Zbardhet raporti i prezantuar nga ambasadori Florian Raunig në Këshillin e Përhershëm të OSBE- së të mbajtur dy ditë më parë në Vjenë. Sipas “Zërit të Amerikës”, në dokumentin ku jepet një informacion i plotë mbi punën e Prezencës së OSBE-së në Tiranë në 12 muajt e fundit, ambasadori vë theksin tek debatet për dekriminalizimin, reformën në drejtësi apo edhe luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa vlerëson operacionin kundër kultivimit të marijuanës. Në këtë dokument ambasadori Raunig, ndërsa komenton arrestimin e disa deputetëve, shprehet se çështja është më e gjerë se kaq dhe se ka pretendime të besueshme, thuhet në raport, se zyrtarë të lartë janë përfshirë në sjellje jo të përshtatshme.
Raporti i OSBE-së
“Çështjen e dekriminalizimit të parlamentit dhe strukturave në të dy nivelet, si në qeverisjen qendrore dhe lokale është më e gjerë se këto raste të veçanta, ngaqë, ka pretendime të besueshme se zyrtarë të lartë (si në të kaluarën dhe në të tashmen) janë përfshirë në sjellje jo të përshtatshme për pozitat e tyre”, - shprehet ambasadori Florian Raunig në raportin mbi zhvillimet e 12 muajve të fundit në Shqipëri, të mbajtur përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. Sipas raportit “kjo është një çështje që duket se do të nxisë diskutimin publik për ca kohë në të ardhmen. Sigurisht që do t'i shërbejë qeverisjes demokratike në Shqipëri nëse ky debat do të sjellë përpjekje konkrete për të paditur zyrtarë të korruptuar, përfshirë anëtarë të Parlamentit, por edhe të bëjë të mundur që zyrtarët publikë të respektojnë standardet më të larta etike”. Dhe duke mbetur te zyrtarët publikë, ambasadori vëren se ende nuk ka dënime nga elita politike dhe ekonomike. “Megjithëse kanë nisur disa procedime penale ndaj funksionarëve të nivelit të mesëm, Shqipëria ende nuk ka mundur të krijojë një bilanc të ndjekjes apo dënimit të elitave politike dhe ekonomike, veçanërisht lidhur me pasurimin e paligjshëm, korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Ndonëse në 2014 u krijua një njësi për hetimin e korrupsionit pranë Prokurorisë së krimeve të Rënda, ende nuk ka ndonjë bilanc për dënimin e zyrtarëve të nivelit të lartë”, - thuhet në dokumentin e prezantuar nga Raunig. Raporti vlerëson disa nga aksionet e ndërmarra nga qeveria, duke theksuar se: “përpjekjet intensive të policisë kundër kultivimit të drogave, të kombinuara me të tjera nisma si operacioni në nivel kombëtar kundër vjedhjes së energjisë dhe ndërtimeve të paligjshme, janë pjesë e deklarimit të qeverisë për të siguruar një zbatim më të mirë të ligjit dhe respekt të shtetit të së drejtës. Kjo është pozitive. Megjithatë ka disa shqetësime mbi zbatimin e pjesshëm dhe qëndrueshmërinë e këtyre përpjekjeve, sikundër dhe për ashpërsinë e masave për shkeljeve relativisht të vogla”. Duke u ndalur në luftën kundër krimit të organizuar, ambasadori i OSBEsë vlerëson operacionet kundër kultivimit të marijuanës “që ka çuar në mbi 250 arrestime, por që mesa duket ende nuk ka procedime të suksesshme të niveleve të larta”.
Dhe ndërsa thekson se operacioni i vitit të shkuar në Lazarat riktheu besimin te shteti ligjor dhe policia, shton gjithashtu se: “përpjekje të koordinuara nevojiten për të ndjekur dhe dënuar edhe ata që qëndrojnë pas trafikut të drogës”. Raporti është kritik për ndryshimet e shpeshta në të gjitha nivelet e policisë. Lidhur me reformën në drejtësi, ambasadori shprehet se “koalicioni në pushtet po dëshmon angazhim për reformën strategjike dhe aq të nevojshme në fushën e drejtësisë, përmes një procesi përgjithësisht të vendosur, që përfshin ekspertizë ndërkombëtare dhe vendase, e së fundi dhe opozitën”. Ambasadori vlerëson se “vënia në jetë e reformës do të duhet të trajtojë dobësi të thella strukturore. Megjithatë, nëse opozita nuk do të marrë pjesë plotësisht deri në fund, kjo mund të dëmtojë, në terma afatgjatë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e reformës në drejtësi. Në përgjithësi, politizimi i thuajse çdo problemi dhe paaftësia e theksuar për kompromis do të vazhdojnë ta bëjnë të vështirë arritjen e reformave kombëtare domethënëse dhe të qëndrueshme”. Sipas Raunig, përparimi i Shqipërisë në sfidat dhe aspiratat themelore, kërkon një program ndryshimesh të thella, afatgjata, përfshirëse dhe konsensuale. “Dialogu politik mes qeverisë dhe opozitës, sikundër kompromisi i bazuar në një veprimtari konstruktive në parlament, është thelbësor për qëndrueshmërinë e reformave dhe zhvillimin afatgjatë të vendit”, thekson raporti i OSBE-së.
BE: Të intensifikohen përpjekjet kundër korrupsionit
Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet dhe të zbatojë strategjinë antikorrupsion veçanërisht në sistemin gjyqësor. Kjo është thirrja që i bëhet klasës politike shqiptare nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, pas prezantimit të raportit vjetor të Prezencës, të prezantuar dy ditë më parë në Vjenë. “Pavarësisht përparimit në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin e kaluar, ai është ende i përhapur në shumë fusha duke përfshirë edhe gjyqësorin. Ky mbetet një problem veçanërisht serioz. Shqipëria duhet të intensifikojnë përpjekjet dhe të zbatojë strategjinë dhe veprimin antikorrupsion, planin e vet të miratuar rishtazi”, thuhet në deklaratë. Duke kthyer në vëmendje aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim dhe marrjen e statusit të kandidatit, BE mbështet vlerësimin e kreut të Prezencës së OSBE në Shqipëri, se dialogu i qëndrueshëm politik mes qeverisë dhe opozitës dhe puna konstruktive në Parlament mbeten elementë të rëndësishëm për procesin e reformave të vendit. Delegacioni i BE-së mbështet raportin e ambasadorit Florian Raunig.
Vlahutin për drejtësinë
Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin ka bërë sërish apel për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për reformën në sistemin e drejtësisë, një proces ky që, sipas ambasadores, ka mbështetjen e plotë të ndërkombëtarëve. “Marrëveshja midis palëve është shumë e rëndësishme për reformën në drejtësi. Ky është një proces serioz që ka mbështetjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar. Mendoj se është në rrugën e duhur. Është bërë punë e mirë përgatitore, tashmë jemi në fazën e projektligjeve”, tha Vlahutin. Ambasadorja e BE-së është ndalur sërish te zgjedhjet ndërsa k vënë në dukje se problem vijon të mbetet politizimi i tyre. “Ky është edhe një nga rekomandimet kryesore të këtij raporti se si t’ua kthejmë zgjedhjet qytetarëve, prandaj duhet të fillojmë të punojmë që tani në mënyrë që të jemi gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, deklaroi ambasadorja. Këto deklarata Vlahutin i ka bërë gjatë turit të saj dyditor në Gjirokastër, ku ka zhvilluar një takim me kryebashkiaken Rami.
PD: Pikat që i mungojnë projektit të qeverisë
Drafti i opozitës për dekriminalizimin është riprezantuar dje në “selinë blu” në një konferencë për shtyp nga deputeti Oerd Bylykbashi, i cili ka ballafaquar draftin e PD-së me atë të propozuar nga qeveria. Ndryshe nga projektligji i qeverisë, por dhe nga drafti i tyre i mëparshëm, PD ka shtuar në draftin e saj ngritjen e një institucioni që do të bëjë verifikimin, si dhe ka kërkuar të ngrihet një strukturë e posaçme brenda Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkohë testi i drogës, shenjat e gishtërinjve, përfundimi i mandatit të funksionarëve që kanë probleme me ligjin, e drejta e personave për të kërkuar verifikim si dhe vetëdeklarimi janë pikat e tjera që i mungojnë, sipas demokratëve, draftit të propozuar nga qeveria për dekriminalizimin.
Duke renditur pikat që duhet t’i shtohen draftit të qeverisë, kryesuesi i PD-së në komisionin për dekriminalizimin tha se në thelb e vlerëson draftin e qeverisë me propozimet e tyre, duke u shprehur i gatshëm për të negociuar me qeverinë për këtë ligj, por nga ana tjetër thekson se opozita nuk mund të tolerojë devijime serioze nga qëllimi i ligjit. Sipas tij mazhoranca ka hequr ato pika, të cilat pastrojnë seriozisht institucionet nga kriminelët. Bylykbashi, thekson se qeveria ia lë vullnetit të titullarit të institucionit, verifikimin e të dhënave për zyrtarët, ndërkohë që Partia Demokratike, thotë ai në propozimin e saj në çdo rast ngarkon këto mekanizma të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, ai tha se qeveria në ligjin e saj nuk parashikon marrjen e shenjave të gishtave për zyrtarët dhe kjo sipas demokratëve mundëson që kriminelët që kanë ndryshuar gjeneralitetet të mund ti shpëtojnë filtrave. Po ashtu për demokratët është e papranueshme edhe neni ku flet për mospërfshirjen e testit të drogës për zyrtarët në draftin e qeverisë. Demokratët gjejnë diferenca mes ligjit të tyre dhe propozimit të qeverisë dhe në nenin ku listohen kriteret për tu zgjedhur apo emëruar në funksionet publike apo dhe periudha e ndalimit për kandidim apo emërim.
Ilir Meta: Akuzat në raportin e OSBE-së, një karagjozllëk
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi dje se interesat e vogla partiake nuk duhet të bëhen pengesë për gjetjen e konsensusit për procesin e dekriminalizimit. Apeli i tij vjen një ditë pas debateve mes demokratëve e socialistëve në seancë plenare, lidhur me dy draftet e përgatitura tashmë për këtë proces. Sipas kryeparlamentarit Meta, pavarësisht retorikave konfliktuale, apo përjashtuese me motive politike, të gjitha palët kanë shprehur angazhimin dhe vullnetin për të përmbushur këtë proces që vjen si një detyrim i dakordësuar në marrëveshjen e dhjetorit të vitit të kaluar. “Unë jam i bindur se edhe pse tashmë kemi dy iniciativa, një nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dhe një nga ana e qeverisë, me arsyetimet përkatëse të cilat janë bërë publike, në thelbin e tyre të dy propozimet kanë një përputhshmëri të qartë. Natyrisht që ka edhe disa dallime, apo disa diferenca, të cilat kërkojnë një frymë më bashkëpunuese dhe gjithmonë me qëllim gjetjen e konsensusit, për të realizuar një proces gjithëpërfshirës në këtë drejtim”, - deklaroi si ndërsa shtoi se mund t’u drejtohemi sërish ndërkombëtarëve, nëse mungon konsensusi.
“Jam i bindur se edhe në rast se do të jetë e vështirë për arsye të interesave të ngushta politike apo partiake, të lojërave të panevojshme taktike të ditës, rëndësia e këtij procesi, domosdoshmëria e realizimit të tij, do të na rrisë përgjegjshmërinë që për ato pak çështje që mund të mos ketë konsensus apo dakordësi, të kërkojmë ndihmën dhe vlerësimin edhe të partnerëve tanë ndërkombëtar, të cilat janë të interesuar për avancim e këtij procesi”, theksoi kryeparlamentari. Sa i përket kontestimeve të demokratëve për sjelljen e një projektligji nga Qeveria, dhe jo si propozim deputetësh, Meta kujtoi se edhe demokratët sollën një projekt të tyre dhe jo një produkt të komisionit bipartizan.
“Unë nuk dua të ndërhyj në debatin se kush është nisma më e mirë, por është e qartë si drita e diellit, se të dyja këto nisma kanë një përputhshmëri mjaft të gjerë. Kanë disa diferenca, të cilat nuk mund të zbehin thelbin e vullnetit të dyja iniciativave dhe që nuk mendoj se mund të bëhen pengesë që ky proces të zgjatet pafund”, theksoi ai. Lidhur me deklarimet e deputetit të LSI-së, Spartak Braho të bëra në komision për përdorues droge nga të dyja palët, kreu i legjislativit tha se: “Deklarata e fundit e tij mu duk në kontradiktë me edukatën e tij juridike, sepse është e lehtë për të bërë lajme, është e lehtë për të shtuar mjegull në politikën shqiptare, por gjithnjë për fat të keq, në politikën shqiptare rruga më e vështirë është për t’iu drejtuar drejtësisë”.
Meta vlerësoi më tej deklaratën e ambasadorit të SHBA-së në OSBE që foli për nevojën e shkëputjes së influencave kriminale në qeverisjen shqiptare. “Padyshim që ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të bashkëpunojnë edhe kur na mbështesin edhe kur na kritikojnë”, u shpreh ai. Kryeparlamentari nuk la jashtë vëmendjes as raportin ku flitet për lidhjet e biznesit me politikën apo renditen edhe akuza për politikanët. “Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me OSBE-në, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, për gjithçka serioze me të cilën angazhohet OSBE-ja. Për sa i takon pastaj thashethemeve, mendoj që ka shumë njerëz të cilët kanë kohë për t’u marrë me thashetheme. Unë jam një politikan që asnjëherë nuk kam pasur kohë të merrem me gjera të tilla. Sa i takon karagjozllëkut në fjalë, ambasadori ka kërkuar falje. Nuk mendoj se ja vlen të merremi më me këtë çështje” u shpreh kreu i Kuvendit.