti i ekspertëve të sistemit të drejtësisë sugjeron depolitizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe zgjedhjen e anëtarëve të saj me shumicë të cilësuar në Kuvend. Ekspertë sjellin në vëmendje sugjerimet e Komisionit të Venecias një raport i të cilit thekson nevojën për një Këshill të Drejtësisë të pavarur nga ndikimi politik dhe nevoja për transparencë. “Përbërja e këtij Këshilli duhet të reflektojë një mazhorancë nga gjyqësori, por edhe diversiteti i opinioneve është i vlefshëm. Ndërkohë është e zakonshme që disa pjesëtarë të qeverisë apo të Presidencës mund të kenë një përfaqësim ex officio në Këshill, nuk është normale përfshirja e Presidentit për të mbajtur rolin drejtues në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, thuhet në analizën e sistemit të drejtësisë. Grupi i ekspertëve ka analizuar edhe rolin e Presidentit të Republikës në ushtrimin e funksioneve të tij në sistemin e drejtësisë, ndërsa thekson se zgjedhja e tij jashtë konsensusit politik nuk garanton pavarësinë. Integrimi i Gjykatës së Lartë brenda sistemit gjyqësor konsiderohet gjithashtu një hap i rëndësishëm. “Statusi i Gjykatës së Lartë dhe procesi i emërimit të anëtarëve të saj mbeten shqetësues në kuptimin e politizimit të mundshëm,” thuhet në raport.
Të rishikohet Kushtetuta
Ekspertët e nivelit të lartë, që ishin pjesë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, flasin për rishikim të Kushtetutës. Sipas Genti Ibrahimit, i cili kryesoi nëngrupin e ekspertëve për reformën në gjyqësor, nevojitet një përmirësim rrënjësor i kuadrit ligjor në lidhje me organizimin territorial dhe lëndor të gjykatave, si dhe i procedurave gjyqësore me qëllim shkurtimin drastik të kohës së vendimit dhe ekzekutimin e shpejtë të vendimeve. “Tani është koha që të gjithë të tjerët, dhe mbi të gjitha klasa politike shqiptare, të jetë në lartësinë e përgjegjësive të saj dhe të sigurojë mbështetjen politike të nevojshme për reformat”, pohoi ai në prezantimin e djeshëm të analizës në sistemin e drejtësisë.
Ndërsa për Sokol Sadushin, i cili ka kryesuar grupin e ekspertëve për reformën kushtetuese, formula konsensuale President-Kuvend për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, veçanërisht pas ndryshimeve të vitit 2008, konsiderohet e dështuar. “Gjykata Kushtetuese nuk arrin të jetë një mjet efektiv. Dështimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në procesin e vlerësimit të gjyqtarëve ndërkohë që vijon promovimi i tyre, si dhe i vetë anëtarëve të KLD-së, kryesimi i KLD-së nga Presidenti, apo edhe zëvendësimi prej tij i funksioneve kushtetuese të zëvendëskryetarit, që nuk përputhen me funksionet kushtetuese të Presidentit në raport me gjyqësorin, kanë dhënë ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në gjendjen në të cilën ndodhet sot sistemi gjyqësor”, deklaroi ai.
Vlahutin: Nuk duhet të ekzistojnë më zarfet me lekë për gjyqtarët
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë, Romana Vlahutin, deklaroi dje se sistemi i drejtësisë duhet të jetë shtylla e demokracisë. Sipas saj, nuk duhet të ekzistojnë më zarfet me lekë për gjyqtarët, prandaj reforma duhet të jetë e thellë dhe pa kompromis. “Reforma duhet të sigurojë që të jetë e pamundur që të kemi një gjyqtar të korruptuar në gjyqësor. Duhet të sigurojë reforma që çdo lloj prokurori të mundet të hetojë çdo aludim dhe ata që janë të korruptuar të mos mendojnë se nuk do të ndiqen penalisht.
Duhet të sigurojë që të gjithë janë të jenë të barabartë para ligjit. Korrupsioni apo zarfet plot me para nuk duhet të funksionojnë, apo njerëz që besojnë se ata janë vetë shteti”, deklaroi Vlahutin. Prandaj sipas saj, kjo reformë duhet të jetë si operacionet në mjekësi ndërkohë që duhet të ketë ndarje të plotë të pushteteve që të mos ketë influencë politike në prokurori, sidomos në ndjekjen penale të atyre që janë të korruptuar edhe në nivele të larta. “Nuk dëshirojmë të shikojmë një situatë ku njerëz që janë të korruptuar apo abuzojnë me sistemin të jenë të mbrojtur dhe mosndëshkueshmëria të jetë standard, ndërkohë nderi dhe dinjiteti i të gjithë atyre që e bëjnë punën me dinjitet të rrinë, ata që s’e bëjnë duhet të largohen”, tha ajo.
