Z.Klosi, bisedën tonë doja ta nisnim me një temë që ka qenë edhe pjesë e debatit të ditëve të fundit. Ju jeni shprehur që dosjet duhet të hapen. Por si e shihni faktin që emri i piktores Safo Marko, doli si agjente prej një denoncimi personal?
Qëndrimin tim, dhe atë që e vlerësoj si më të mirën për problemin e dosjeve, e shpjegova me hollësi në shkrimin e botuar më 25.6.?????????????????? në gazetën “Shekulli“. Dosjet, ose duhet të hapen (më saktë, të ishin hapur me kohë) plotësisht, ose duhen ndaluar njerëz që përgjigjen për administrimin e tyre, të publikojnë emra e dëshmi në mënyrë selektive. Sepse kështu i bie, që disa njerëz që s’na prishin punë i demaskojmë si ish-agjentë të Sigurimit, disa të tjerë, për shembull, kur janë të afërt me pushtetin, i kursejmë dhe nuk i nxjerrim. Kjo është krejt e pamoralshme, në të tillë mënyrë u godit edhe Safo Marko dhe familja e saj, një ndër familjet më të talentuara, që i kanë dhënë më shumë këtij vendi, por edhe nga më fatkeqet.
Pak ditë më parë keni promovuar botimin e veprës së plotë të Ali Asllanit. Ka qenë pak i vonuar ky botim dhe a ka zgjuar kureshtje libri?
Libri ka qenë vërtet i vonuar dhe interesimi është i pazakontë. Kemi të bëjmë me një nga poetët kryesorë të gjuhës shqipe në shek. 20, i cili ishte thuajse i harruar, kishte humbur në botime të vogla e të pjesshme, me poezi që shpesh qarkullonin të ndryshuara e censuruara, sikurse pat ndodhur në 3 botimet e vogla të viteve 1960, 1962, 1964, kur shkrimtari, në pleqëri të thellë, u detyrua të bënte kompromise. Krahasimi me variantet e botuara në shtypin e viteve 1931-1944 ka nxjerrë në dritë një poet të plotësuar në çdo pikëpamje, nga poezitë atdhetare-shoqërore, te tablotë satirike gjithë kolorit (si “Hanko Halla“), te poezitë lirike-erotike.
Vitet e fundit i jeni përkushtuar më shumë përkthimit dhe botimit të veprave të autorëve të tjerë. Si janë aktualisht raportet tuaja me penën?
Ju e dini se ndodhemi në një vend ku nuk mund të jetosh me zotësinë e penës. Njerëzve që shkruajnë u mbetet ose të bëhen opinionistë (analistë) ose të përkthejnë. Kam zgjedhur këtë të dytën, sidomos qysh kur vendosa disa vite më parë që të merrem vetëm me shqipërime letrare-filozofike e të albanologjisë, duke hequr dorë nga përkthimet teknike. Kështu ndihem shumë mirë dhe pranë prirjes sime të natyrshme, që është gjuha shqipe dhe krijimi.
Keni në plan të përgatisni diçka konkrete për lexuesit?
Si gjithmonë përgatis libra. Në vjeshtë do të dalin: Bertolt Brecht “101 poezi dashurie“, “Aventurat e Tom Sojerit“ (ribotim), dy libra për gazetarinë “Gazetaria“ nga Stefan Russ-Mohl dhe “Gazetaria televizive“ (kjo e dyta ribotim), të gjitha përkthime të mia. Nga punët origjinale, kam në plan një libër me titullin “Satira të zgjidhura“.
Z.Klosi, si një studiues i letërsisë mund të na thoni, bëhet letërsi e mirë sot?
Së bashku me Elsa Demon kam përgatitur në tre vjetët e shkuara dy antologji të prozës shqipe: “Shqipëria kujton. 1944-1991“ dhe “Shqipëria tregon. 1991-2010“. Aty sheh që prozës sonë nuk i mungojnë aspak talentet, që gjen tregime që do t’i bënin nder çdo letërsie bashkëkohëse. Problemi më i madh i letërsisë sonë është që janë prishur disi urat me lexuesin, që mungon dialogu shkrimtar-lexues. Kjo vjen nga indiferenca për letërsinë shqipe, e mediave në radhë të parë (flitet veç për ndonjë vepër që bën bujë politikisht), e kushtëzuar kjo dhe nga supremacia e televizionit dhe internetit. Zbritja e këtyre të dyjave në vendin tonë përkoi me shembjen e strukturave socialiste, që ndihmonin shkrimtarët dhe leximin e librit. Më keq nuk bëhet. Duhet një veprim i vetëdijshëm i aktorëve publikë-shtetërorë, që shkrimtarët dhe letërsia shqiptare të fitojnë sërish vendin që u takon.
Le të kalojmë në disa pyetje personale, duke lënë mënjanë letërsinë, cilat janë hobet tuaja?
Ecja në natyrë, sidomos ecja malore. Noti. Nga hobit jo-fizikë, teatri, filmi, muzika – megjithëse këto janë shumë afër letërsisë.
Në shtëpinë tuaj, cilat janë temat për të cilat diskutohet më shumë?
Fëmijët, zhvillimi i tyre.
Detyrat e shtëpisë janë të ndara mes jush dhe bashkëshortes? Çfarë marrëdhënie keni, për shembull, me kuzhinën? Cila është pjata e preferuar e juaja?
Në përgjithësi detyrat përzihen. Secili është në gjendje të bëjë punët e ndryshme që kërkon shtëpia. Si gjysmë vegjetarian që jam, më pëlqejnë zarzavatet e freskëta, djathi, peshku dhe disa gatime furre.
Ju keni dy vajza, cilat janë raportet tuaja me to? Pas kujt janë më shumë të dhëna, pas letërsisë apo fotografisë? Apo ndasi të tilla nuk ekzistojnë?
Kemi dy vajza, janë ende në moshën e gjimnazit dhe nuk janë përcaktuar në profesionet e ardhshme. Kanë talente të ndryshme e kjo na gëzon. Shpresoj të gjejnë vetveten e të bëjnë në jetë atë që u dëshiron më shumë zemra. Natyrisht edhe të kenë aty sukses.
Gjatë kësaj stine do të keni aktivitete të tjera kulturore, apo tashmë vera është sezoni i pushimeve për të gjithë?
Vera te ne është shumë e nxehtë, aktivitetet kulturore meken. Për mua është stina e tërheqjes në vetvete, puna. Ndihem shumë mirë në shtëpi, sepse punoj i përqendruar. Për pushime, me thënë të drejtën nuk ndiej nevojë, pasi (ende) jetoj në një gjysmë fshat, në qetësi.