Raporti
Madje 8 mijë prej tyre janë përdorues të drograve që prej shumë vitesh, ndërkohë që 1 deri në 3 % humbin jetën nga mbidoza. Raporti i publikuar dje për Shqipërinë nga Zyra e Kombeve të Bashkuar për Drogën dhe Krimet, vëren se nga viti në vit numri i përdoruesve ka ardhur duke u rritur. Më shumë se 80 përqind e përdoruesve e marrin drogën me injektim, ndërsa 20 përqind e tyre janë prekur nga Hepatiti B dhe 30 përqind nga Hepatiti C.
Sëmundjet
“Problem tek shqiptarët që janë përdorues droge është se 83 përqind përdorin heroinë dhe shiringat me të cilën injektojnë atë përdoren disa herë ndaj dhe numri i personave me hepatit nga radhët e përdoruesve të drogërave është shumë i lartë. Afro 20 për qind e përdoruesve marrin drogë disa herë brenda ditës. Shqetësues është dhe fakti se afro 400 përdorues droge të moshës nga 19 deri 35 vjeç kanë kryer vepra penale nën efektin e narkotikëve dhe 16 janë gra”, tha dje James Bell, përfaqësuesi i UNODC.
Terapitë
Raporti thekson më tej se një pjesë e përdoruesve janë ndërgjegjësuar dhe kanë nisur terapitë, kryesisht atë me metadon, në qendra të ndryshme publike dhe private. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, metadoni vazhdon të jepet falas, por vitin e ardhshëm ai pritet të rimbursohet. “Kemi në trajtim mjekësor afërsisht 600 raste me metadon. Dua t’ju them një shifër që nuk është kaq optimiste, vetëm 10 – 15 për qind e vartësve që janë dipendent ndaj drogës kërkojnë ndihmë mjekësore, çka do të thotë që ne nuk kemi mundësi jo të përballemi, po ti ofrojmë ndihmën mjekësore në kohën e duhur të gjithë atyre që kanë nevojë sepse në fund të fundit ajo është një problem personal për ta”, tha Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave Shëndetësore në MSH, ndërsa së bashku me ministrin Tavo ishte i pranishëm në takimin e djeshëm me përfaqësues të OKB-së.
Qendrat mjekësore
Ndërsa ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo ndërkaq paralajmëroi ngritjen e qendrave të tjera multidisiplinare publike për trajtimin e përdoruesve të drogës. Edhe në shkolla sipas tij do të vazhdojnë fushatat sensibilizuese për dëmet që sjellin substancat narkotike, pasi në raport nënvizohej gjithashtu se në mjediset e shkollave u është ofruar drogë 8 për qind të të rinjve.