Raporti i Vermahtit Gjermanet iken me 4 dhjetor nga Shqiperia

Raporti i Vermahtit: Gjermanet iken me 4 dhjetor nga Shqiperia
Vjen në shqip libri dokumentar “Shqipëria 1943-1945”
Luftimet e fundit në Tiranë sipas oficerit gjerman dhe arratisja e prefektit Mulleti.
Raporti i të dërguarit amerikan, Xhekobs për Shqipërinë e vitit 1945.
“Torturat në burgjet komuniste janë në modë”

Edhe pse kanë kaluar 67 vjet nga çlirimi i Shqipërisë, historianët ende nuk e kanë zbardhur nëse vendi është çliruar më 28 apo 29 nëntor. Ka nga ata që mendojnë se kjo datë nuk ka fare rëndësi. Në lidhje me këtë çështje ka dëshmi nga më të ndryshmet, që gjithsesi nuk e zgjidhin përfundimisht. Së fundmi, historiani dhe studiuesi i njohur Bernd Fischer ofron një tjetër variant, sipas një raporti final të Vermahtit për pushtimin në Shqipëri, gjermanët janë larguar në datën 4 dhjetor, pra as në 28 e as në 29. Këtë dokument Fischer na e ofron përmes librit “Shqipëria 1943-1945”, një botim i Institutit shqiptar për studime ndërkombëtare, të cilin e promovoi pak ditë më parë në Universitetin Europian të Tiranës.

Në këtë libër Fischer ka preferuar të lërë dokumentet të flasin. Libri mbështetet në dy dokumente kryesore, të pabotuara më parë: në raportin final të Vermahtit gjerman në Shqipëri, shkruar nga një zyrtar gjerman në pranverën e vitit 1945 dhe një Raport dokumentar me një përmbledhje plotësuese mbi përfundimet dhe rekomandimet në lidhje me njohjen e “QEVERISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË”, përgatitur nga misioni special i Departamentit të Shtetit në Shqipëri, me J. E. Xhekobs (Jacobs), që ishte kreu i misionit. “Raporti final gjerman është unik në shumë drejtime dhe jo pak edhe nga fakti që është shkruar nga një oficer i panjohur, pjesëtar i grupit të drejtimit në selinë e Vermahtit në Berlin, me sa duket në shkurt apo mars të vitit 1945. Kryeqyteti i dënuar ishte sigurisht nën sulmet e vazhdueshme ajrore, pasi ushtritë aleate po i afroheshin nga lindja dhe nga perëndimi.

Me sa duket, i papenguar nga rënia e afërt dhe tanimë e pashmangshme e Rajhut, oficeri gjerman përgatiti një histori të shkurtër, të mrekullueshme, me pesëdhjetë faqe, të pushtimit gjerman të Shqipërisë, duke ndërthurur statistikat e gjalla me analizën”, thotë Bernd Fischer në hyrje të librit të tij. Është një raport jo shumë i gjatë, por me shumë detaje. Ndërsa ai amerikan është më i plotë, më i gjatë. Në të Xhekobsi rekomandonte që Shtetet e Bashkuara të njihnin regjimin e Hoxhës. Megjithatë, Departamenti i Shtetit nuk i pranoi rekomandimet e tij dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të merrnin fund këtu, për t’u ringritur pas 46 vjetësh. Nga sa shihet në këtë raport, autori është treguar shumë i kujdesshëm, madje duket se shpreh vlerësime për udhëheqjen e re. “Por Xhekobsi ishe i gatshëm edhe për të qenë kritik ndaj regjimit që krijoi Hoxha. Ai vë në dukje frikën që ngjallnin komunistët, përfshi edhe paralajmërimet ndaj individëve të caktuar, që në atë kohë vizitonin shumë shpesh shtëpitë e zyrtarëve amerikanë dhe britanikë. Ai komentonte kushtet e tmerrshme nëpër burgje dhe përdorimin e torturës. Gjyqet po përdoreshin si për të dhënë drejtësinë e vërtetë kundër kolaboracionistëve, por edhe si një armë kundër kundërshtarëve politikë, duke kryer edhe ekzekutime të fshehta”, thotë Fischer. Më poshtë kemi veçuar disa pjesë nga të dyja raportet e publikuara në librin “Shqipëria 1943-1945”.

Raporti përfundimtar i Vermahtit gjerman në Shqipëri (1945)

Evakuimi i Shqipërisë së Jugut

Nga shtatori e në vijim, situata u përkeqësua edhe më shumë. Meqenëse Shqipëria e Jugut nuk nevojitej më tej për evakuimin e trupave gjermane nga Greqia, ajo u braktis gradualisht. Rreth 17 tetorit, trupat gjermanë ishin tërhequr në një vijë ndërmjet Kavajës dhe Beratit.

Situata në kryeqytet

Megjithëse pavarësisht luftimeve ishte akoma e mundur për t’i zhvendosur trupat në Tiranë sipas planit, tensioni shpërtheu edhe këtu. Nga fundi i gushtit e më tej, të gjitha grupet e armatosura dukej se tërhiqeshin si me magnet drejt kryeqytetit. Dukej se i priste një fitore e lehtë, mbi të gjitha sepse çorganizimi i autoriteteve qeveritare ishte veçanërisht i dukshëm këtu. Të gjitha postet drejtuese në administratën shqiptare duhej të plotësoheshin urgjentisht. Prefekti Mulleti, një figurë krejtësisht e paparashikueshme dhe e dyshimtë, e kishte braktisur detyrën e tij dhe ishte larguar për në Gjermani. Zëvendësi i tij, Pekmezi, refuzohej nga ata që njiheshin si komunistë. Gjatë rrethimit të Tiranës, ai ndërroi palë dhe u bashkua me grupet e armatosura. Pas ikjes së Fortuzit në Italinë e pushtuar nga forcat armike, posti i bashkiakut të Tiranës iu dha dikujt që ishte krejtësisht i paaftë. Me qëllim që të ruhej një përshtypje rendi publik, grupi i administrimit propozoi shkrirjen e postit të prefektit dhe bashkiakut, dhe kalimi i postit të ri prefektit të Vlorës, i cili, për parantezë, kishte forcat e tij luftuese prej rreth 500 burrash që kishin qenë mjaft të suksesshëm në luftimet e terrorit komunist në Vlorë.

Nëse për çdo arsye Resilia nuk do të ishte i disponueshëm, prefekti i Durrësit propozohej si mundësi e dytë. Për arsye që ne nuk i kuptuam, Gstotenbauer u trajtoi këto sugjerime në mënyrë neglizhuese dhe ua doli pak a shumë t’i sabotonte ata. Gstotenbauer dhe Gruperfyhreri Fitthum vendosën për një komitet mbrojtës me tre persona për Tiranën, gjenerali Fon Myrdaks, Pekmezi dhe drejtori i forcave shqiptare të sigurisë. Fatkeqësisht, ky komitet nuk ishte në gjendje të bënte gjë kur Tirana u rrethua dhe u bllokua, sepse gjenerali 70- vjeçar Fon Myrdaks shumë shpejt u kap nga grupet e armatosura, shefi i forcave të sigurisë kishte ikur në Shkodër në këtë kohë, dhe Pekmezi dezertoi për tek grupet e armatosura pasi kishte nuhatur dhe mësuar mjaft rreth pozicioneve, forcës dhe taktikave të trupave gjermanë.

Më 27 tetor, para kryengritjes në Tiranë, shtabi i korpusit u largua nga qyteti si pjesë e evakuimit të përgjithshëm dhe u zhvendos në Shkodër.

Dorëheqja e detyruar e qeverisë dhe Këshillit të Regjencës

Një ditë para se të largoheshin, shefi i shtabit të Korpusit 21 malor të ushtrisë, me kërkesë të komisionerit të posaçëm të Ministrisë së Punëve të jashtme, e detyroi qeverinë e Biçakut (Biçakçiu) dhe Këshillin e Regjencës që të paraqisnin dorëheqjen e tyre. Kjo u bë pa dijeninë e kreut të zyrës së administrimit, grupi i administrimit nuk mban përgjegjësi për këtë akt politik, që ishte në mospajtim të hapur me politikën e mëparshme të respektimit me rigorozitet të neutralitetit të Shqipërisë. Në zbatimin e saj nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, kjo politikë ishte e diskutueshme më së paku, dhe si rrjedhojë praktike; Kjo vetëm sa e përshpejtoi kaosin në Tiranë dhe Shqipërinë Qendrore. Për sa u përket formaliteteve, ky akt politik solemn, i cili përbënte një ndryshim të plotë përfundimtar në politikën gjermane ndaj Shqipërisë, u krye në mënyrë aq të pakujdesshme, saqë dokumenti ligjor zyrtar në gjuhën shqipe i dorëheqjes së Këshillit të Regjencës as që nuk u përkthye në gjermanisht nga ndonjë përkthyes. Gjithçka që morëm, ishte një përkthim i sipërfaqshëm në gjermanisht i bërë nga Frashëri i ri. Më pas, gjatë evakuimit, Vehbi Frashëri na tregoi se versioni origjinal në shqip i dorëheqjes, në paragrafin në fjalë, ishte i paqartë dhe krejtësisht i hapur për interpretim. Gjatë përkthimit, ai zgjodhi një version që u jepte autoriteteve gjermane përshtypjen se Këshilli i Regjencës vërtet u ishte nënshtruar të gjitha kërkesave gjermane. Në të vërtetë, teksti origjinal e linte Këshillin e Regjencës pa mundësinë e kthimit në qeverisje në të ardhmen, sepse ishte e paqartë në këtë version në shqip nëse ai kishte dhënë dorëheqje në të vërtetë apo jo.

Praktikisht, rënia e qeverisë më 27 tetor do të thoshte fundi i të gjitha veprimtarive administrative në kohë paqeje në Shqipërinë e Vjetër. Periudha që pasoi, mund të përshkruhet vetëm si gjendje lufte në rajonin në jug të Shkodrës. Situata ushtarake për këtë periudhë është paraqitur në një raport tjetër të posaçëm.

Luftimet në Tiranë

Më 30-31 tetor 1944 u ndërmor një sulm i përgjithshëm ndaj Tiranës nga grupet e armatosura. Shumica e qytetit u shkatërrua në njëzet ditë luftimesh nëpër rrugë. Ne kemi mendimin se ky përkeqësim dramatik nuk do të kishte qenë i nevojshëm. Kjo situatë mund të ishte shmangur, nëse autoritetet, për arsye formale, nuk do të kishin rënë dakord në mënyrë pasive dhe mbi të gjitha të mos kishim kërkuar shpërbërjen e qeverisë shqiptare. Grupi administrues në mënyrë të përsëritur vinte në dukje/theksonte se vendet pa udhëheqje dhe organizim natyrshëm gjithnjë çonin në anarki.

Evakuimi i mëtejshëm nga Shqipëria u zhvillua pa luftime të mëdha. Trupat e fundit gjermanë u larguan nga vendi më 4 dhjetor 1944.

Ikja e politikanëve jo-komunistë

Thuajse të gjithë politikanët shqiptarë jo komunistë u larguan nga vendi me trupat gjermanë, ose e kishin bërë këtë më parë. Ata individë që nuk ishin me interes për autoritetet gjermane, u ndihmuan në Bar për të arritur në Korfuz ose Itali me anije, duke marrë përsipër vetë rrezikun. Ata të cilët kishin qenë në poste të ekspozuara në shërbimin gjerman dhe ato figura për të cilat autoritetet gjermane donin të siguroheshin që të mos binin në duart e armikut, veçanërisht Frashëri at e bir, u evakuuan me trupat në një autokolonë transporti të organizuar nga Mellin. Në Sarajevë ata u morën në dorëzim nga SS dhe u transportuan drejt Rajhut. Natyra e vërtetë e grupeve në Shqipëri mund të shihet në këtë largim thuajse të plotë të udhëheqësve politikë. Rrjedha e ngjarjeve jepte përshtypjen që e ardhmja e Shqipërisë tashmë nuk do të vendosej krejtësisht nga Anglia. Grupet e armatosura shqiptare në këtë periudhë mbështeteshin nga shtabi anglo-amerikan dhe silokimi i trupave të Badolios, për të cilin mësuam, vetëm sa rriste sferën e ndikimit anglez.

Zhvillimi i mundshëm i situatës në Shqipëri

Është shumë e vështirë të bësh hamendësim në lidhje me të ardhmen politike të Shqipërisë. Vështirësitë ekonomike që mund të priten, qëndrimi i lindur anti-qeverisje i shqiptarëve dhe paaftësia e drejtuesve të tanishëm për të përmbushur qoftë dhe një pjesë të vogël të premtimeve që ata kanë bërë, pa dyshim që do të shtyjë një pjesë të mirë të popullsisë drejt maleve nga fillimi i pranverës dhe, në këtë mënyrë, problemet me grupet e armatosura do të rifillojnë në kahe të kundërta. Në përfundim, pushtimi gjerman në Shqipëri duket të ofrojë dëshmi se populli shqiptar nuk është aspak i pjekur sa duhet për t’u vetëqeverisur. Vetëm nëse një fuqi e huaj e fortë dhe e drejtë pa motive të fshehta vjen dhe merr kontrollin e vendit për të paktën një brez dhe gradualisht i përgatit banorët e saj drejt pavarësisë, Shqipëria-e bukur dhe në një farë mase premtuese siç është- do të shpëtojë nga konfliktet e brendshme të pafundme, që do të përfundojnë me shkatërrimin e kombit tërësisht.

