Raporti shokues per Hashim Thacin sot ne KE

Raporti shokues per Hashim Thaçin, sot ne KE
Raporti i hulumtues Dik Marti prezantohet sot para 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës në Paris. Senatori Dik Marti akuzon kryeministrin Hashim Thaçi për lidhje me krimin e organizuar, trafikun e drogës në pesë vende, dyshimet për masakrat e UÇK-së me robërit te "Shtëpia e Verdhë" në Mat, klinika në Tiranë dhe Fushë-Krujë dhe dëshmitë e pengjeve para se tu merreshin organet që shiteshin në Perëndim.

Detajet e raportit, si trafikoheshin organet

Sipas mediave të Kosovës, Dik Marti ka shfrytëzuar kryesimin e Këshillit të Europës nga Serbia për të përgatitur një tjetër raport linçues për Kosovën. Është, megjithatë, gazeta britanike "The Guardian", që në ballinën e saj, ka cituar pjesë të raportit të Dik Martit që ngre edhe një herë çështjen e "Shtëpisë së Verdhë" dhe gjoja trafikimin e organeve të serbëve. "Kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptarësh "në formë mafie" përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe organeve njerëzore nëpër Europën Lindore. Hashim Thaçi është identifikuar si "bosi" i një rrjeti që ka filluar të vërë në veprim reketet e tij kriminale në prag të luftës së vitit 1999 në Kosovë, dhe i cili ka ruajtur ndikimin e tij të fuqishëm mbi qeverinë e vendit që nga atëherë". Raporti i këtij hetimi dyvjeçar, i cili citon burime të tjera të FBI-së dhe të inteligjencës, është marrë nga "The Guardian". Ai përmend që Thaçi të ketë ushtruar "kontroll të dhunshëm" mbi tregtinë e heroinës gjatë dekadës së fundit.

Në shkrimin e "The Guardian" thuhet se figura të rrethit të ngushtë të Thaçit janë akuzuar se kanë marrë pjesë në rrëmbimet dhe vrasjet pas luftës, veçmas të serbëve të vrarë, organet e të cilëve janë shitur në tregun e zi. Marti, një hulumtues për të drejtat e njeriut pritet ta prezantojë raportin e tij sot para 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës gjatë një takimit në Paris. Raporti flet për lidhjet e Hashim Thaçit me krimin e organizuar përgjatë një dekade, kur grupi i tij nga Drenica u bë faktori dominant, për të vazhduar se grupi më pastaj mori shtrirje të madhe, duke kontrolluar gjithçka. Në raport thuhet "raportet sekrete përgjatë një dekade e konfirmojnë lidhjen e Thaçit me drogën në pothuajse pesë vende. Në raportet e agjencive të huaja po ashtu thuhet se njerëzit e grupit të Drenicës janë lojtarët kryesorë. Marti kishte udhëhequr më herët delegacionin e KE-së që erdhi për të hetuar pretendimet për trafikim organesh të serbëve në "Shtëpinë e Verdhë" nga ana e UÇK-së, që nuk u vërtetua asnjëherë.

Detajet e reja të trafikut të organeve të të burgosurve serbë për të cilët dyshohet se janë kryer nga UÇK, sipas raportit të nga Dik Marti, thonë se godina e njohur si "Shtëpia e Verdhë", është përdorur si burg ku mbaheshin të burgosurit, ndërsa operacionet e heqjes së organeve kryheshin në një shtëpi tjetër në Fushë-Krujë, 20 km larg Tiranës. Raporti konkludon se e ashtuquatjura "Shtëpia e Verdhë" ku banon familja Katuçi nuk ishte vendi ku hiqeshin organet.

Aty theksohet se serbët e burgosur ishin dërguar atje pasi Katuçi ishte zhvendosur dhe godina ishte bërë pronë e UÇK-së . Shtëpia e verdhë dhe burgjet e tjera "ad hoc" funksiononin si stacione ku agjentët e UÇK zgjidhnin kandidatët për të hequr organet. Pas kontrolleve mjekësore dhe testeve të gjakut ai thotë se "një grup" u dërguan në një shtëpi-fermë në Fushë- Krujë, në veri të Shqipërisë. Në raport konstatohet se disa nga këta të burgosur u është treguar për fatin që i priste dhe thuhet se i kanë kërkuar që të "mos priteshin në copa". Sipas dëshmive të mbledhura në raport të gjithë të burgosurit vriteshin, zakonisht duke u qëlluar me një plumb në kokë, përpara se të operoheshin për tu marrë një apo më shumë organe. Organet besohet se dërgoheshin në Turqi, në një grup kriminal të drejtuar nga Jusuf Sonmez, i njëjti doktor turk në kërkim nga interpoli për përfshirjen e tij në aferat e dyshimta të klinikës "Medikus".

