Kjo situatë vërehet tek raportet që ka hartuar Komisioni i Shërbimit Civil pas kontrolleve të ushtruara në një pjesë të mirë të institucioneve të qeverisjes qendrore, në të cilat ka hasur një numër të konsiderueshëm shkeljesh në drejtim të rekrutimit, pagesave, vlerësimit, ngritjes-uljes në detyrë të punonjësve të administratës publike. Pjesë kontrolleve për vitin 2011 kanë qenë Ministria e Financave; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Punës; Ministria e Jashtme; Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Thuajse në të gjitha këto raporte, KSHC vëren shkelje të ligjit në drejtim të përzgjedhjes së punonjësve të rinj, e cila sipas rregullave duhet të bëhet nëpërmjet konkursit të hapur dhe sipas meritës. Në fakt, konkursi bëhet, por gjithnjë fiton kandidati i paracaktuar për atë vend pune.
Praktika është e njëjtë, në rastet e vendeve të lira të punës në administratën publike, institucioni emëron fillimisht me një kontratë të përkohshme “për nevojat e institucionit”, deri më plotësimin e vendit të punës nëpërmjet konkursit. Sipas ligjit, punësimi i një personi në administratën publike nuk mund të bëhet për një kohë më të gjatë se tre muaj me kontratë. Menjëherë pas kësaj duhet të kryhet plotësimi i vendit bosh duke i dhënë punonjësit të e përzgjedhur statusin e nëpunësit civil. Zakonisht, para realizimit të konkursit, institucioni e ka përzgjedhur punonjësin që do të vendoset në atë vend pune, por gjithsesi procedura vijon sipas ligjit dhe në fund shpallet fitues i përzgjedhuri i fillimit, pikërisht punonjësi që ka qenë i rekrutuar nëpërmjet kontratës së punësimit të përkohshëm. Në këtë mënyrë, institucionet shkelin pa droje ligjin për përzgjedhjen e punonjësve sipas meritës. “Konstatohet se në të gjitha konkurrimet e zhvilluara kanë fituar punonjësit, të cilët kanë qenë të emëruar nëpërmjet kontratave si dhe duke kryer efektivisht detyrat e këtij pozicioni edhe gjatë kryerjes së procedurës së konkurrimit. Si pasojë e pashmangshme e kësaj situate, konstatohen edhe konkurrimet me një numër minimal kandidatesh, 4-5 të tillë, të cilët janë të domosdoshëm për zhvillimin e një procedure konkurrimi”, – shprehet KSHC në raportin e Mbikëqyrjes në Ministrinë e Jashtme. E njëjta gjë vërehet edhe tek Ministria e Mbrojtjes. “Konstatojmë se ky institucion të gjitha emërimet e reja i ka kryer fillimisht nëpërmjet kontratës dhe më pas i ka formalizuar me konkurrime, një pjesë e të të cilave, në momentin e mbikëqyrjes, kanë qenë në proces, kurse në konkurrimet që kanë përfunduar, në të gjitha rastet kanë fituar ata punonjës që tashmë kanë qenë të emëruar në këto pozicione”, – vijon raporti.
S’kanë besim tek testimet, ulet cilësia e konkurrentëve për një punë në shtet
Kryerja e testimeve fiktive për rekrutimin e punonjësve në administratën publike ka dekurajuar qytetarët e interesuar për një vend të tillë pune por edhe ata që kanë aftësitë e duhura, të marrin pjesë në provim. E gjithë kjo, sipas Komisionit të Shërbimit Civil ndodh për shkak se të interesuarit nuk kanë më besim te procesi i drejtë i përzgjedhjes duke marrë kështu të mirëqenë faktin se pavarësisht testimit, kandidati që do të përzgjidhet është paracaktuar. “Konstatojmë se besueshmëria ndaj procesit të rekrutimit ka rënë dukshëm në opinionin e publikut dhe midis kandidatëve të mundshëm, kjo reflekton edhe në raste te dështimin e procedurave të konkurrimit për mungesë kandidatësh”, – shprehet Komisioni në raportin pas kontrollit të ushtruar në Ministrinë e Financave. Për të shpjeguar këtë situatë, KSHC paraqet edhe një rast tipik të uljes së besimit tek konkurset e institucioneve qendrore për rekrutimin e punonjësve.
Pas testimit, kandidati i parë është vlerësuar me 69 pikë nga 100 të mundshme, i cili është shpallur edhe fituesi. Vendi i dytë ka marrë tre herë më pak pikë se i pari, vetëm 18 pikë nga 100 të mundshme. Vendi i tretë është vlerësuar me 10 pikë, kurse kandidati i katërt, i vlerësuar edhe i fundit, ka marrë vetëm 3 pikë nga 100 të mundshme!! “Kjo situatë e konstatuar, vjen në kundërshtim me qëllimin e ligjit për shërbimin civil, i cili kërkon të vendosë rregulla dhe standarde të njëjta për të gjithë në lidhje me kushtet dhe procedurat e pranimit në shërbimin civil, për mënyrën e fillimit dhe mbarimit të marrëdhënieve të punës, për zhvillimin e karrierës, për garantimin e të drejtave dhe përcaktimin e detyrimeve të nëpunësve civilë, me synimin për të krijuar një Shërbim Civil të qëndrueshëm, profesional dhe eficent”, – vijon raporti. Në këtë rast, KSHC shprehet për Ministrinë e Financave, por e njëjta situatë vërehet edhe tek institucionet e tjera të raportuara siç janë Ministria e Mjedisit, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ministria e Punës, etj.
Kjo situatë sipas KSHC-së ka sjellë si pasojë marrjen në punë të nëpunësve, jo sipas parimit tëbarazisë dhe kriterit të meritokracisë. “Kjo ka sjellë humbjen e besimit të fuqisë së lirë të punës, duke u shfaqur kjo në formën e humbjes së interesit e mospjesëmarrjes në konkurrime në rastet e shpallura e për pasojë kandidatë jo cilësorë. Personat e interesuar e konsiderojnë të kotë pjesëmarrjen në konkurrim, pasi ai kryhet vetëm si procedurë që të ligjërohet mbajtja në punë e personit të marrë me parë me kontratë”- shpjegon Komisioni i Shërbimit Civil.
Largimet nga puna, paguhen dy paga për një pozicion
Largimet në mënyrë të padrejtë nga puna e punonjësve të administratës publike po i shkakton kosto të larta financiare buxhetit të shtetit. Në një pjesë të mirë të institucioneve të kontrolluara nga KSHC janë vërejtur pozicione pune për të cilat paguhen dy paga. Një pagë i jepet punonjësit që ka qenë në detyrë dhe gjykata ka vendosur në favor të tij duke detyruar institucionin të paguajë pagën për një periudhë të caktuar kohore, ndërsa një pagë tjetër jepet për punonjësin që është aktualisht në detyrë. E gjithë amullia vjen për shkak të largimeve të pamotivuara nga puna të punonjësve, të cilët më pas e dërgojnë çështjen në gjykatë duke përfituar si dëmshpërblim pagën. Për të shpjeguar këtë situatë, KSHC merr si shembull Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në të cilën paguhen 58 paga për 29 vende pune, dy paga për një vend pune. Në këtë institucion janë pushuar ose nxjerrë në listë pritje 29 punonjës nga 1606 që ka në total. Këta e kanë apeluar vendimin duke përfituar përkundrejt marrjen e pagës. Dhënia e pagës do të vijojë deri në lëshimin e një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Apelit. Në këtë mënyrë, institucioni ose duhet të kthejë në vendin e punës punonjësit ose duhet të vijojë t’i paguajë si të punësuar.
“Mosveprimi në këtë rast ka sjellë dëme të pariparueshme financiare në buxhetin e shtetit, pasi, ndërkohe që ka punonjës të emëruar me kontratë të përkohshme, është vepruar me pagesën e dy personave njëkohësisht, për një pozicion pune, ku njëri është paguar në zbatim të mjetit të njohur nga ligji, ‘kontratës së punës’ dhe tjetri do të paguhet në zbatim të detyrimit ligjor të ekzekutimit të vendimit gjyqësor”, – shpjegon Komisioni i Shërbimit Civil. Fenomeni i pagesës së dy punonjësve për një pozicion pune njohu një zgjerim të madh gjatë vitit 2006, ku me ardhjen e maxhorancës së re në pushtet u pushuan shumë punonjës të administratës qendrore, të cilët përfituan më pas dëmshpërblimet për largimin e padrejtë nga puna.
Vlerësimet, punonjësit e ministrive janë më të mirët !
Të gjithë punonjësit e ministrive kanë një ecuri shumë të mirë të punë! Kjo është ajo që pasqyrohet në dokumentacionin e institucioneve të qeverisjes qendrore në drejtim të vlerësimit të punonjësve, të kontrolluara nga Komisioni i Shërbimit Civil. Në pjesën dërrmuese të rasteve, titullarët japin vlerësime maksimale për performancën e punonjësve me “shumë mirë” apo “mirë”. Në për të shpjeguar më mirë këtë situatë, KSHC merr për shembull Ministrinë e Jashtme. Në këtë institucion janë vlerësuar 152 punonjës, 147 nga të cilët janë vlerësuar me “shumë mirë” për ecurinë e tyre në punë, kurse 5 të tjerë janë vlerësuar me “mirë”.
“Kjo do të thotë që pothuaj 100 % e nëpunësve të kësaj ministrie të jenë vlerësuar në nivelin ‘Shumë Mirë’, duke konsideruar në këtë mënyrë pothuajse të panevojshme, vlerësimet e nivelit nën mesatar. Duke vlerësuar të gjithë nëpunësit në nivelin shumë mirë, rrezikohet me mundësinë që nëpunësit të humbasin motivimin për të kryer një punë me nivel të lartë, duke parë që vlerësimin shumë mirë e marrin pothuajse gjithë punonjësit e institucionit”, – paralajmëron KSHC. Të njëjtën kritikë, KSHC ka bërë edhe në raportin e një viti më parë në drejtim të institucioneve të qeverisjes qendrore.