Vlahutin theksoi se të gjithë këta elementë janë parakushte të nevojshme që Shqipëria të nisë negociatat e saj të ardhshme në kapitujt 23, 24 në mënyrë efikas dhe të suksesshme. Shtetet anëtare, sipas saj, do ta vlerësojnë legjislacionin e ri por do të shikojnë zbatimin, që do të thotë që ata që abuzojnë ligjin do të duhet të përballen me të gjitha ndërsa shtoi se reforma nuk duhet të jetë për një apo dy mandate qeverisje. “Ky komision ka bërë punë të mirë dhe këmbëngulja e kryetarit Xhafaj ka qenë e plotë, por mirënjohja jonë është për ekspertët që kanë punuar në mënyrë aq të mirë të cilët duhet të gjejnë zgjidhjet e duhura. Na vjen keq që anëtarët e opozitëa nuk janë ulur ende në tryezë dhe u bëjmë sërish apel të ulen. Kjo nuk mund të jetë reformë për një cikël zgjedhjesh apo dy. Shqipëria nuk mund të ketë zgjidhje që zgjasin 4-8 vjet por ka nevojë për ndryshime të plota. Të gjithë në Shqipëri, ata që janë zgjedhur për të përfaqësuar zgjedhësit, qoftë në opozitë apo qeveri kanë përgjegjësi për ndryshimet”, theksoi ajo. Vlahutin shtoi se ndërkombëtarët kanë ndihmuar dhe do ta bëjnë por demokracia nuk mund të bëhet nga të tjerët.
Lu: Zyrtarë të lartë ecin rrugëve të Tiranës pa frikë ndëshkimi
Ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, kritikon ashpër sistemin e drejtësisë ndërsa deklaron se zyrtarë të lartë ecin rrugëve të Tiranës pa frikë nga ndëshkimi. “Sistemi i drejtësisë duhet të ndjekë penalisht më shumë krime të rënda. Sot shumë personazhe të njohura të krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme politike ecin nëpër rrugët e Tiranës pa pasur frikë se do të procedohen”, deklaroi Donald Lu gjatë fjalës së tij në prezantimin e “Analizës për sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.
Ambasadori amerikan solli në vëmendje një sondazh të zhvilluar me gjykatësit, të financuar nga USAID, sipas të cilit 25 për qind e gjykatësve thanë se sistemi ishte i korruptuar ndërsa 58 për qind të tjerë thanë se ekziston perceptimi publik se sistemi është i korruptuar.
“Në një sistem ku edhe gjykatësit bien dakord se ka korrupsion, kjo nënkupton detyrimisht se gjykatësit, prokurorët dhe avokatët duhet të bashkëndajnë që të gjithë për drejtësinë për dhënien dhe marrjen e ryshfeteve”, deklaroi ai, edhe pse shprehu besimin se ka disa profesionistë të ndershëm me përvojë dhe të kualifikuar që duhet të lejohen të punojnë në një sistem gjyqësor të lirë nga korrupsioni. “Përveç se duhet të japë llogari për korrupsionin, sistemi juaj gjyqësor duhet të jetë gjithashtu i pavarur për t’i rezistuar trysnisë politike.
Në të njëjtin sondazh, 7 për qind e gjykatësve patën thënë se sistemi i drejtësisë nuk është i lirë prej ndërhyrjeve politike dhe 50 për qind thanë se ishte pjesërisht i lirë. Gjykatësit dhe prokurorët duhet të marrin vendime të bazuara në ligje dhe prova dhe jo në ndikimin e interesave politike, ose vetjake”, deklaroi ai. Por sipas kreut të diplomacisë amerikane, “në një vend anëtar të NATO-s që aspiron anëtarësimin në BE, elitat politike dhe kriminelët nuk mund të veprojnë pa u ndëshkuar”.
Lu pohoi më tej gjatë fjalës së tij se reforma në drejtësi mund të jetë një nga reformat më të rëndësishme që pas rënies së komunizmit prandaj për ta realizuar këtë duhet të marrin pjesë ekspertët më të rëndësishëm shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ambasadori shtoi se reforma mund të bëhet edhe pa opozitën por së bashku me të do të ishte më e qëndrueshme. “Opozita ka interes politik për të siguruar që sistemi i drejtësisë të mbetet i pavarur prej ndikimeve politike. Ajo ka ekspertët ligjorë më të mirë. Mund të ketë reformë në gjyqësor që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, por reforma do të ishte më e mirë dhe e qëndrueshme në Shqipëri me pjesëmarrjen aktive të saj”, - deklaroi ai duke e mbyllur fjalën me një paralajmërim për të korruptuarit, “Ne besojmë në vlerën e reformës dhe shprehim zotimin tonë për mbështetjen e këtij procesi.
Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet ta dinë se ndryshimi po vjen”. Ndërsa Marco Leidiker, kreu i zyrës së Komisionit Evropian në Tiranë deklaroi se analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri duhet të shërbejë si bazë për vazhdimin e reformës. Sipas Leidiker, duhet filluar duke marrë si kriter masat që ulin mundësitë për korrupsionin në gjyqësor dhe ato që përmirësojnë cilësinë e vendimmarrjes së gjyqtarëve.