Raporto dhe Shpeto prezantohet nisma e re kunder trafikut te qenieve njerezore

'Raporto dhe Shpeto', prezantohet nisma e re kunder trafikut te qenieve njerezore

Ministria e Brendshme ka marrë një tjetër iniciativë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Linja falas 116006 do të shërbejë si një dritare më shumë në luftën kundër kësaj dukurie. Në fjalën e tij ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se kjo linjë është një përpjekje në luftën tonë kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe theksoi se teknologjia është një mjet i mirë që duhet të shfrytëzohet për ta luftuar këtë lloj trafiku. “Raporto dhe Shpëto” është aplikacioni falas për të denoncuar trafikun dhe linja falas 116006.

“Ne po përdorim teknologjinë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Raport- progresi ka vlerësuar pozitivisht hapat e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ne besojmë që me gjithë përpjekjet tona dhe hapat konkrete të hedhur në këto 8-9 muaj raporti do e nxjerrë Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim.”- u shpreh ministri Tahiri.

Më tej ai theksoi se: “Vetëm për vitin 2013 janë identifikuar 93 viktima të mundshme të trafikimit nga të cilat 43 fëmijë. Është marrë iniciativa që me ndryshimin ligjit të përfshihet paketa shëndetësore falas për dy vjet për viktimat e trafikimit. Janë ngritur tre njësi lëvizëse me dy punonjës social për të identifikuar viktimat e mundshme të trafikimit, janë evidentuar 57 viktima të mundshme të trafikimit. Edhe linja falas edhe aplikacioni smartphone është një nismë e re. Trafikimi nuk mund të jetë vetëm një fenomen social por është një fenomen kriminal”, u shpreh ministri Tahiri.

Arvizu: SHBA, krenare që investoi 1 milion dollarë, Shqipëria mund t’ia dalë

Ora: 11:20 Nga ana tjetër , i pranishëm në këtë konferencë, ambasadori i SHBA-ve Alexander Arvizu, vlerësoi angazhimin e qeverisë për të luftuar këtë trafik që nuk janë vetëm statistika, por njerëz të dëmtuar.

“Në këtë trafik nuk kemi vetëm statistika, por njerëz të dëmtuar. Është e qartë që kjo qeveri po ndërmerr hapa të rëndësishëm. Kjo qeveri e ka marrë me seriozitet dhe po bën përpjekje. Besojmë se përmes angazhimit të plotë nga ana e kryeministrit, Shqipëria do t'ia dalë mbanë. Veçanërisht ajo që ne presim të shohim është një bashkëpunim më i madh mes hetuesve prokurorëve e qytetarëve në mënyrë që sa më shumë persona të mund të ndalohen e ndiqen penalisht për shkelje të ligjit. Jam krenar që USAID-i është faktor kyç për këtë aplikacion të ri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që investuan mbi 1 milion dollarë në Shqipëri për të adresuar trafikun e personave ”, u shpreh Arvizu.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama