Talenti i Viteshes ka shënuar në barazimin 1-1 të kësaj të fundit përballë Heraklesit. Në deklaratën e dhënë për mediat holandeze, futbollisti i Kombëtares ka deklaruar se për të është e rëndësishme që skuadra të fitojë dhe të arrijë objektivin që ka për të marrë pjesë në zonën "play off" të Europa Ligës, edhe më shumë sesa golat në aspektin personal.
"Për ne ishte një ndeshje e rëndësishme dhe duhet të merrnim tri pikët. Më vjen keq që nuk ia dolëm, edhe për vetë faktin se kundërshtari na barazoi me penallti. Mendoj që e merituam të merrnim maksimumin, por për fat të keq nuk ia dolëm", ka deklaruar fillimisht Rashica.
Talenti është lakuar për interesim të shumë klubeve europiane në adresë të tij. Gjithashtu, Milot Rashcia është një ndër futbollistët që lakohet se mund të jetë i përzgjedhuri i De Biazit në Europian. Me realizimin në këtë ndeshje, Rashica ka shkuar në kuotën e tetë golave të shënuar në kampionat.
"Kur skuadra nuk fiton, as goli im nuk ka shumë vlerë. Më vjen keq që nuk arrita t'i jap fitoren skuadrës sime, pasi ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Gjithsesi, nuk do të dorëzohemi dhe do të tentojmë deri në fund që të arrijmë një vend për në Kupat e Europës", ka deklaruar Rashica për mediat holandeze.