Nga raporti dokumentar mbi njohjen e “Qeverisë demokratike të Shqipërisë”, përgatitur nga Misioni Special i Departamentit të Shtetit në Tiranë

Sistemi i burgjeve

Sistemi i tanishëm i burgjeve njihet pak, pasi praktikisht të gjitha burgjet janë në duart e autoriteteve ushtarake. Në kohën e pushtimit italian dihej se në Shqipëri kishte 40 burgje, një në çdo prefekturë dhe nënprefekturë, si dhe një burg të përgjithshëm i tipit modern në Tiranë. Numri ndoshta mbetet i njëjtë.
Sipas njoftimeve që dëgjohen herë pas here, kushtet në këto burgje janë të këqija, tortura për të detyruar të rrëfehesh është ende në modë, ndërsa të burgosurit duhet të marrin ushqime dhe hera-herës edhe ujë nga të afërmit e tyre ose përndryshe, ka gjasa të vdesin nga uria, gjithsesi, këto kushte ndoshta nuk janë më të këqija sesa në Jugosllavi dhe në vendet e tjera të Ballkanit, ku janë afërsisht të njëjta dhe ka mundësi që të jenë të tilla për një farë kohe, deri sa të futen të ashtuquajturat “parime demokratike” dhe populli të kërkojë ndryshimin.

Kompetenca e sistemit të tanishëm ligjor dhe gjyqësor

Tani për tani është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të komentosh siç duhet kompetencën e sistemit të tanishëm ligjor dhe gjyqësor. Ai nuk ka funksionuar për një kohë aq të mjaftueshme sa për të nxjerrë konkluzione përfundimtare. Megjithatë mund të thuhet se ministri aktual i Drejtësisë, z. Manoz Konomi, që ka studiuar për Drejtësi në Francë, është tejet i interesuar për drejtimin e kënaqshëm të drejtësisë dhe ligjeve shqiptare dhe, nëse lejohet të ecë me programin e tij, besohet se përpjekjet e tij do të sjellin përmirësime. Shkalla e suksesit që do të arrijë ai, varet shumë nga stabiliteti i qeverisë së tanishme dhe nëse autoritetet ushtarake do të heqin dorë përfundimisht nga juridiksioni i mjaft çështjeve gjyqësore, që tani gjykohen prej tyre.

Sistemi i tanishëm gjyqësor synon të sigurojë gjyqtarë, që përzgjidhen nga Ministria e Drejtësisë si njerëz të formuar, që veprojnë si gjyqtarë, prokurorë dhe sekretarë dhe me zgjedhjen e gjyqtarëve popullorë, që shërbejnë krahas personelit të përgatitur që më parë. Teorikisht kjo mund të konsiderohet si një zgjedhje e mirë, por nën dritën e sistemit të tanishëm njëpartiak, i cili nuk duron opozitë apo kritika, është e pashmangshme që gjyqtarët e zgjedhur të jenë caktuar nga partia dhe, për këtë arsye, ka mundësi gjithmonë që të marrin vendime kundër kujtdo që nuk është me regjimin, pa përfillur faktet. Natyrisht, tani për tani ky është vetëm një supozim, por për shkak të natyrës njerëzore, ky duhet të jetë rezultat i pashmangshëm i sistemit të tanishëm, për aq kohë sa në Shqipëri të jetë një qeveri njëpartiake si kjo e tanishmja.

Zhvillimi i gjyqeve ndaj kriminelëve të luftës nga gjykata ushtarake deri tani dukej sikur ka qenë i mirë dhe nuk ka pasur “gjakderdhje”, ashti siç pritej. Megjithatë, këto gjyqe u kanë futur frikën në palcë grupeve opozitare të moderuara, që duket se janë të terrorizuara nga policia e fshehtë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama