“Për periudhën janar–dhjetor 2011 pranë zyrave të punësimit janë shpallur rreth 16 mijë oferta pune, ku numri më i lartë i tyre i përket Tiranës e Durrësit, ndërsa numri më i ulët është regjistruar në Dibër dhe Kukës,” tha Neshat Zeneli, drejtor i Sektorit të Shërbimit të Punësimeve. Ndërkohë që sipas të dhënave të Inspektoriatit Shtetëror të Punës vihet re një tendencë në rritje e numrit të aksidenteve në punë. Vitin që lamë pas janë regjistruar 126, ndër të cilët 26 kanë përfunduar me humbje jete. Sektorët më të prekur janë ndërmarrjet prodhuese, minierat e ndërtimit.
I pranishëm në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Punës ishte edhe ministri Spiro Ksera i cili u ndal në informatizimin e skemës së punësimit. Sipas tij dixhitalizimi i skemës do t’ju japë më shumë akses kompanive vendase dhe të huaja për të parë online të dhënat në zyrat e punësimit dhe për të krijuar ndërmjetësime sipër kërkesë-ofertës. Aktualisht ka nisur një bashkëpunim frytdhënës me Qeverinë Italiane për punësimin e 250 shtetasve shqiptarë, të cilët do të trajnohen paraprakisht. Ndërkohë, zv/ministri i Financave, Nezir Haldeda, ngriti si shqetësim mangësitë ligjore në kontratat e punës. Ministri i Punës, Spiro Ksera, tha se kjo çështje mund të rishikohet, duke ndryshuar dhe Kodin e Punës. Ndërkohë në kurset e aftësimit profesional për herë të parë kanë marrë pjesë dhe të burgosur. Anëtarë të këtij këshilli kërkuan që të hiqen nga programet, trajnime për parukier, kamarier dhe kompjuter dhe këto të zëvendësohet me profesione më të kërkuara në tregun e punës.