Senatori zviceran kreu një hetim dy vjecar në lidhje me krimin e organizuar në Kosovës pasi Këshilli Europian mandatoi atë për të hetuar pretendimet për trafikun e organeve nga ana e UÇK-së pas mbarimit të luftës me Serbinë, në vitin 1999. Prokurori i Bashkimit Europian Jonathan Ratel ka treguar në seancë se organet hiqeshin ilegalisht nga viktimat dhe transplantoheshin në klientë të pasur, në klinikën e njohur "Medikus". Ratel deklaroi se mes atyre, "të cilët paguanin deri në 90 mijë euro për tregun e zi të veshkave, përfshiheshin dhe pacientë nga Kanadaja, Gjermania, Polonia dhe Izraeli". "Historia do të ishte mjaft tronditëse nëse do të përfundonte këtu.

Por ajo çfarë gjykata nuk dëgjoi ështe se klinika "Medikus", sipas një raporti të Këshillit Europian, është e lidhur me një rrjet të gjerë organizatash kriminale shqiptare. Ato kanë thënë se kanë pasur lidhje të ngushta me zyrtarë të qeverisë së Kosovës, përfshi dhe Kryeministri Hashim Thaçi". Sipas raportit akuzat për trafikun e organeve i referohen një dekade më parë, kur, thuhet se janë kryer operacione për të hequr veshkat nga viktimat e vrara. Një numër i vogël i të burgosurve, thuhet në raport, ishin transferuar në një klinikë të improvizuar në veri të kryeqytetit Tiranë, ku ata qëlloheshin në kokë përpara se tu hiqeshin veshkat. Dyshimet dolën në sipërfaqe 2 vjet më parë, kur ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte tha se ajo ishte penguar të hetonte mizoritë që dyshoheshin se ishin bërë nga UCK.

Grupi "Drenica" kontrollonte trafikun

Sipas raportit të Dik Marti 40 robër mbijetuan duke u mbajtur të burgosur në Shqipëri dhe janë gjallë sot. Të tjetër mendohet se janë vrarë. Sipas raportit, grupi i njohur si "Drenica", i udhëhequr nga Hashim Thaçi, u bë fraksioni dominant në UÇK dhe ishte organizata kryesore përgjegjëse për trafikimin e të burgosurve përmes kufirit. Marti shkruan në raport se ka prova të cilat vërtetojnë se ushtria guerrilase e Kosovës formoi një "bastion të frikshme në ndërmarrjet e krimit te organizuar". Sipas Marti, në 1999 raportet e inteligjencës identifikonin Thacin si "krimineli më i rrezikshëm" i UÇK-së. Në raport përmendet emri i Shaip Mujës, një mjek, ish-komandant i UÇK-së dhe bashkëpunëtor i Thaçit, i cili aktualisht është këshilltar politik i kryeministrit për çështjet e shëndetit. "Kemi zbuluar një sërë indikacionesh mbi rolin qendror të Mujës në rrjetet ndërkombëtare, ku përfshet trafikimi i njerëve, procedurave të jashtëligjshme kirurgjikale". Marti thekson se ky raport nuk është një hetim penal dhe se nuk është në gjëndje të shpallë gjykime për fajësi apo pafajësi, por fokusohet në një figurë kryesore e cila ka luajtur një rol qendrën në trafikun e organeve.

Reagimet
Berisha: Raporti i Martit, i pabazë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka vlerësuar si të rremë dhe të pabazë raportin e anëtarit të APKE, Dick Marty, mbi kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Qëndrimin e tij Berisha e ka shprehur në një takim me drejtorin e përgjithshëm për Demokracinë dhe Cështjet Politike të KiE, Jean Louis Laurens. "Është një raport tërësisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, cka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë një abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës", ka deklaruar Berisha.

Krasniqi: Raporti i Martit, racist

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi ka reaguar dje me një deklaratë lidhur me projekt-raportin e Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti. Me këtë rast, ai ka shprehur indinjatën e thellë për këtë projekt-raport, të cilin e quan absurd të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare. "Ky projekt-raport nuk është gjë tjetër, pos vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të librit të ish-Kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime të Luftës në ish-Jugosllavi, zonjës Karla del Ponte. Ky projekt-raport është qartësisht i njëanshëm dhe përmban edhe deklarata raciste, kur flet për "strukturën klanore" të shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe për "mungesën e një shoqërie civile të vërtetë". Ky projekt-raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të barazuar luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare me masakrat e regjimit serb të Milosheviçit"-deklaroi Krasniqi.

BE: Marti të dalë me prova

Brukseli ka reaguar ndaj pretendimeve të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, sipas të cilit kryeministri Hashim Thaçi identifikohet si "bosi" i mafias në Kosovë. "Ne i marrim akuzat seriozisht, por e ftojmë z. Marti që të dalë me prova", tha Maja Kocijançiç, zëdhënëse e kryediplomates së BE-së, Catherine Ashton.
Edhe Policia e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se kërkon "fakte të forta" për pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, sipas të cilit, civilët e burgosur nga UÇK-ja janë vrarë në Shqipëri, ndërsa veshkat e tyre janë shitur në tregun e zi. Zëdhënësja e policisë së EULEX-it, Karim Limdal, tha se "prokuroria i bazon hetimet dhe aktakuzën mbi fakte dhe prova të forta". Limdal ka thënë se hetimet e Bashkimit Evropian mbi pretendimet se është bërë trafikim i organeve në veri të Shqipërisë, nuk kanë rezultuar me asnjë provë, siç transmeton AP.

Amnesty: EULEX-i të hetojë

Drejtori i Zyrës së Amnesty International për Institucionet Evropiane, Nikola Bezhe, shprehet se kjo organizatë mbështet thirrjen e zotit Dik Marti drejtuar EULEX-it, që të ofrojë të gjitha burimet e nevojshme për të kryer një hetim të plotë dhe të pavarur lidhur me aludimet. Në këtë angazhim duhet të përfshihet edhe një program efektiv për mbrojtjen e dëshmitarëve në këto hetime, shprehet zyrtari i Amnesty International. Gjatë 10 vjetëve të fundit, organizata për të drejtat e njeriut ka bërë disa herë thirrje për ndriçimin e fatit të serbëve, romëve dhe personave të tjerë të rrëmbyer pas përfundimit të konfliktit dhe për nxjerrjen para drejtësisë së autorëve të këtyre akteve. Në deklaratën e saj për shtyp, Amnesty International fajëson UNMIK-un për mungesë suksesi në këtë drejtim, ndërkohë që shumë nga këto çështje kanë kaluar tani nga kompetencat e EULEX-it në duart e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm në Kosovë.

Tadiç: Hetim akuzave për Thaçin

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tha se duhet të hetohen pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti mbi trafikimin e organeve, të cilat ndërlidhen me Thaçin. Ndërsa ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, pas takimit me homologun rus Sergei Lavrov në Moskë deklaroi se: "Ky raport është sinjal se ka ardhur koha që tërë bota e qytetëruar të pushojë së mbylluri sytë para realiteteve të tmerrshme në Kosovë. Ky raport tregon se si është Kosova sot, dhe kush janë liderët e saj. Ne të gjithë duhet të bëhemi bashkë që të kërkojmë zgjidhje për çështjen" e Kosovës"- tha Jeremiç.

OJQ-të, kritika raportit

Përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut në Prishtinë e Beograd vënë në pikëpyetje vërtetësinë e raportit të raportuesit të Komitetit për marrëdhënie ligjore dhe të drejta të njeriut, Dik Marti, që akuzon kryeministrin në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kenë organizuar rrëmbimin e njerëzve, të cilëve në Shqipëri u janë marrë organet për trafikim në vitin 1999.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se raporti nuk saktëson burimet, mbi të cilat janë bazuar të dhënat. "Është shumë e pazakontë që doli në këtë moment. Nuk po them se nuk duhet të hetohen gjërat, por nëse ai nuk definon në mënyrë precize se në cilat informata është bazuar dhe se a është i balancuar, nuk e di, është shumë e vështirë të komentohet", u shpreh Biserko. Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, tha se raporti është i motivuar politikisht. Në qoftë se vërtet Dik Marti ka siguruar mbështetje faktike për pohimet e tij, atëherë është dashur të intervenojë menjëherë Interpoli...Shala e quajti të papërgjegjshëm dhe paragjykues raportin në fjalë dhe tha se, po qe se do të ishin të sakta pohimet e hartuesit të tij, Interpoli do të kishte ndërmarrë masa shumë kohë më parë.

Në gusht 2009

Qeveria "Berisha" ia ndaloi hetimet Martit në Shqipëri

Në gusht 2009 Dik Marti tentoi të hetonte në Shqipëri, por qeveria "Berisha" i komunikoi të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dik Marti se nuk mund të hetohet në Shqipëri mbi akuzat e Karla Del Pontes dhe autoriteteve të Beogradit rreth pretendimeve se UÇK-ja ka trafikuar organet e serbëve gjatë luftës në Kosovë. "Të drejtën për të hetuar në territorin e Shqipërisë e ka vetëm Prokuroria shqiptare", mësohet ti ketë thënë ish-ministri i Drejtësisë Enekeljed Alibeaj, senatorit zviceran që kryesonte grupin e hetimit në emër të Këshillit të Europës, në takimin e zhvilluar në Tiranë. "Unë refuzoj të besoj se këto janë të vërteta, por do të na pëlqente që kjo çështje të hetohej", i ka thënë Marti, ish-ministrit shqiptar të Drejtësisë. Përgjigja e Alibeajt ishte: "Unë refuzoj t'i përgjigjem letër-porosisë së Ministrisë serbe të Drejtësisë, pasi pretendimet janë pa bazë dhe nuk ka prova mbi këto akuza".

"Medicus" në Prishtinë, akuzat për trafik organesh

Zyra e Prokurorisë së Posatçme të Kosovës ngriti një padi në tetor kundër shtatë vetëve, ku përfshihen mjekë dhe një ish-zyrtar i ministrisë së shëndetësisë, për trafikim të organeve njerëzorë, krim të organizuar dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore. Akuzat lidhen me Medicus Clinic në Prishtinë, e cila u mbyll më 2008 nga UNMIK dhe policia e Kosovës pas një hetimi disa mujor. Ministria e shëndetësisë pohoi në atë kohë se klinika nuk kishte liçensë për të punuar. Por më pas, klinika dha një liçensë që ishte lëshuar, që i lejonte ata të kryenin transplantime organesh.

Ekzistonte vetëm një problem i vogël: Ligji i Shëndetësisë në Kosovë ndalon transplantimin e organeve. Sekretari i Shëndetësisë Ilir Rreçaj u shkarkua për nënshkrimin e liçensës. Në atë kohë, dy mjekë të mirënjohur u arrestuan, përfshirë Lutfi Dervishin. Policia e konsideron çështjen kundër të shtatëve si pjesë e një rrjeti të organizuar ndërkombëtar kriminal. Një nga mjekët e akuzuar, Jusuf Erçin Sonmez, është një shtetas turk, i cilësuar nga shtypi si "Frankenshtaini turk". Atij i është ndaluar ushtrimi i mjekësisë në Turqi dhe ishte përfshirë në trafikimin e organeve në shumë vende, duke përfshirë Turqinë, Moldavinë dhe Azerbajxhanin. Sonmez dhe Dervishi kryenin operacionet. Me ta punonte një mjek izraelit Hoshe Harel, i cili ishte përgjegjës për rekrutimin e "dhuruesve".

Akuzat pretendojnë se viktimat ishin rekrutuar në vende të tjerë me premtimin për pagesa të konsiderueshme për organet e tyre, kryesisht veshka. Pastaj ata transportoheshin në Kosovë për operacionin. Çmimi i shitjes së një organi nuk ishte më shumë se 14,000 euro, por çmimi i blerjes shkonte nga 80,000 deri më 100,000 euro. Viktimat ishin njerëz me të ardhura të pakta nga shtete të ndryshëm të Europës Lindore, Azisë Qëndrore, Turqia dhe Rusia.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama