Raporti Rriten rastet e dhunes ne Shqiperi

Raporti: Rriten rastet e dhunes ne Shqiperi
Në një raport të Amnesty International tregohet se rastet e dhunës në familje janë në rritje. AI raporton se gjatë vitit të kaluar ka pasur 2526 raste të raportuara të dhunës brenda familjes, 345 më shumë se sa vitin paraardhës. Sipas raportit ka pasur edhe një rritje të peticioneve nga viktimat për të kërkuar urdhër mbrojtje, ku shumica e viktimave janë gra. Raporti kujton se ndryshimet e bëra në Kodin Penal që e bëjnë dhunën brenda familjes një krim të ndëshkuar deri në 5 vjet burg në muajin prill. Por pavarësisht kësaj nuk ka pasur asnjë dënim për ushtrim dhune brenda familjes përveç rasteve të përsëritura dhe kur procedimi penal është iniciuar nga vetë viktimat.

Ndërsa, lidhur me torturën dhe keqtrajtimin, raporti i AI, përmend shqetësimet e shprehura edhe më parë nga Komisioni i OKB-së kundër torturës mbi mungesën e hetimeve të paanshme dhe efektive nga Ministria e Brendshme për rastet e raportuara të keqtrajtimit nga punonjësit e rendit. Raporti përmend edhe grevën e urisë të shtatorit të vitit të kaluar të ish të përndjekurve politikë gjatë së cilës dy prej tyre dogjën veten, ndërsa Lirak Bejkoi vdiq nga plagët. Në raport thuhet se Avokati i Popullit i konsideroi akte torture, veprimet e policisë së Tiranës që i mohuan ilaçe dhe lëngje grevistëve.

Në raport thuhet gjithashtu se romëve në Shqipëri vazhdohet tu mohohet e drejta e tyre për strehim të përshtatshëm, ndërsa përmendet kalvari i gjatë i familjeve rome që u shpërngulën nga stacioni i trenit, për të cilët ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare. “Në korrik jeta e rreth 800 familjeve rome u cenua kur policia e Tiranës implementoi një urdhër administrative që ndalon mbledhjen e kënaçeve dhe materialeve të tjera të riciklueshme, rast për të cilin Avokati i Popullit ka nisur edhe një hetim mbi përdorimin e forcës dhe keqtrajtimin e romëve nga policia”-thuhet në raportin e Amnesty International.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama